Pushohet nga puna drejtori i Parkut te Apolonise ,letra drejtuar kryeministrit.

Pushohet nga puna drejtori i Parkut te Apolonise ,letra drejtuar kryeministrit.

439
SHPËRNDAJE

Ministrja e Kulturës pushoi nga puna të premten në mesditë, me një qetësi tronditëse dhe në sekret të plotë drejtorin e Apollonisë, Marin Haxhimihali, arkeolog nga diaspora me 20 vjet banim në Paris, që u kthye gjithë idealizëm para 6 vjetësh t’i shërbejë kulturës së vendit. Nipi i Aleks Budës s’mund të ndihej mirë vetëm në tokë ilire. Me heqjen e tij pa bujë, kjo qeveri firmos triumfin e injorancës dhe kulmin e hipokrizisë, pasi krijoi për sy e faqe një ministri diasporë, gjoja për të tërhequr më të mirë, shkruan Genc Burimi.

Shpresoj, Kryeministër, se të paktën s’do ndiheni krenar për këtë meskinëri të re. Shpresoj se po e kuptoni pse shpirtërisht dhe mendërisht është një mal që po ngrihet mes jush dhe shqiptarëve jashtë dhe brenda. Po ju tradhton dita ditës hendeku astronomik midis fjalëve të bukura dhe veprave të shëmtuara, si ky akt burracak ndaj drejtorit të pambrojtur të Apollonisë, që kreu mëkatin të kujtonte se administrata e Shqipërisë është si ajo e Francës. Flakja e parë nga puna në javën e parë të qeverisë, regjistrohet trimërisht ne lëmin e kulturës.
Prelud i trishtë i një mandati, që nuk guxon të ballafaqohet me hallet e vërteta të shqiptarëve, por t’u këpusë kokat statujave që s’bëjnë zë. Shpresoj vetëm se do t’ju vijë pështirë nga vetja kur do ta zëvendësoni një arkeolog nga Parisi, me ndonjë militant fierak të Rilindjes. Mund të bëni politikë dhe klientelizëm, se ndodh dhe në bote kështu, por kurrë me kulturën me “K” të madhe, siç janë parqet arkeologjike. Kultura s’mund të pranoje miq e hatër, por vetëm meritën dhe talentin. Përndryshe, i nderuar Kryeministër, vetëm se do ia zgjasni jetën atij mentaliteti levantinësh që kishit marrë përsipër ta reformonit kur u kthyet nga Parisi, por që po ju mban peng dhe po ju bën si vetja.
Faktet tregojnë se po mendoni gjithnjë e më shumë për vetë dhe për miqtë, ndërkohe që misioni i shtetformimit duhet t’ju shtyjë drejt interesit të përgjithshëm, drejt atyre si Marin Haxhimihali në Apolloni që duhen mbrojtur e promovuar sepse i duhen vendit. E njihni mirë, besoj, Pier Kaban, albanologun e famshëm francez që udhëhoqi në vitet ‘70 të parin mision të huaj arkeologjik në Shqipëri, ku diktatura i kishte ndaluar që prej gërmimeve të fundit të Leon Rey në Apolloni para Luftës së Dytë botërore. Ndonëse në moshe mjaft të thyer, por me mendjen plot dhe me dashuri të pangopur për Shqipërinë, Pier Kaban morri në fillim të javës penën për t’i shkruar ndër të tjera këto rreshta zonjës Kumbaro: “Zonja Ministre…, më lejoni t’ju rrëfej se që prej vdekjes se të ndjerit Profesor Aleks Buda, ndiej një amanet të kujdesem për nipin e tij, që ma besoi pak para vdekjes dhe që e formova vetë.
Ju e dini se sa shumë vepra e tij mundësoi të shpëtonte një pjesë të rëndësishme të thesarit kulturor shqiptar në kohën kur diktatura mendonte ta shkatërronte në emër të ateizmit që pllakosi vendin më 1967. Mendoj se Marin Haxhimihali meriton të vazhdojë në këto gjurmë dhe të kryeje misionin e tij në Apolloni në lidhje të ngushte e të frytshme mes arkeologësh shqiptarë dhe francezë”. Kjo ndërhyrje e sinqertë dhe e largët veçse ia paska shtuar bindjen ministres së Kulturës së Shqipërisë se nuk është e nevojshme që të lihet një arkeolog në krye të një parku arkeologjik. Pak a shumë si ju zoti Kryeministër, që po tregoni gjithë talentin tuaj në fushën e ekonomisë, shëndetësisë, bujqësisë dhe diplomacisë pa përvojë tjetër, veçse ajo e piktorit. Druaj se mungesa e rezultateve po ju çon në akte dëshpëruese si kjo e heqje së pakuptimtë e një djali të talentuar nga diaspora ne krye te Apollonisë.
Po merrni gjithnjë e me shumë trajtat e paraardhësit tuaj kur sillej si arrogant e i paprekshëm sepse e kujtonte veten të përjetshëm në atë post. Lideri mbetet në zemrat dhe memoriet e njerëzve, vetëm atëherë kur tregon me akte se është i drejtë, i ndershëm, pa kompromis me hileqarët, dhe me mirënjohje konkrete për ata që japin nga vetja e tyre për vendin. I tillë është Marin Haxhimihali, që e pushoni pa asnjë motiv nga puna. Shqipëria, me vetëm dy site madhore antike, s’e ka luksin të vazhdojë me këto marrëzira infantile. O ndryshoni politikë Kryeministër, o do ju ndryshojnë. E trishtë si u arrit në këtë pikë t’ju jepet juve, i supozuar i ardhur nga kultura, këshilla për kulturën, kopshti juaj sekret. S’ju ka mbetur tani, veçse të mbillni dhe Apolloninë me hashash! /Panorama/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.