Shën e Premtja e Spinaricës: Kisha e braktisur, kujt i përket?!

Shën e Premtja e Spinaricës: Kisha e braktisur, kujt i përket?!

161
SHPËRNDAJE

I vetmi objekt që ka mbetur nga Spinarica mesjetare është kisha e Shën e Premtes. E shpallur si monument kulture që nga viti 1979, ajo sot gjendet gjysmë e rrënuar. I vetmi studim që ekziston për të është ai i bërë nga prof. Aleksandër Meksi në vitet ‘70 të shekullit të kaluar dhe është botuar fillimisht në revistën “Monumentet”

Nga Ilirjan Gjika

Duke theksuar faktin se dikur kishat ndërtoheshin në vende të banuara për t’i shërbyer komunitetit, me të drejtë lind pyetja: Kjo kishë  e ndërtuar në shekujt XIII-XIV, në të njëjtën kohë me ekzistencën e Spinaricës dhe në grykëderdhjen e Vjosës, kujt vendbanimi i përket?!

***

Në Myzeqenë e Fierit, në vendin e quajtur Hoxharë, vetëm dy kilometër nga bregu i Adriatikut ndodhet një objekt kulti i braktisur prej kohësh. Është kisha e Shën e Premtes e cila nga larg të duket si një anije, të cilën vala e detit pas furtunës e ka nxjerrë ne breg. E rrethuar nga të gjitha anët prej arash të mbjella, gardhesh dhe kanalesh, faltorja mesjetare i përngjan më tepër një ishulli tek i cilin nuk mund ta arrish dot. Mungesa e një rruge të mirëfilltë të pengon për ta vizituar atë. E ashtu e braktisur dhe e mënjanuar nga njerëzit ajo qëndron e vetme në mes të fushës duke u përballur prej shekujsh me trillet e natyrës, të cilat ende nuk kanë mundur ta rrëzojnë përtokë. Përpjekja më serioze ka qenë nga njerëzit dhe pikërisht në vitin 1916, kur një luftanije italiane e bombardoi duke e konsideruar si një bunker austro-hungarez. Gjithsesi Shën e Premtja mbeti në ‘’këmbë’’ për të dëshmuar vendndodhjen e Spinaricës mesjetare, qytetit-port, tashmë të zhdukur të Adriatikut jugor.

***

Spinarica që “jetoi” midis viteve 1205-1370, ishte një nga qendrat e rëndësishme ekonomike të Myzeqesë mesjetare. Do të ishin venecianët apo raguzianët që do ta quanin kështu, për shkak të bimës aq të përhapur të Zhukës (Juncus) që mbizotëron në këtë zonë. Me gjethet e saj në formë gjembash që në latinisht përkthehet ‘’spina’’, d.m.th Spinaricë, në shqip ‘’Gjëmbas’’-‘’Vend që të shpon’’ (Gjika-Canaj, Debati mbi lumin e Vjosës. Ku ndodhej Spinarica mesjetare, Gazeta Standard, 11 qershor 2014).

Spinarica u ngrit në grykëderdhjen e lumit Vjosa dhe prej saj importoheshin artikuj luksi si verë, cohëra të ndryshme, armë dhe eksportohej grurë, mel, bathë, mëndafsh apo prodhime të tjera bujqësore dhe blegtorale. Qëllimi i skelës së Spinaricës ishte eksportimi i produkteve bujqësore të fushës së Myzeqesë, që konsiderohej në Shqipërinë mesjetare si “hambari i grurit’’. Por një nga artikujt kryesorë ishte edhe kripa e cila nxirrej me shumicë në kriporen aty pranë. Deri në gjysmën e dytë të shekullit XIV-të, tregu i Spinaricës ishte më i rëndësishmi në Shqipërinë e jugut, për sa i përket tregtisë së grurit. Dokumentet e kohës dëshmojnë për një eksport të madh të tij, që nis nga viti 1276 dhe vazhdon deri në vitin 1345 (Acta Albaniae I. 794, 529).

