Onufri, Firence dhe tema ikonografike e Trinisë së Shenjtë me tri fytyra

Onufri, Firence dhe tema ikonografike e Trinisë së Shenjtë me tri fytyra

171
SHPËRNDAJE

Një nga gjërat për të cilat u diskutua ishte doktrina e Trinisë, ku klerikët ortodoksë pranuan se Shpirti i Shenjtë procedon jo vetëm nëpërmjet Atit, por dhe nëpërmjet Birit, që për latinët quhej Filoque (Nora Hamerman, The Council of Florence.

Në shekullin XVI, Berati ishte një nga qytetet më të rëndësishme të hapësirës arbërore. Sipas një dekreti sulltanor, qytetarët e Beratit ishin të lirë të mbanin besimin e tyre, të ndiqnin zakonet dhe ritualet e tyre (Zija Shkodra, Esnafët shqiptarë, 1973). Kështu rasti i Beratit dëshmon një rritje të popullsisë kristiane, ku nga viti 1431, me rreth 175 shtëpi të krishtera dhe në fillim të shekullit XVI, numri i tyre shënon 561, (Shkodra, Esnafët …) duke treguar se mjedisi ekonomik e social ishte i favorshëm për vazhdimësinë e traditës së pikturimit të ikonave e të kishave: prania e ateliesë së Beratit e konfirmon një gjë të tillë. Krahas ndryshimeve dhe zhvillimeve ekonomike, arti ikonografik kishtar tregon nivel të lartë e një pjekuri artistike. Studiuesit kanë shkruar për atelienë e Beratit dhe për artin e Onufrit që vazhdoi të reflektohet deri tek ikonografët e fundit të shekullit XIX. I biri i Onufrit, Nikolla dhe Onufër Qiprioti, dy pasuesit e tij, u ndikuan dhe u formuan nga arti i tij ikonografik. Arti i shekujve XVI-XVII pati jehonë dhe te piktorët e shekujve pasardhës. Me të drejtë do të shkruante një murg, Teofili, në një manual të pikturës bizantine se teknika dhe metoda e artistëve bizantinë mund të merrej vetëm duke i parë artistët gjatë punës në atelietë e tyre. (A. L., Frothingham, Byzantine Artists in Italy from the Sixth to the Fifteenth Century, 1894) Duke analizuar aspektet artistike të krijimtarisë së Onufrit vërejmë se aty rrezaton arti i shkollës së Kretës dhe Venecias, tradita e vjetër e Kostandinopojës, arti i Paleologëve. Jo vetëm këto shkolla artistike luajnë një rol të rëndësishëm, por gjithashtu elemente të huazuar nga arti i Rilindjes fiorentine, janë prezente në artin ikonografik të tij. Krijimtaria e Onufrit që u shtri në hapësirën kohore të gjysmës së parë të shekullit XVI në Shqipëri, dallohet për një vizatim kaligrafik të figurave elegante, i draperive virtuoze, raportit harmonik i toneve të së kuqes, por dhe raporti dizonant midis tyre, si në rastin e përdorimit të së purpurtës me jeshilen apo të kuqes me blunë, kur pikturon mantelin