Kuvendi vendos sot për arrestimin e Ahmetajt, mesazhi i tij nga arratia 

Kuvendi vendos sot për arrestimin e Ahmetajt, mesazhi i tij nga arratia 

87
SHPËRNDAJE

Kuvendi i Shqipërisë do të votojë sot në një seancë të jashtëzakonshme kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

Mazhoranca kërkonte që ky votim të bëhej ditën e hënë pas miratimit dhe të raporteve në Këshillin e Mandateve, por pas debateve të ashpra në sallën e Kuvendit, u la që kërkesa për arrestimin dhe kontrollin në banesën e Ahmetajt të lihej për të premten.

Paraprakisht, si mazhoranca ashtu edhe opozita kishin dhënë dakordësinë në Këshillin e Mandateve për të miratuar kërkesën e SPAK, por ndaheshin vetëm në çështjen e ditës kur ajo do të votohej, një lëvizje kjo, që sipas pakicës po bëhej për t’i dhënë kohë Ahmetaj që të rregullonte provat.

Ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj akuzohet për korrupsion, fshehja apo mosdeklarim të pasurive dhe pastrim parash. Ai aktualisht nuk ndodhet në Shqipëri dhe mendohet të jetë larguar disa orë përpara se kërkesa e SPAK të mbërrinte në kryesinë e Kuvendit.

Hetimet nxorrën në pah lidhjet e tij me dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përfituesit e koncensioneve të trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Fier e Tiranë.

Në një mesazh që dërgoi mbrëmjen e djeshme në emisionin Opinion, Ahmetaj la të kuptohej se nuk kishte ndërmend të dorëzohej:

Do dal kur ju të lexoni dosjen, do dal kur ju të tregoni që akuzohem se kam pasur njohje e shoqëri me një njeri që në atë kohë ka qenë njeri normal dhe në punët e veta. Do dal kur të lexoni që akuzohem për korrupsion se ish-gruaja ime ka shitur metra katrorë në treg të lirë.

Do dal kur të kuptohet që bashkëjetuesja ime dhe familja e saj ka blerë me transaksione të pastër bankar një pronë. Do dal kur të kuptoni dhe lexoni dhe faktoni se Klodian Zoto s’ka qenë kurrë po kurrë pronar i asaj prone që të ishte në gjendje që ta falte apo dhuronte. Do dal kur të lexoni gjithë letrat e mia në favor të interesit publik si ato që shyqyr që dolën sot.

Do dal kur e vërteta të ketë marrë rrugë. Do dal kur ju të bëni pyetje të vërtetë se ku ka favorizuar Arben Ahmetaj. Do dal kur të kuptoni që s’kam pasur asnjë lidhje me procedurën. Atëherë do dal. Do dal kur të lexoni se ato biseda të 2012 janë komplet impotente në aspektin e lobimit apo favorizimit aq më tepër në opozitë.

S'KA KOMENTE