Për çfarë nuk shkroi Ana Komneni…

Për çfarë nuk shkroi Ana Komneni…

151
SHPËRNDAJE

Nga Ilirjan Gjika.

1
Për normanët, kalorësit që u bënë tmerri i Mesdheut ka shkruajtur gjerësisht edhe kronistja bizantine Ana Komneni. Jo pak, por në 15 librat e veprës së saj Aleksiada, të cilën ajo ja kushtoi me devocion, perandorit bizantin Aleks Komnenit, të atit, që ajo e adhuronte deri në ekstrem.
Edhe Historia e Shqipërisë, si teksti zyrtar i botuar vite më parë nga Akademia e Skencave, po ashtu edhe ajo që zhvillohet në Shkollën e Mesme, trajton në vetvete edhe pushtimet normane në vendin tonë, të cilat nisin me fushatën e Robert Guiskardit në vitin 1081, për të vazhduar me Boemundin në vitet 1107-1108 dhe duke përfunduar me mbretin Guljelm i II-të, në vitin 1185.
E veçanta është se, shumica e të dhënave dhe fakteve historike që përbëjnë tekstet tona, janë marrë kryesisht nga historiania Ana Komneni dhe Aleksiada e saj, duke u bërë së fundi edhe këto ditë tema përshkrimesh në shtypin tonë. Mbi këtë bazë edhe lexuesi i gjerë ka krijuar imazhin dhe përfytyrimin e tij për normanët dhe fushatat e tyre pushtuese, përgjatë brigjeve lindore të Adriatikut dhe Jonit. Ndërkohë që, për lexuesin do të ishte me interest të mësonte edhe mbi aktivitetin e gjerë që zhvilluan normanët në bregun përtej, pikërisht në Itali, për ato ngjarje, për të cilat nuk shkroi Ana Komneni.
2
Normanët, për të cilët Historia asnjeherë nuk ka nguruar së shkruari, ishin një komunitet luftëtarësh të paepur që dominuan në shekujt XI-XII-të, historinë e Italisë, Ballkanit dhe Kryqëzatës së parë. Më ambicjen për të qenë protagonistë të ngjarjeve të kohës që jetuan, ata si pasardhës të drejtëpërdrejtë të gjakut viking, i dëshmuan botës, se ishin njerëz të destinuar për të qenë veçse pushtues. Gjurmët e ekspeditave të dhunshme kundër Bizantit janë të lidhura me emrat e strategëve legjendarë si të Robertit, Roxherit, Boemundit dhe Tankredit, për të ardhur së fundmi tëk Guljelmi i II-të, i fundmit i Altavilave.
Normanët u shfaqën në Italinë e jugut të ftuar nga Bizanti, i cili fillimisht i përdori ata kundër arabëve saraçenë, të cilët në vitet 827-902, i kishin shkëputur Perandorisë Bizantine, Siçilinë. Grupi i parë mbërriti nga Normandia në Itali, në vitin 1009, nën drejtimin e Rainulfo Drengot, për të shtypur revoltën antibizantine të Barit. Për këtë qëllim atij ju premtua si shpërblim feudi, që përfshinte qytetin e Aversës, e cila ishte nën juridiksionin e Dukës së Napolit. Pas tij erdhën me radhë të bijtë e Tankredit të Hautevilit (Hauteville), një fisniku të vogël norman, të cilët morën mbiemrin e italianizuar Altavila. I pari ndër ta ishte Vilhelm Krah-hekuri, i cili në vitin 1043 pushtoi Kontenë e Melfit në Pulia. Më pas do të zbarkonte këtu, i vëllai, Robert Guiskardi, pushtimet e mëdha të të cilit e bindën Papën që ta njihte në vitin 1059 me titullin, Dukë i Kalabrisë, Pulias dhe Siçilisë.