e kuq dhe hijen e trajton me blu. Brenda një harku kohor prej 19 vjetësh (1535-1554), Onufri pikturoi muret e kishës Shën Nikolla në qytetin e Zrzes (1535, Maqedoni), afresket e kishës së Shën Apostujve (1547) dhe në kishën e Anargjirëve në Kostur, afresket e kishës së Shën Nikollës në Shelcan të Elbasanit, afresket e kishës së Shën Todhrit në kalanë e Beratit, afresket e kishës së Shën Premtes në Valësh të Elbasanit (1554), në Kërçovë, në manastirin Moldovitsa në Moldavi, si dhe shumë ikona për ikonostaset e kishave, të cilat i atribuohen atij (për aktivitetin e Onufrit shih: Puzanova, Popa, Drakoupulo, Jakumis, Arapi, Babic, Garidhis, Gounaris, Buschausen, Valentini etj.). Duket se përtej këtyre të dhënave të derimëtanishme, (kryesisht nga mbishkrimet, si dhe nga hipotezat e studiuesve), mund të shohim se krijimtaria e Onufrit shtrihet edhe më gjerë. Për herë të parë po sjellim një dorëshkrim, i cili gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit. Ky dorëshkrim, i cili mban datën 20 gusht 1935, është lënë nga një prift dhe ruhet në dosjen e kodikëve të esnafëve të gëzofçinjve të Elbasanit, që i përket fondit të Kodikëve të Esnafëve të Elbasanit (fondi nr. 80, dosja 1, fleta 214). Dorëshkrimi thotë se O nga Selta ka zografisur të gjitha ikonat e Shpatit dhe ato të Stërstanit, si dhe kishën e njohur të Shijonit që u shemb. Kisha e Shelcanit ka shkrimin O (pMina). Onufri nga Selta ka pikturuar të gjitha afresket e Shpatit dhe ato të Stërstanit, si dhe kishën e njohur të Shijonit që u shemb. Kisha e Shelcanit ka dhe në proskomidhi shkrimin: Hieromonak Onufri. Prifti Mina.
Dorëshkrimi është shkruar me disa fjalë shqip e disa greqisht. Ashtu siç tregon data, është relativisht i vonë. Mendojmë se mund të jetë një gojëdhënë e Elbasanit, e cila është mbledhur e më pas është ruajtur në kodik. Shohim se aktiviteti i Onufrit si ikonograf mund të jetë shtrirë pothuajse në të gjithë zonën e Shpatit, e të Elbasanit, ku shtohet kisha e manastirit të Shijonit dhe kishat e fshatit Stërstan. Midis hipoteza të ndryshme të origjinës së Onufrit, si nga Elbasani, Berati, Venediku, Argosi, shtohet dhe një tjetër, Selta e Shpatit. Për sa i përket pjesës së ikonave të Shpatit (fjala ikonë nënkupton dhe afreske), del në pah se kisha e Shijonit mund të jetë shembur pas pikturimit të saj nga Onufri dhe më vonë mund të jetë ngritur në shekullin XVIII, ku Konstandin Shpataraku pikturoi ikonat e ikonostasit, të cilat u dogjën më 1944 (Theofan Popa, Piktorët mesjetarë shqiptarë, 1961).