Në Spinaricë ishin ngritur edhe koloni të tregtarëve veneciane dhe raguziane. Ndërsa zyrat konsullore e të këtyre republikave detare dëshmohet qysh nga viti 1277 ( Acta Albaniae. I. 368, 369, 534). Për t’i shërbyer më mirë trafikut detar do të ngrihej edhe qyteza, ku do të banonin dhe strehoheshin tregtarët, detarët si dhe do të funksiononte edhe rrjeti i shërbimeve, me bujtina, metalpunues, marangozë, nallbanë, etj. Nga dokumentet e ndryshme të shekullit të XIV-të, përmenden edhe disa  banorë të këtij vendbanimi mesjetar, si Mihali i Spinaricës apo i biri i Nikollës së Spinaricës.

Ndërkohë që, përveç tregtisë, Spinarica, kryente funksionet edhe të një porti ushtarak. Fillimisht ajo përmendet në vitin 1205, kur i jepet Venedikut bashkë me Gllavinicën dhe Vlorën (Acta Albaniae. I. 130). Po kështu, Spinarica ishte pjesë e prikës që mori Manfred Hoheshtaufeni, nga martesa e tij me vajzën e Mihalit II, të despotatit të Artës (Acta Et Diplomata. I. 125). Ndërsa në vitin 1277, ajo shërbente si bazë e flotës detare bizantine, nën komandën e sevastit Stano (Acta Albaniae. I. 491). Gjithashtu edhe flota anzhuine gjatë sulmit të saj mbi Berat, në vitin 1279 e ktheu atë në bazë të rëndësishme të saj (A. Duceller. La façade maritime de A’lbanie au Moyen age. Durazzo et Valona du XI au XV siècle. Tessaloniki 1981. f. 252).

Kështu, për vetë rëndësinë që kishte, Spinarica, kaloi gjatë ekzistencës së saj nën zotërimin e Bizantit dhe më pas të Venedikut, Despotatit të Artës, Hohenshtaufenve dhe Anzhuinëve të Napolit, apo mbretërisë serbe. Pas vitit 1370, qyteti-port, nis të mos përmendet më në dokumentet historike (Acta Albaniae. I. 368). Ajo mbeti vetëm një emërtim i përdorur vetëm në hartat dhe portulanët perëndimorë të lundrimit. Duket qartë se pas kësaj kohe, Spinarica, ose braktiset ose ndërron emër, për të humbur për shumë kohë në histori së bashku me vendin e lokalizimit të saj.

***

I vetmi objekt që ka mbetur nga Spinarica mesjetare është kisha e Shën e Premtes. E shpallur si monument kulture që nga viti 1979, ajo sot gjendet gjysmë e rrënuar. I vetmi studim që ekziston për të është ai i bërë nga prof. Aleksandër Meksi në vitet 70 të shekullit të kaluar dhe është botuar fillimisht në Revistën Monumentet, me titullin: ‘’Disa kapela bizantine në vendin tonë (Monumentet, 10, Tiranë 1975), për të vijuar më pas në vitin 1983, në librin e këtij studiuesi: ‘’Arkitektura Mesjetare në Shqipëri’’ (f.122-123).

Sipas tij, kisha e Shën e Premtes është ndërtuar diku në fund të shekullit të XIII-të, fillimi i shekullit të XIV-të. Ajo është një kapelë njënefëshe me planimetri katërkëndëshe. Objekti ka vetëm një hyrje në anën veriore, një absidë prej tre faqesh dhe ngrihet mbi një xokol të ndërtuar me gurë. Nga brenda kisha është mbuluar me qemer ndërsa dyshemeja është e pashtruar me e mbuluar me dhe. Teknika e ndërtimit të saj është e ndryshme dhe për të janë përdorur gurë të marrë nga rrënojat e Apolonisë dhe tulla të kuqe (Meksi, po aty).

