Emigrantë, kaos, vështirësi: kështu lindin supërfuqitë krijuese

Emigrantë, kaos, vështirësi: kështu lindin supërfuqitë krijuese

50
SHPËRNDAJE

“Sa më komode të jenë karriket, aq më keq është. Pa limite jemi të humbur. Eshtë tensioni që prodhon shpikje”

Cfarë e bashkon Athinën, Silicon Valleyn, Vienën dhe hangzhoun kinez? Kanë prodhuar një gjenialitet kolektiv që bazohet mbi diversitetin, çrregullimin, aftësinë dalluese, vështirësitë. Eshtë teza e Eric Veinerit: “Vendet e huaja frymëzojnë më shumë, na e tregojnë këtë Steve Jobs dhe Albert Einstein”

Ka faza të historisë që kryqëzojnë përsosmërinë, momente pjellorie të pamundura për t’u përsëritur: nuhatet një ide, merr formë, bëhet e përjetshme. Pothuaj gjithmonë lind për shkak të nevojave ekstreme, vështirësive. A ekziston një fije që lidh disa lëvizje krijuese të historisë? Dhe a ka kritere të fiksuar që shtyjnë gjeninë drejt shprehjes së saj më të epërme?

Eric Veiner, gazetar amerikan me banim në Uashington, është shkrimtar udhëtimesh dhe ka punuar si korrespondent i jashtëm për radion publike amerikane Npr nga Azia, për disa dekada. Ka shkruajtur “Gjeografia e  gjenisë”, duke udhëtuar në vende qëjanë shndërruar në tokë pjellore për ide unike, duke kaluar nga Athina, tek Firencja e Rilindjes. Deri në Silicon Valley, atdheu i gjenialitetit të kohës sonë, “si dhe një prej mistereve dhe përjashtimeve më të mëdhenj, duke marrë parasysh që shumica e lëvizjeve krijuese të historisë janë formuar në kontekste urbanë dhe me gjallëri të madhe nga pikëpamja kulturore: në Menlo Park, kur nisi Silicon Valley kishte vetëm fusha me kumbulla”, rrëfen Veineri.

Ajo që më interesonte të kuptoja ishte gjeneza e kësaj lloj kulture dhe përse është formuar pikërisht këtu, dhe jo tjetërkund. Ka një arsye të saktë që ka bërë që një lëvizje e tillë të lindë në perëndim të Amerikës, dhe nga ana e kundërt e “snobëve të Bregut Lindor”, dhe jo në vendin më të pasur të SHBA, as në Nju Jork dhe as në Boston”. Silicon Valley lindi në Kaliforni “sepse duhej të ishte një terren i lirë, i hapur”, vazhdon Veiner. “Ajo që e bashkon Firencen e Bruneleskit dhe të Leonardo Da Vincit dhe atë që ndodh sot në Kaliforni, është krijimi i një lëvizjeje idesh kolektive, konkurrueshmërie”.

Sipas Veinerit ekzistojnë katër çelësa të domosdoshëm qëe bën gjeninë, ose më saktë kolektivitetin e gjenive, një superfuqi. “Diversiteti i ideve, çrregullimi – sepse prej kaosit vijnë gjithmonë prurje pozitive inovacioni – aftësitë shquese dhe vështirësitë – domethënë shtytja krijuese që lind prej nevojës”.

Veineri është i interesuar për lidhjen mes vendeve dhe ideve. Harta përfshin Vienën e Bethovenit dhe Londrën shekspiriane. Udhëton në Firence, në kërkim të gjurmëve të Rilindjes, skandalizohet prej numrit të turistëve, shkon të gjurmojë adresat e dyqaneve të artistëve dhe dashurohet pas historisë së Andrea del Verrocchio, mësuesi i Leonardos dhe Peruginos. Në listën e tij është Hangzhou në Kinë, i përshkruar nga Marko Polo si “qyteti më i shkëlqyeshëm dhe i rafinuar i botës” dhe Estonia që ka shpikur Skypen. Gjallëria e kontekstit urban është, sipas autorit, një prej forcave lëvizëse: “Janë qytetet e hapura, kozmopolite, që favorizojnë terrenin e ideve. Duke gjurmuar hartën krijova një ide shumë të qartë të arsyes përse nuk ekzistojnë shembuj të rëndësishëm në vende si Korea e Veriut: në territore të mbyllur, ku nuk ka qarkullim të realiteteve kulturore, idetë kanë vështirësi të madhe të nxjerrin kokë”. Ose për ta thonë sipas babait të fizikës bërthamore, Ernest Rutherford: “Nuk kemi para, jemi të detyruar të mendojmë”.