Një informacion tjetër që vjen nga ky dorëshkrim është se kur Onufri ka pikturuar kishën e Shelcanit, ai është ende hieremonak. Mbishkrimi që gjendet akoma sot mbi faqen e murit verior të kishës ndodhet brenda në atë dhomë mbi një kamare katrore të vogël, ku Onufri shkruan: Kur të ngresh duart e tua nga perëndia, o meshtar i perëndisë, më përmend dhe mua mëkatarin e të paditurin piktor Onufrin (Th. Popa, Piktorët mesjetarë …). Nga inspektimet dhe restaurimet e kryera gjatë viteve në këtë pjesë të kishës, nuk rezulton asnjë mbishkrim tjetër, përveç asaj që përmend Popa. Nga mbishkrimi i parë, ku Onufri e shënon veten prift e protopapë të Elbasanit, në kishën e Shën Apostujve në Kostur, e duke marrë për bazë studimin e Bosko Babiç për kishat e Onufrit në Prilep, mund të jetë një hipotezë se kisha e Shën Kollit në Shelcan të jetë pikturuar gjatë periudhës 1535-1547. (Shih , – , , 1980)

Ndonëse Onufri ruan ikonografinë bizantine, ai huazon elemente të artit perëndimor të rilindjes italiane. Popa vëren një ngjashmëri të trajtimit piktorik në vështrimin e profetit David të Onufrit, me paraqitjen e Zotit te Mikelanxhelo (1511, Romë) në kapela Sikstina, si dhe ngjashmëri me Platiterën e kishës së Valëshit, me figurën e Shën Mërisë në artin perëndimor. (Th. Popa, Piktorët mesjetarë …) Sipas Garidhit, në skenën Vajtimi në kishën e Shën Apostujve, në Prilep, Shën Mëria në ndryshim nga skena ikonografike bizantine nuk ulet të vajtojë pranë varrit të Krishtit, por e mban në duar trupin e djalit të saj, gjë e cila vjen si një ndikim nga piktorët italianë. (shih: . (1450-1600). “ ”, 2007.) Kjo skenë ngjason me skenat e piktorëve të rilindjes së hershme, si Giotto apo dhe me piktorë të tjerë të vonë të rilindjes italiane dhe asaj të Europës veriore. Me interes është paraqitja e shenjtorit Shën Gjergj, në kishën e Shën Apostujve në Kostur (1547, Greqi). Shën Gjergji është pikturuar me një shpatë, e cila nuk gjendet në ikonografinë e këtij shenjtori. Kjo shpatë e harkuar në pjesën e trupit, si dhe në pjesën e sipërme të saj, nuk është pjesë e ikonografisë bizantine të Shën Gjergjit. Shpata e përdorur prej Onufrit ngjason me shpatën mesjetare fiorentine falkion të shekujve XV-XVI. Ndryshe nga shpata e drejtë apo heshta që gjithmonë paraqitet Shën Gjergji në ikonografi, ngjason me atë që mban në dorë Shën Gjergji në tablonë e Raffaello Sanzio-s (San Giorgio e il drago, 1505), të Mërkurit te tabloja e Botticelli-t (Primavera, 1482), si dhe kryeengjëlli Mëhill i pikturuar nga P. Pollaiolo (San Michele archangelo e il drago, 1465). Disa vite më vonë kjo shpatë do të jetë pjesë e ikonografisë së piktorit kretas Damaskinos në ikonën “Prerja e kokës së Pagëzorit”. Duhet të nënvizojmë se të gjithë këta piktorë italianë që përmendëm më sipër, aktivitetin e tyre artistik e kanë pasur gjerësisht në Firence. Duke vazhduar traditën e të atit, në kishën e Shën Vllahernës (1597), Nikolla, i biri i Onufrit, e pikturon Shën Mëhillin me një shpatë të ngjashme. Të njëjtin element e vëmë re dhe te piktorë anonimë aktivë në Shqipëri të shekullit XVII. Elementet e peizazhit arkitektonik të qyteteve italiane e veçanërisht ato fiorentine, ndihen tek afresket e Kishës së Shën Apostujve në Kostur. Në harqet ku vendosen shenjtorët, sipërfaqja e pikturuar të kujton venaturat e mermerit. Studiues kanë vënë re ngjashmëri të peizazhit arkitektonik të Venecias, kolonat dhe harqet e thyera gotike në ikonat e pikturuara nga Onufri e Onufër Qiprioti. Krahas tyre mund të shtojmë se sipërfaqja me venaturat e mermerit dhe kolona në formë spirale të përdredhura, të kujtojnë arkitekturën e monumenteve fiorentine, ku Toskana ishte qendra par exellence e prodhimit të mermerit dhe implementimin gjerësisht të këtij materiali në pjesën më të madhe të ndërtesave.

