Marshi i nëpunësve të rinj

Marshi i nëpunësve të rinj

44
SHPËRNDAJE

Marshi i nëpunësve të rinj

Nga Petrit Nika

Nëpunës të rinj,
të gjithë me kravata hollake në formë gjarpri,
me frymë revolucionare dhe hormone të ndezura,
nxënës të zellshëm të Apple -s
që në bankat e fillores,
mirënjohës të rastit
bashkëvuajtës të sklerozës sociale,
praktikantë të fitoreve pa bujë
me ushtri ngjyra – ngjyra
të armatosura deri në dhëmbë
me kapitalin surrogat
që polli sistemi në dështim të hidhur,
ndoshta një ditë do t’iu duhet ta grisni
perden që akoma nuk e shihni;
përtej saj do dalin muret e lashta
që nuk i shembën shekujt.

Nëpunës të rinj,
të gjithë pothuaj me kostume blu,
jaka të bardha të ngrira
moda e huazuar nga shefat e parë,
modeli juaj perfekt i suksesit të shpejtë
nëpër rrugët e qytetit reflektohet
me ftohtësinë dhe arrogancën e përligjur të pushtetit;
imazhi juaj perpetum mobile,
pasqyrohet në xhamat e shndritshëm
në vetratat e lokaleve që s’të lejojnë
të ndezësh më një cigare si dikur,
parodizoni me shikimin e një intelektualizmi kalorsiak
klientët e rastësishëm që kthejnë kokën kuriozë
me dyshimin nëse do jenë subjektet e rastit
për vënie para ligjit,
para borxhit të të qenit qytetar,
në një botë që fajëson gjithkënd
për dështimin e vet apokaliptik.

Nëpunës të rinj,
qeshje hokatare,
vështrime tinzare,
nëpër vektorë me intensitet të pallogaritshëm;
mania për të qenë dakord me çdo gjë
që vjen nga lart,
ju shoqëron në rrugë, në sheshe,
në korridore institucionesh invalide,
në zyra, në mbledhje,
në mitingje,
në konferenca,
në udhëtime,
në studimet e ashtuquajtura të masterit,
në work shope,
në trade mark të punës
ku shkëlqejnë curriculum vitae të kopsitura
me radhë të gjata,
me fjalë të ngatërruara,
ku kapërthehet koha dhe gjeografia e botës,
pak shpresë kërkohet,
si pas një vere të thatë,
ku shirat gati nuk vlejnë më

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.