Ndërkohë që, Pulia dhe Kalabria kishin qenë zotërime të Bizantit, ndërsa Siçilia ishte nën zotërimin e saraçenëve. Megjithatë kjo gjë nuk i ndali normanët. Në vitin 1061 nën drejtimin e Roxherit, vëllait tjetër Altavila, nisi fushata ndaj Siçilisë, e cila përfundoi me largimin e arabëve nga ishulli, ndërsa Roxherit, Papa I dhuroi titullin, Kont i Siçilisë.
Kështu, Papati u përpoq që ti përdorte normanët si instrument, për të vendosur kontrollin politik dhe fetar në Italinë e Jugut, me qëllimin që të dëbonte që aty bizantinët ortodoksë dhe arabët myslymanë. Natyrisht që kjo politikë i dha frytet e veta. Në vitin 1071 Robert Guiskardi dëboi përfundimisht Bizantin nga Italia e jugut, ndërsa 20 vjet më vonë Roxheri bëri këtë gjë me arabët. Por për tu ndalur është momenti, kur në vitin 1071, Robert Guiskardi dëboi nga kjo pjesë e Italisë, Bizantin dhe bashkoi të gjitha zotërimet normane të Italisë së jugut. Vetëm pas këtij proçesi (1061-1071) Roberti, Roxheri, Boemundi dhe Tankredi, nisën sulmet ndaj bregdetit shqiptar, të cilat i kemi trajtuar më parë (shiko gazeta Standart, Dinakët, dt 15 mars 2011). Këtu nis edhe një nga gabimet që bën historia e Shqipërisë, por edhe disa autorë perëndimorë. Kështu, teksti i Historisë së Popullit Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave, botuar në Tiranë në vitin 2002, në faqen 224, thotë se ‘’pas pushtimit të Barit, Robert Guiskardi arriti të bashkojë të gjitha zotërimet e princave normanë, të Italisë së jugut dhe krijoi me to një mbretëri të fuqishme, që menjëherë i hodhi sytë në anën tjetër të Adriatikut’’.
Por e vërteta është se, Roberti jo vetëm që nuk krijoi një mretëri të vetën, por gjatë veprimtarisë së tij, mbajti titullin ‘’ Dukë i Apuljes dhe Kalabrisë’’. Ndërkohë që, pas vdekjes së tij në vtin 1085 trashëgimtari që e pasoi ishte i vëllai Roxheri, i quajtur Roxheri i I-rë, sundimtar i Italisë së jugut.
Pas tij erdhi në pushtet i biri, Roxheri i II-të, i cili në vitin 1130, bashkoi zyrtarisht zotërimin e të atit, Kontenë e Siçilisë me zotërimet e xhaxhait, Robert Guiskardit, siç ishin dukatet e Pulias dhe Kalabrisë, duke krijuar ‘’Mbretërinë e Dy Siçilive’’, me qendër Palermon, vendin ku e kurorëzoi një cardinal i dërguar nga Papa.
Pra, ky është korigjimi që i duhet bërë tekstit të mësipërm, duke theksuar se Mbretëria e normanve e quajtur, Mbretëria e Dy Siçilive, nuk u krijua nga Robert Guiskardi, por nga i nipi, Roxheri i II-të.
Pikërisht ky mbret, Roxheri i II-të, është konsideruar nga historianët si mbreti më i madh norman. Ai jo vetëm mori nga Papa titullin e Mbretit, por themeloi edhe dinastinë mbretërore të altavilave. Nën drejtimin e tij, Palermo, u bë kryeqyteti i Mesdheut, ku u zhvilluan tre kultura, si ajo arabe, normane dhe latine. Roxheri i II-të u shqua edhe si diplomat, ushtarak, ligjvënës dhe administrator i kujdesshëm. Ai nxiti midis të tjerave edhe zhvillimin e ndërtimeve të shumta me karakter laik dhe fetar, si dhe kulturën në mënyrë të veçantë. Por periudha e artë e qeverisjes së tij përfundoi në vitin 1154, kur ai vdiq. Në fronin e Mbretërisë së Dy Siçilive u ngjitën me radhë Guljelmi i I-rë dhe Guljelmi i II-të.