Ka një tjetër aspekt interesant në eksplorimin e “Gjeografisë së Gjenialitetit”, libër i cili nuk mbërrin asnjëherë në një konkluzion konkret por vazhdon, nga një kapitull në tjetrin, që të shtojë pyetje, të paraqesë të dhëna të thjeshta, lidhje: personalitetet më të spikatur janë pothuaj gjithmonë imigrantë. Veiner përmend Vladimir Nabokovin, Viktor Hygonë, Mari Kyrin dhe Sigmund Frojdin, deri tek shembulli më i fortë: Albert Ajnshtaini. “Viti i tij i mrekullueshëm, 1905, kur botoi plot katër artikuj shkencorë inovativë, ishte pikërisht kur emigroi nga Gjermania në Zvicër”.

Sipas studiuesit, ka një fakttë pangatërrueshëm që humbet në debatin e sotëm mbi imigrimin: “Shumë mendje brilante shpërthejnë në një tokë larg prej shtëpisë. Kjo është sidomos e vërtetë për Shtetet e Bashkuara, një vend që u bë i tillë falë forcës krijuese të “të ardhurve rishtaz”. Sot, banorët e lindur jashtë vendit përbëjnë vetëm 13% të popullsisë së SHBA, dhe janë një e katërta e gjithë çmimeve Nobel që u janë dhënë amerikanëve”.

Po çfarë ka prapa aktit të transferimit në toka të largëta, me dëshirë apo jo? “Kur shtyhemi të japim një arsye, zakonisht përsërisim një retorikë të mërzitshme: imigranti punon fort”. Në vend të kësaj, Veineri përmend këndvështrimin e psikologut Nigel Barber: ‘Të çrrënjosur prej kontekstit familjar, të huajt mund ta shohin botën nga një këndvështrim dhe nga një perspektivë që u lejon të shkojnë përtej talentit të pastër”.

Jemi pjesë e brezit të kulturës digjitale, e megjithatë vendi fizik ku jetohet dhe merret frymë mund të ndikojë në mënyrë të pabesueshme mentalitetin dhe burimet e ideve. “Nuk e di nëse një ditë brezat e ardhshëm do të falënderojnë Silicon Valleyn për shpikje si mediat sociale, ajo që është e sigurtë, është se është krijuar një vend unik në histori”. Autori udhëton në Athinë dhe i dedikon disa faqe dritës së saj: a mund të jetë një prej elementëve unikë që e kanë bërë këtë tok, vend të gjenialitetit? Tek “Gjeografia e Gjenialitetit” shkruhet: “Ky është lloji i dritës që shtyn të kushtosh vëmendje, dhe t’u kushtosh vëmendje gjërave, është hapi i parë në shkallën drejt gjenialitetit”.

Bukuria e një vendi nuk është domosdoshmërisht një element frymëzimi krijues, përkundrazi është një vend i shëmtuar. “Ajnshtaini – rrëfen Veineri – e ka shkruajtur teorinë e relativitetit në një tryezë të pistë kuzhine, në apartamentin e tij në Bernë, ndërkohë që Stiv Xhobs dhe Stiv Vozniak i patë iluminimet e parë në Sunnyvale, një lagje krejt e rëndomtë”.

Nuk janë aspak gjenialë ndërkohë, sipas gazetarit, disa zakone të Silicon Valley si tavolinat e ping pongut dhe ushqimi gratis në kompani, aspekte që Veineri i quan në limitet e qesharakes. “Vër bashkë një tavolinë, dy raketa ping pongu dhe një top në një hapësirë dhe ke bërë një kompani rishtare, një vend të gjallë me ide. Mendoj që punonjësit e një kompanie duhet në fakt të lëvizin, të shkojnë të blejnë drekën duke dalë nga zyrat”. Një studim i kohëve të fundit i Universitetit të Stanfordit ka treguar se edhe një shëtitje pesëminutëshe prodhon më shumë ide krijuese se sa kur qëndrojmë ulur papushim. “Sa më komode të jenë karriket, aq më keq është. Pa limite jemi të humbur. Eshtë tensioni që prodhon shpikje”

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.