Onufri trajton një temë të veçantë e të rrallë, atë të Trinisë së Shenjtë me tri fytyra, që mbetet pothuajse i vetmi që e trajton këtë temë në të gjithë Ballkanin e shekullit XVI ( . …). Pas tij tema ikonografike e kësaj tipologjie do të kthehej në vëmendje të ikonografëve që vepruan në Shqipëri, si në shekullin XVII, ashtu dhe në shekullin XVIII. Sipas Popës, Trinia e Shenjtë me tri fytyra ose Krishti me tri fytyra, ka qenë e pikturuar nga Shpataraku në pikturën miniaturë, si dhe në një nga ikonat e vëllezërve Çetiri, në ikonostasin e Kishës së Shën Thanasit në Karavasta të Lushnjës (fatkeqësisht ikonostasi është zhdukur pothuajse komplet. Së fundmi, kjo kishë u restaurua në dhjetor 2015), por për fat të keq kjo ikonë nuk ekziston më, ashtu siç sot nuk është ruajtur as ikona miniaturë e Konstandin Shpatarakut (Th. Popa, Piktorët mesjetarë …). Në Muzeun Onufri të Beratit është e ekspozuar një ikonë e një piktori anonim, që i përket shekullit XVII. Kjo ikonë vjen nga Kisha e Shën Nikollës e fshatit Paftal në Berat. Në ikonë paraqitet Shën Mëhilli dhe në dorë mban skeptrin e fuqisë, me të cilin mposht Djallin që ka nën këmbë. Në anën tjetër mban mburojën e kuqe ku paraqitet Trinia e Shenjtë me tri fytyra, e rrethuar nga rrezet e dritës që përhapen. Përdorimi i kësaj teme përbën interes për studimin e ikonografisë në Shqipëri, sepse tregon vazhdimësinë e kësaj teme ikonografike në shekullin XVII, por gjithashtu duket se arti i Onufrit ndikoi tek ikonografët pasardhës, të cilët morën si model prej tij elemente ikonografike për t’u ndjekur: arti i Onufrit ka shërbyer si shembull për piktorët pasardhës, të cilët e ndoqën stilin e tij deri në shekullin XIX. Kjo temë ikonografike shtrihet për një periudhë kohore, duke filluar nga shekulli XVI e deri shekullin XVIII, duke treguar se ishte një temë e preferuar, nëse mund të themi kështu, tek ikonografët që vepruan në Shqipëri. Gjithashtu përbën risi në ikonografi vendosja e Trinisë me tri fytyra në mburojën e Shën Mëhillit. Një shembull tjetër i Trinisë me tri fytyra gjendet në Kishën e Shën Nikollës, në fshatin Vuno. Trinia është e pikturuar në ikonostas, e rrethuar me lavde (falënderojmë Arben Biçokun, për këtë informacion të vlefshëm, si dhe për foton).

Gjatë shekullit XIV, kur kjo temë gjeti përhapje, ekzistojnë kisha që mbajnë emrin e saj, si e Shën Trinisë në Berat (shek. XIV) dhe ndoshta më herët, me këtë emër mendohet të jetë quajtur më parë Kisha e Manastirit të Shën Joan Vladimirit në Shijon të Elbasanit. Për Shufflay, më parë se të ndërtohej manastiri i ri nga Karl Topia më 1381, kisha i përkiste urdhrit benediktin (shih: Milan ufflay, Situata të kishës në Shqipërinë paraturke: zona e depërtimit ortodoks në “digën” katolike, 2013). Ndjekësit e këtij urdhri qenë flamurtarë të vërtetë të Trinisë së Shenjtë (Pasquale Iacobone, Mysterium Trinitatis. Dogma e Iconografia nel’Italia Medievale, 1997). Në shekullin XIV, mendimi trinitar në botën katolike shtrihet kudo dhe si pasojë ndërtohen mjaft kisha, manastire që i dedikoheshin Trinisë (P. Iacobone, Mysterium Trinitatis …). Për Garidhin, Trinia me tri fytyra i detyrohet si përhapje, shqiptarëve të vendosur në Napoli. Ai shprehet se kontaktet midis Italisë së Jugut dhe Shqipërisë lejonin futjen e temës së Trinisë së Shenjtë në pikturën ortodokse të Ballkanit. Garidhi nuk jep një arsyetim të qartë, pavarësisht se në mbretërinë e Napolit, nën dominimin anzhuin ka pasur një vëmendje ndaj Trinisë me tri fytyra. Sipas një legjende, në qytetin Monte Sant-Angelo në Gargano (Puglia, 1221), një murg pati një vizion gjatë lutjes së Trinisë, ku i shfaqet një figurë me tri fytyra (shih P. Iacobone, Mysterium Trinitatis …). Shenjtërorja e malit në Gargano ka qenë një nga vendet e pelegrinazhit, ku kisha-shpellë (shek. V), i dedikohej kryeengjëllit Shën Mëhill. Ky vend pelegrinazhi vizitohej nga shumë murgj benediktinë e midis tyre dhe murgjit arbërorë arbanensis (M. ufflay, Situata të kishës …). Marrëdhëniet e arbërorëve me këtë vend duhet të kenë qenë të ngushta, ku përveç pelegrinazhit, Monte SantAngelo, pas ndihmesës që i jep mbretit të Napolit Gjergj Kastriot Skënderbeu, i kalon në pronësi atij (Kasem Biçoku,Skënderbeu dhe Shqipëria në kohën e tij, 2005). Një paraqitje e Trinisë me tri fytyra gjendet në Monte Sant-Angelo në Gargano, ku familja Durazzo, pinjolle e dinastisë anzhuine, porositën gdhendjen e Trinisë së Shenjtë (shek. XIV) (Maria Stella Calò Mariani, Lesperienza gotica e il Gargano. La scultura, 2011). Trinia paraqitet figurë komplet, si bashkimi i tre personave në një trup dhe është e gdhendur në relievin shkëmbor. Trinia me tri fytyra qëndron ulur mbi një fron, e në të djathtë mban librin e hapur. Në këtë aspekt shohim se mund të jenë me interes marrëdhëniet me qytetin e Monte Sant Angelo dhe rolin e anzhuinëve, në përhapjen e kësaj ikonografike.