Guljelmi i I-të ishte jo vetëm i fundmit i altavilave, por edhe mbreti i fundit norman, i cili ndërmori pushtime në Shqipëri. Në vitin 1185 ai zbarkoi në brigjet shqiptare dhe në marveshje me strategun bizantin, Gjon Vranën, mori qytetin e Durrësit. Që këtu nëpërmjet rrugës Egnatia, normanët arritën deri në Selanik, por për shkaqe që dihen u tërhoqën përsëri, duke mbajtur vetëm Durrësin dhe disa ishuj të Jonit.
Guljelmi i II-të u shqua edhe si diplomat. Me përpjekjet e tij ai arriti që, pas një shekulli lufte midis normanëve dhe Perandorisë Gjermane, të lidhej një aleancë, e cila u ‘’celebrua’’ me martesën e së bijës, Kostancës, me të birin e Perandorit gjerman, Frederikut Hohenshtaufen, Henrikun e VI-të.
Në vitin 1189, Guljelmi vdiq dhe altavilat, të cilët nuk kishin trashëgimtarë mashkull e humbën pushtetin e fituar dikur me sa e sa sakrifica. Trashëgimtarja e tyre nga linja femërore, Kostanca, bëri që prej martesës së saj, kurora e tyre ti kalonte Hohenshtaufenëve gjermanë. Ky ishte edhe fundi pa lavdi i kësaj familjeje luftëtarësh, për të cilët shkroi dikur edhe Ana Komneni
Komplotistja Ana Komneni.
‘’Perandori i shoqëruar nga latinët e kontit Brieni, që kishte kaluar në anën e tij, u kthye në kryeqytet me dafinat e fitores. Ishte data një dhjetor në indiktin e shtatë (viti 1083 ). Ai e gjeti perandoreshën me dhimbjet e lindjes në dhomën e caktuar kohë më parë….Paraardhësit tanë e quanin atë Porfyra, prej nga vjen emri Porphyrogenitus. Në mengjes (ishte ditë e shtunë ) atyre u lindi një vajzë, që i ngjante babait të vetë. Kështu u tha gjithandej. Kjo foshnje isha unë’’. ( A. Komneni, Aleksiada, VI.7 ).

Ana Komneni, e vetmja historian femër bizantine, është pa dyshim edhe një emër i njohur në Historinë e Shqipërisë. Në veprën e saj, ‘’Aleksiada’’, ajo i kushton faqe të tëra historisë mesjetare të Shqipërisë. Historia e Popullit Shqiptar, i cili është teksti bazë i historisë sonë kombëtare, i botuar nga Akademia e Shkencave në vitin 2003, e citon atë në pesë raste, përkatësisht në faqet: 211, 225, 226, 347 dhe 356, ku midis të tjerave jep edhe pasazhe të shkruara prej saj, për Fushën Ilirike, Durrësin, Shkodrën, qytetet e tjera të Arbërisë, luftimet normano-bizantine, etj.