***

Për ndërtimin e Shën e Premtes ekzistojnë disa hipoteza. Së pari, kisha mund të jetë ngritur nga venecianët ose raguzianët për nevojat e tyre shpirtërore. Kjo mund të ketë ndodhur pas 20 qershorit të vitit 1210, kur despoti Mihal I i Epirit, i akordoi venedikasve përveçse privilegjeve ekonomike edhe privilegje shpirtërore. Midis të tjerave në të thuhet se në të gjitha tokat e tij venedikasit: ‘’… le të kenë ku të duan kishën, kurjen dhe fondikun dhe të gjitha nderimet e tjera shpirtërore ashtu dhe tokësore’’ (Acta Et Diplomata. I. 140). Marrëveshja midis territoreve që përfshin kjo marrëveshje është edhe kartularati i Gllavinicës, pjesë e të cilit ishte edhe Spinarica.

Ndërsa hipoteza e dytë, thekson se kisha mund të ketë qenë ndërtuar nga bizantinët, kur Spinarica ishte nën zotërimin e tyre. “Spinarica ishte porti kryesor ku evadoheshin produktet e Despotatit të Beratit në drejtim të Venedikut dhe Raguzës. Domethënë ajo shfaqej si një treg shtetëror i këtij Despotati,– thekson historiani Pëllumb Xhufi për të (P. Xhufi. Nga Paleologët tek Muzakajt, Sh. B. 55, Tiranë 2009, f. 35-36).

Ndërsa një tjetër prove, se kisha e Shën e Premtes ishte kisha apo një nga kishat e Spinaricës, është se ajo ndodhej pranë shtratit të dikurshëm të Vjosës. Këtë na e dëshmon edhe shkrimtari Aristotel Mici, në shkrimin e tij ‘’Rreth Portit të Mundshëm Detar të Apolonisë’’, ku midis të tjerave shkruan se: ‘’Ashtu si e mbaj mend, deri në vitin 1955, kur e kam vizituar tok me shkrimtarin Jakov Xoxa, kisha e Shën e Premtes ngrihej në një vend gjysmë të shkretë, në bregun e majtë të Lumit të Vdekur, afër grykës së tij’’ (Aristotel Mici, ‘’Rreth Portit të Mundshëm Detar të Apolonisë’’, Dielli, 16 gusht 2014). Kështu, mund të themi se ‘’Lumi i Vdekur’’ nuk është gjë tjetër veçse shtrati i dikurshëm i Vjosës, i cili kalonte fare pranë kishë, gjë që vërteton edhe njëherë tezën, se këtu dikur ndodhej Spinarica. Edhe studimi i kishës së Shën e Premtes nga Aleksandër Meksi, e përforcon një gjë të tillë. Në studimin e mësipërm, studiuesi i njohur i monumenteve të kultit, kur bën përshkrimin e terrenit dhe të themeleve të saj, midis të tjerave thekson: ‘’…duke filluar nga dera e deri në anën perëndimore themeli është gati një metër më i ulët duke zbuluar themelet e kishës në këtë anë. Duket se këtu ka qenë bregu i kënetës’’ (Aleksandër Meksi, Monumentet, 10, Tiranë 1975, f. 85). Pra, i kënetës të cilët e krijonte lumi i Vjosës që kalonte pikërisht aty, duke lënë si dëshmi edhe shtratin e quajtur nga vendasit si ‘’Lumi i vdekur’’. Por, duke theksuar faktin se dikur kishat ndërtoheshin në vende të banuara për t’i shërbyer komunitetit, me të drejtë lind pyetja. Kjo kishë  e ndërtuar në të njëjtën kohë me ekzistencën e Spinaricës dhe në grykëderdhjen e Vjosës, kujt vendbanimi i përket?!