Në artin bizantin, një formë e paraqitjes së Trinisë me tri fytyra, është pikturuar për herë të parë në narteksin e Kishës së Shën Mërisë ose ndryshe Kisha e Shën Klementit në Ohër, e ndërtuar më 1295-n nga Progon Zguri, një feudal arbëror në shërbim të Bizantit. Progoni ishte ktitori i kishës dhe asistoi në ndërtimin e saj. Pikturat murale datojnë nga fundi i shekullit XIII dhe fillimi i shekullit XIV (për Kishën e Shën Mërisë në Ohër shih: Jana Poposka, Church Mother of God Peribleptos (st. Clement), 2006; Për Progon Zgurin shih: Pëllumb Xhufi, “Nga Paleologët te Muzakajt, Berati dhe Vlora në shekujt XII – XV”, 2009). Kjo paraqitje e Trinisë me tri fytyra është e veçantë, pasi ajo paraqitet në trajtën e një gruaje. Ajo i shfaqet në ëndërr mbretit babilonas, Nabukodonozor.

Fillimisht Trinia e Shenjtë përmendet në Testamentin e vjetër kur tre engjëj e vizitojnë dhe e lajmërojnëAbrahamin se do ti lindte djalë (Adelheid Heimann, Trinitas Creator Mundi, 1938). Kjo skenë që shoqërohej dhe me titullin “Mikpritja e Abrahamit”, ishte skena tipike e imazhit trinitar. Këtë skenë e realizoi piktori rus, Andrei Rublëv, ku paraqitja e Trinisë me këtë tipologji, u kthye në Rusi si forma më e përhapur e kësaj teme ikonografike.

Paraqitja e Trinisë me tri figura identike nuk u përhap vetëm në botën e artit kishtar të Lindjes, por dhe në atë perëndimore. Paraqitja e saj me tre kokë përbën një pikë kyçe në paraqitjen e doktrinës mesjetare kishtare, ku kjo figurë vjen si një vizion i Zotit si qenie e plotë. Përhapja e ikonografisë së Trinisë me tri fytyra e gjejmë në Ohër, Shelcan, Paftal, Karavasta, Vuno, Prilep, Monte SantAngelo, Andria, Perugia etj.

Trinia e Shenjtë me tri fytyra pikturohet nga Onufri në murin verior të Kishës së Shpërfytyrimit, në manastirin Zrze (1535, Prilep). Në kishën në Zrze, shkruhet te medaljonet “” dhe “” – Trinia e Shenjtë), kurse rreth portretit me tri fytyra kemi “” – Ai që është. Tema ikonografike është pikturuar në gjysmëpllakën e absidës, e rrethuar me katër ungjillorët. Onufri e pikturon këtë temë në faqen lindore të Kishës së Shën Kollit në Shelcan të Elbasanit. Krishti me tri fytyra, ashtu siç e quan Popa, paraqitet brenda një kryqi të rrethuar nga dy figura gjeometrike me një rrethor dhe një romboid, që simbolizojnë dy lavditë, Drita dhe Dija Hyjnore që i atribuohen Zotit. Anash portretit janë paraqitur germat “” – Ai që është dhe në pjesën e poshtme të portretit, në vertikalen e vijës që formon kryqin gjenden germat = (Zoti). Në katër cepat janë të pikturuara simbolet e Ungjillorëve, kau, engjëlli, shqiponja dhe luani. Për Drakopolulon, Onufri e paraqet Trininë, duke eliminuar pjesën e trupit dhe duke paraqitur vetëm tri fytyrat. Por do të shohim në rastet e mëposhtme që gjenden në Firence, se Onufri ka ndjekur në idenë e konceptin artistik e Trinisë, mjeshtrit fiorentinë të shekujve XV-XVI, gjë që tregon ndikimin e tij nga arti i Firences rilindëse.