Në librin e tij, Historia e Perandorisë Bizantine, të botuar në Tiranë, në vitin 1997, ( përkthyer nga Pëllumb Xhufi ), Georg Ostrogorski, një nga bizantologët më të njohur, na jep ne faqen 252 një jetëshkrim të shkurtër të saj. Midis të tjerave në ligjëratë të drejtë, Ostrogorski shkruan: ‘’Ana Komnena, vajza e zgjuar dhe e ditur e perandorit Aleks I ( 1081-1118 ) në veprën Aleksiada shkruajti hisorinë e të atit që nga fillimi, e deri në vdekjen e tij ( 1069-1118 ). Princesha që ishte e shkolluar sipas modeleve klasike dhe që e njihte mirë historografinë, poezinë e filozofinë e lashtë greke, e shkruajti këtë vepër me një stil të kërkuar dhe arkaik: ajo nuk përfaqson vetëm një moment të rëndësishëm të humanizmit Bizantin, por edhe një burim historografik të dorës së parë. Rrëfimi i hollësishëm i Anës përbën bazën kryesore të njohurive tona. Mbi lëtë periudhë të rëndësishme në të cilën realizohet restaurimi i Perandorisë Bizantine, takimi i Perëndimit me Bizantin gjatë kryqëzatës së parë, luftërat me normanët dhe me popujt e stepave të veriut dhe të lindjes. Prirja për panegjirizëm e Aleksiadës dhe kufizime të tjera të saj, ndër të cilat duhet vënë në dukje konfuzioni kronologjik, kompesohet nga gjerësia dhe shumllojshmëria e informacionit, që autorja ishte në gjendje të siguronte falë pozitës dhe etjes së madhe për dije. Një përpjekje për të shkruar histori bëri edhe burri i anës, Çezari Niqifor Brieni, nipi i atij Niqifor Brienit që ishte ngritur si antiperandor kundër Mihal Dukës dhe Niqifor Botaniatit’’.
Kështu pasazhe të rëndësishme të Aleksiadës në gjuhën shqipe janë botuar të përkthyera tek vëllimi tjetër i Akademisë së Shkencave, Burime Tregimtare Bizantine Për Historinë E Shqipërisë, botuar në Tiranë në vitin 1975. Në pesëdhjetëegjashtë faqet e tij ( fq 71-127 ) jepet një biografi e Ana Komnenit dhe ngjarjet historike që nisin me kryengritjen e Proedrit Niqifor Brieni, Dukë i themës së Durrësit kundër Perandorit bizantin, kryengritja e Dukës tjetër të Durrësit Niqifor Baziliakut, e deri tek luftimet e Aleks Komnenit kundër normanëve të Robert Guiskardit dhe Boemundit.
Por Ana Komneni nuk ishte në të vërtetë ajo që përfytyrojmë ne sot, duke u mbështetur tek shkrimet e saj, si një femër intelektuale, e miredukuar, tolerante dhe e ekuilibruar. Në radhë të parë ajo ishte një grua ambicioze me prirje të theksuara politike, tipike bizantine, ashtu siç ishte edhe formimi i saj kulturor.
Pikësëpari, fati që e kishte përcaktuar atë, për tu bërë një ditë perandoreshë e Bizantit ndryshoi shpejt kah. Por Ana Komneni nuk u pajtua me të. Shumë shpejt ajo ju ‘’përvesh’’ punës që të bëhej me çdo kusht zonja e vërtetë e pallatit perandorak të ‘’vllahernëve’’. Por le ti referohemi përsëri historisë, për të nxjerë në pah karakterin e familjes së Komnenëve nga rridhte edhe Ana.
Aleks Komneni ishte përfaqsues i një familjeje që i përkiste aristokracisë ushtarake bizantine. Sipas Ostrogorskit ( fq 24 ) karriera e tij nisi si gjeneral perandorak, kur në Bizant sundonte perandori Mihal VII i dinastisë Duka. Ai u tregua shumë i suksesshëm në shtypjen e revoltave ushtarake të cilat synonin rrëzimin nga froni i perandorit. Të tillë ishi çezari Johan Dukas, Strategu Ursel (1074 ), dhe më pas, dukët e Durrësit Niqifor Brieni ( 1077 ), dhe Niqifor Baziliaku ( 1078 ). Më pas ai u vu në shërbim të Perandorit të ri Niqifor Botaniati, i cili nuk e pati të gjatë Sundimin. Aleksi u martua me Irena Dukën, trashëgimtare e dinastisë që kishte qenë në pushtet, për të legjimituar sadopak lidhjet me familjet e ish perandorit Mihal VII Duka ( Ostrogorski. Historia e Perandorisë Bizantine, fq 245 ) dhe pasi e detyroi perandorin aktual Niqifor Botaniati të abdikonte, u shpall perandor në 4 prill 1081. Në vijim të politikës së forcimit të pushtetit të tij, Aleks Komneni, ‘’futi’’ në lojë edhe të bijën, Anën, të cilën e ktheu në ‘’instrument’’ të saj.