Ndërkohë që kisha e Shën e Premtes mban emrin e njërës prej shenjtorëve të kishës, që njihet si shëruese dhe përkujtohet në kalendarin kishtar çdo 26 korrik. Ndoshta në këtë pjesë të Myzeqesë, ku si në të gjithë ultësirën pranadriatike të Shqipërisë, ishin dikur evidente sëmundje të tilla si malaria, njerëzit kishin nevojë për besim dhe shpresë. Kështu, kisha e Spinaricës u pagëzua prej banorëve apo ndërtuesve të saj me emrin e Shën e Premtes, me idenë, se shenjtorja-shëruese, do t’i mbronte ata nga sëmundjet dhe epidemitë të cilat gjatë mesjetës bënin kërdinë. Si qytet-port, ajo do të mbronte edhe detarët që ktheheshin nga udhëtimet në det, ku mungesa e kushteve higjienike dhe ushqimet i bënin ata ndër më të prekurit.

Duhet theksuar se dihet shumë mire, që murtajën në Europë e sollën dikur nga Krimea, marinarët gjenovezë në shekullin XIV. Ishin pikërisht minjtë e hambarëve të anijeve ata që e bartën virusin vdekjeprurës së ‘’Vdekjes së zezë’’, nga e cila u zhduk 1/3 e popullsisë së atëhershme të Europës ( Zhak Le Gof, Qytetërimi i Perëndimit Mesjetar, Toena, Tiranë 1998, f. 505) . Prandaj ngritja e kishave me funksione të tilla ishte një praktikë e njohur edhe në këtë rajon të vendin tonë.

4

Për të vërtetuar plotësisht se Spinarica ndodhej këtu, pranë kishës së Shën e Premtes, le të rendisim me radhë disa argumente. Si fillim, mund të themi se ky qytet-port, gjendej pranë Apolonisë. I pari që e mbështeti këtë ide ishte albanologu Milan Shuflai. Në librin e tij ‘’Serbët dhe Shqiptarët’’, midis të tjerave ai shkruan se: “Si shembull i Dukles është Apolonia në jug….Me banorët e saj u mbushën qytetet e vogla që gjenden rreth e qark, bazën e të cilave e përbënin kështjellat bizantine. Kështu u formua Spinarica e kohëve të mesme mbi lumen e Vjosës…’’ (Milan Shuflai, Serbët dhe Shqiptarët’’, Bargjini, 2001, f. 82). Këtë gjë na e vërteton edhe dokumenti i datës 15 nëntor 1297, të cilin e citon Pëllumb Xhufi te libri i tij ‘’Nga Paleologët te Muzakajt’’. Sipas tij: “Një anije raguziane e nisur nga Durrësi, u detyrua për një avari të ankorojë në vendin e quajtur Slanicë pranë Spinaricës. Këtu u shkarkua ngarkesa me mall, që pastaj u shpërnda në shtëpitë e Buvalcariorum de la Polina… Polina është emri mesjetar i Apolonisë së lashtësisë dhe i Pojanit të sotëm” (Acta Albaniae. I. 528-shiko tek P. Xhufi, Nga Paleologët tek Muzakajt, f. 135). Ndërkohë që Sllaniku ndodhet sot disa kilometra në Jug-Perëndim të kishës së Shën e Premtes në fshatin Boçovë (Fier). Pra nga citimi del se midis Sllanikut dhe Polinës ndodhej Spinarica (Shën e Premtja).

Ndërkohë që disa autorë të tjerë argumentojnë tashmë, se Spinarica mesjetare nuk është gjë tjetër veçse porti i dikurshëm i Apolonisë antike. Nëse përpara tre dekadash do të theksohej, se për vendndodhjen e Spinaricës nuk kishte të dhëna  materiale dhe për këtë mund të merrej në konsideratë hipoteza e Dyseliesë, që e vendoste atë rreth Zvërnecit të sotëm, tanimë kushtet kanë ndryshuar. Ekzistenca e kishës së Shën e Premtes tregon shumë. Ajo së bashku me të dhënat që ofrojmë janë një tregues i qartë në favor të tezës sonë. Dhe kështu, së bashku me Apoloninë fqinje, Spinarica, do të jetë një vlerë e shtuar edhe e turizmit kulturor në këtë trevë të bashkisë Fier.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.