Gjatë shekujve pati tentativa për ta hequr nga ikonografia, por ajo lulëzon gjatë shekujve XIV-XVI në Toskanë. Këshilli i Firences, i mbajtur më 1439-n, bashkoi autoritet e Kishës së Romës me ata të Kishës së Lindjes, duke cituar Drakopulo, Shën Pjetri e Shën Pali do të pikturoheshin duke mbajtur katedralen e Firences në duart e tyre, si simbol i bashkimit të kishës dhe ideve pro unioniste të kohës (shih: Eugenia Drakopoulou, Comments on the artistic interchange betëeen conquered Byzantium and Venice as well as on its political background).

Një nga gjërat për të cilat u diskutua ishte doktrina e Trinisë, ku klerikët ortodoksë pranuan se Shpirti i Shenjtë procedon jo vetëm nëpërmjet Atit, por dhe nëpërmjet Birit, që për latinët quhej Filoque (Nora Hamerman, The Council of Florence: The Religious Event that Shaped the Era of Discovery, 2016). Kjo gjë i hapi rrugë përdorimit të ikonografisë së Trinisë me tri fytyra, ndonëse në Firence, Trinia ishte një imazh dhe një ide, e cila kishte qarkulluar që në rilindjen e hershme, por kësaj here ajo do të paraqitej ndryshe, vetëm një portret me tri fytyra.

Gjatë shekullit XV, arkipeshkvi katolik i Firences, Antoninus, prift e piktor domenikan, nuk e pranonte këtë imazh. Dikur Antonino pat shkruar një manual pikture, duke thënë se piktorët duhet të realizojnë imazhe që nuk e largojnë mendjen e shikuesit nga mesazhi fetar. Shën Antonino i Firences, i cili e shihte Trininë të paraqitur me një person të vetëm me tre koka, e dënonte duke e cilësuar një përbindësh në natyrën e gjërave. Më vonë për priftin domenikan Savonarola, një nga figurat dominuese të shekullit XV në Firence, imazhi i Trinisë me tri fytyra ishte i mbështetur prej tij. Ashtu siç përmendet nga studiues të kësaj teme ikonografike, nga të parët shembuj të paraqitjes së Trinisë në Firence janë miniaturat e librit Laudario della Compagnia di Sant’Agnes (1320-40, Firence) për këngët e devotshmërisë, të pikturuara nga Pacino di Buonaguida, miniaturist fiorentin dhe ndjekës i Giottos. Libri u kërkua nga shoqëria e Shën Anjezes në Firence, e cila ishte e ndikuar nga mësimet e Shën Françeskut. Pacino, një faqe të librit ia dedikon Trinisë, duke shënuar mbi të La Trinita Beata – Trinia e bekuar. Këtu paraqiten katër tipologji të temës ikonografike të Trinisë: tre engjëjt që takojnë Abrahamin; tre figura identike në veshje e qëndrim të ulur pranë një altari; Ati duke mbajtur kryqin; një figurë e plotë me tri fytyra. Prifti e piktori fiorentin, Fra Filippo Lippi, e pikturon Trininë e Shenjtë në Vizioni i Shën Agustinit (1438, Firence), duke e paraqitur si një portret engjëlli me tri fytyra, që lëshon rreze duke përçuar zemrën e tij. Pas kësaj, rreth fundshekullit XV, në një pjesë altari, pjesë e kishës së Santissima Annunziata, në Firence, paraqitet Trinia e Shenjtë me tri fytyra. E punuar në mermer nga Michelozzo, mund të jetë një nga paraqitjet e para të Trinisë portret me tri fytyra në Firence.