Ja seç thotë përsëri në Historinë e tij të Bizantit, Georg Ostrogorski. ‘’Në fakt, Aleksi, I cili dikur erdhi në fuqi falë aleancës me familjen Duka, fillimisht emëroi si pasardhës të tij djaloshin Kostandin Duka, djalë I Mihalit VII, të cilin e kishte fejuar me vajzën e madhe Anën. Por me lindjen e djalit të parë, Joanit, Perandori Aleks ia kaloi këtij të fundit të drejtën e trashëgimnisë ( 1092 ). Me këtë akt kryhej akti vendimtar për themelimin e dinastisë së Komnenëve dhe kur pak më vonë djaloshi Kostandin Duka vdiq, çdo penges për të siguruar vazhdimësinë e fronit u duk se u zhduk. Por një zgjidhje e tillë plagosi sedrën tepër të ndjeshme të princeshës Ana. Pas vdekjes së parakohëshme të të fejuarit të saj, ajo u martua me Niqifor Brienin ( 1097 ) dhe shpresonte që froni perandorak ti kalonte burrit të saj ( fq 266 ).
Kështu pak e nga pak krijohen rrethanat e ‘’komplotit’’ të princeshës Ana Komneni për të marrë pushtetin brenda gjirit të familjes perandorake. Pra, motra ngrihet kundër vëllait për shkak të sedrës dhe ambicjes, shembull tipik i luftërave për pushtet në Bizant. Për këtë rast Ostrogorski midis të tjerave shkruan se: ‘’Perandoresha Irenë, që në fillim nuk përfillej prej tij fitoi me kohë ndikim të madh mbi Aleksin. Në çështjet e trashëgimnisë së fronit ajo u shpreh kundër djalit të vet, Joanit, dhe në favor të vajzës së preferuar Anës e të burrit të saj, Çezarit Brien. Nënë e bijë u bashkuan në përpjekjet për ta bindur Aleksin tia kalonte të drejtat sovrane Brienit. Ai u torturua gjer edhe në shtratin e vdekjes nga lutjet dhe presionet e dy grave. Pa guxuar të shrehej qatrë, Aleksi gjithsesi veproi në mënyrë të tillë që kurora ti kalonte të birit dhe ky qe mjaft i vëmendshëm e i vendosur për ti vënë në vend të drejtat e veta. Por për shkak të intrigave të së ëmës dhe të së motrës, hipja në fron e trashëgimtarit të ligjshëm mori trajtat e një grushti shteti. Ana nuk u pajtua me fatin e saj. Ajo kurdisi një komplot kundër të vëllait dhe kur edhe kjo përpjekje e fundit dështoi, u dorëzua dhe u përpoq të gjejë ngushëllim në studimet e saj. Gjatë kësaj tërheqje të detyruar ( ajo u mbyll në një manastir ) dhe shkruajti historinë e të atit, të famshmen Aleksiada, që e bëri të pavdekshëm emrin e saj’’.
Nqs nuk do të kishte kompotuar, Ana Komneni nuk do të ishte bërë ajo që ‘’është sot’’. Dështimi në politikë dhe ëndërra e parealizuar për tu veshur me ‘’purpur’’ e shdërroi atë në një shkrimtare dhe historiane. Kështu e njeh edhe Historia, për pasazhet e pafund të saj kushtuar të atit, babait që dikur i hapi rrugën drejt pushtetit të premtuar dhe që më pas ja mohoi atë përfundimisht.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.