Trinia me tri fytyra e paraqitur në një medaljon dhe e rrethuar me flatra engjëjsh paraqitet në pjesën e Guelfëve, të Kishës së Orsanmichele-s. Kjo kishë, fillimisht e njohur me emrin e San Michele (Shën Mëhilli), i përket dekadës së dytë të shekullit XV. Kjo është vepër e Andrea del Verrochio (për ikonografinë e Trinisë në Firence shih: The Trinity An Interdisciplinary Symposium on the Trinity, Stephen T. Davis. Daniel Kendall SJ. Gerald O’Collins SJ. 2002; P. Iacobone, Mysterium Trinitatis Dogma e Iconografia nel’Italia Medievale, 1997). E vendosur në një nga muret anësore të kishës, aty paraqitet Shën Thomai me Krishtin dhe sipër mbi kënd, e gdhendur në reliev, paraqitet Trinia me tri fytyra. Në fillim të shekullit XVI, prifti e piktori, Fra Bartolomeo, pikturon Shën Mëria me fëmijën, Shën Ana dhe patronët e Firences (1510-1513, Firence), e cila gjendet në Muzeun e Shën Markut në Firence. Mendohet se tema e Trinisë i referohet priftit Savonarola, i cili besonte në paraqitjen e Trinisë në tre persona.

Në dekadën e dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit XVI, Andrea del Sarto e pikturon Trininë e Shenjtë me tri fytyra në mensën e Kishës San Michele (Shën Mëhilli), të San Salvi-t në Firence. Piktura murale nisi në vitin 1511-1519 dhe përfundoi në vitet 1526-1527. Andrea del Sarto e pikturon Trininë me tri fytyra, të rrethuar nga katër medaljone shenjtorësh. Shembulli i fundit që i takon shekullit XVI është nga Agnolo da Bronzino, i cili e pikturoi Trininë e Shenjtë me tri fytyra (1565) në kupolën e Eleonora së Toledos në Palazzo Vecchio në Firence. Bronzino e zëvendësoi stemën e Medicëve-Toledo me portretin me tri fytyra, për të cilën mendohet se vetë Bronzino e ka ndryshuar më pas.

Ashtu si Verrocchio dhe del Sarto që përdorin rrezet e diellit në pasqyrimin e trinisë, një gjë e ngjashme shihet dhe te Trinia me tri fytyra e Shelcanit, si dhe te piktori anonim i ikonës së Paftalit. Para se Onufri të ketë pikturuar në Shelcan, ai mund të ketë ndërmarrë udhëtimin e tij drejt Italisë, në Venecia, e ndoshta dhe në qytete të tjera, siç mund të ketë qenë dhe Firence ndërmjet tyre. Dhe pikërisht më 1547-n, ai lë një mbishkrim në Kostur, ku për studiuesit mendohet se ai të ketë qenë o të jetë formuar në Venedik. Nga shekulli V deri në shekullin XV, artistë murgj bizantinë kanë shkuar vazhdimisht në Itali, të cilët punonin atje, një traditë e vazhduar ndër shekuj (Frothingham, Byzantine Artists …). Kësisoj është e kuptueshme pse shumë elemente artistike e stilistike italiane i gjejmë në artin bizantin e anasjelltas. Kjo traditë e lëvizjes së piktorëve murgj bizantinë drejt qyteteve italiane, shpjegon shkëmbimin kulturor e të pareshtur midis Bizantit dhe Perëndimit.

Duhet të kuptojmë së shkolla e Firences dominoi elitën e pikturës në të gjithë Europën, duke u bërë shembulli i kohës. Përhapja e ikonografisë së Trinisë e tipologjisë me një portret me tri fytyra, e cila gjeti vend në Firencen humaniste, rrezatoi tek arti dhe krijimtaria e nufrit, ndonëse ishte një zbatues i përpiktë i ikonografisë kishtare të lindjes. Ai ndikohet nga fryma e re artistike perëndimore, gjë që reflektohet më pas në korpusin artistik të të gjithë ateliesë së Beratit. Gjatë shekujve që do të pasonin, arti i Onufrit do të kthehej në model për tu ndjekur nga ikonografët pasardhës.

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.