Gjanica, historia e hershme e lumit qe pershkon qytetin e Fierit

Gjanica, historia e hershme e lumit qe pershkon qytetin e Fierit

452
SHPËRNDAJE

Nga Historiani Ilirjan Gjika

1-Gjanica është lumi i vogël i cili kalon përmes qytetit të Fierit dhe që është edhe piknisja e krijimit të tij. Por lumi këtu duket se ka rrjedhur pothuajse në të njëjtin shtrat që nga periudhat më të vjetra. Një gjë të tillë na e tregon qartë edhe morfologjia e shtratit të tij të cilin lumi e ka thelluar gjatë epokave gjeologjike. Megjithë kalimin e kohës dhe ndryshimet e emrit lumi mbeti po ai pavarësisht shprehjes së famshme të Heraklitit se ‘’Nuk mund të lahesh dy herë në ujërat e të njëjtit lum’’.

Në antikitet Gjanica quhej Argias dhe më vonë diku gjatë mesjetës së mesme u quajt Gjanica. Ndoshta gjatë periudhës së pushtimit bullgar të viteve 861-1018, ku në shekujt IX-XI-të, ndryshuan shumë nga toponimet vendase, të cilat nga gjuha shqipe u konvertuan në sllavisht. Një shpjegim bindës rreth këtij emri na e jep autori Nishat Hamitaj. Në një pasazh të librit të tij ‘’Hekali dhe Mallakastra në thellësi të shekujve’’, ai thekson se ‘’Nga Ballshi kalon lumi Gjanica. Emri i këtij lumi supozohet të jetë një trajtë e re e emërimit Glavenicë-Gjanicë e formuar nga Gla(ve)nicë. Pra, vendbanimi i hershëm ka të njëjtin emër me lumin. Të mos harrojmë se lumi buron tamam në, malin e Gllavës mbi Mallakastër (Nishat Hamitaj, Hekali dhe Mallakastra në thellësi të shekujve, Fier 2000, f. 27).

Ndërkohë mund të themi se Gjanica është banuar qysh në parahistori. Gjurmët e gjetura nga ekspedita shqiptaro-amerikane e viteve 1998-2000, dokumentuan praninë e njeriut parahistorik në trevën e Fierit, në dy ‘’stacione’’ arkeologjike. Një nga këto ‘’stacione’’ ishte edhe Portëza në krahun e djathtë të rrjedhës së poshtëme të Gjanicës, ku janë dokumentuar gjurmë të paleolitit të vonë, rreth 40 000 vjet më parë.

Por si kudo në botë ku qytetërimet e para lindën në luginat e lumenjve edhe këtu nuk mungojnë dëshmitë se njerëzit gjetën kushte të përshtatshme për të siguruar jetësën. Një vendbanim i vjetër është dokumentuar tashmë edhe në Patos, pranë tij ku është zbuluar prej një varrezë tumulare. Tuma e Patosit i përket kulturës ilire dhe përbëhet nga 76 varre, 62 prej të cilëve janë të periudhave të bronzit të vonë dhe hekurit, ndërsa 14 të tjera, periudhës së mejsetës së hershme ( Muzafer Korkuti, Tuma e Patosit, Iliria I, I981, f. 7-55). 

Gjatë antikitetit lugina e Gjanicës ka qenë një nga zonat në të populluara dhe më të zhvilluara të Ilirisë Jugore. Pranë saj lindën dhe u zhvilluan qytete të tilla si Orgesos rrënojat e të cilit ndodhet sot në Margëlliç dhe qyteti i paidentifikuar ilir, i cili ndodhet në kodrëne sotme të Gurëzezës. Zhvillimin ekonomik ku kemi një bujqësi të zhvilluar e dëshmojnë gjetjet e një sërë veprash irrigacioni. Të tilla kanë qenë diga e Krapsit dhe Prita e Patosit. 

Diga e Krapsit i takon periudhës së pushtimit romak në shekujt e parë pas krishtit dhe është njohur në popull si ‘’Rrema e Krapsit (Skënder Anamali, Arkeologjia dhe Bujqësia, 8 Nëntori, Tiranë 1980, f. 68-73)

Diga ishte ngritur në një pikë ku lumi ngushtohej që ndërtimi i saj të ishte më i lehtë dhe shërbente për vaditjen e tokave të luginës së Gjanicës. Trupi i digës shtrihej nga të dy brigjet përgjatë lumit dhe përbëhej prej dy harqesh që hapeshin në drejtime të kundërta. Ajo kishte një gjatësi prej 90 m, gjerësi që shkonte nga 4.70-3 m dhe lartësi prej 8 metrash. Muri i digës përbëhej nga dy pjesë ku ajo e jashtëme ishte ndërtuar me blloqe guri të lidhur me llaç dhe kllapa hekuri, ndërsa pjesa e brendëshme përbëhej nga disa material si gurë, copa gurësh, tullash dhe tjegullash, rërë, pluhur tulle, të gjitha të lidhura me llaç gëlqereje (Po aty).

Sipas arkeologëve ndërtimi i saj mund të jetë bërë gjatë shekullit të parë pas krishtit dhe kishte një rezervuar me kapacitet prej 1 milion m3 (Neritan Ceka, Apolonia e Ilirisë, 8 Nëntori, Tiranë 1982, f. 86 ).

 Për ndërtimin e saj janë shpenzua mjete të mëdha financiare dhe forca të shumta punëtore. Pranë digës janë gjetur edhe gjurmet e themeleve të një vile bujqësore e quajtur në literaturën historike si ‘’Vila Rustica’’, që mund të ketë qenë një latifund bujqësor (fermë). 

Një tjetër digë e ndërtuar përgjatë shtartit të lumit Gjanica është edhe Prita e Patosit. Ajo ndodhej jo larg digës së pare dhe ka qenë ndërtuar në fshatin e Patosit. Kjo digë me përmasa më të vogla kishte një gjatësi prej 40 m dhe gjerësi prej 2.2 m dhe ishte ndërtuar diku gjatë periudhës s ëmesjetës së hershme (Anamali, po aty).

Të tjera ndërtime mbi Gjanicë kanë qenë edhe mullinjtë e bjojës që ishin ngritur mbi të. Shkrimtari dhe studjuesi Bujar Muçaj në librin e tij ‘’Aranitasi dhe Mallakastra midis legjendës dhe të vërtetës’’, na jep një dëshmi shumë interesante dhe me vlerë për mullinjtë e dikurshëm të blojës që ishin ngritur mbi lumin Gjanica. Sipas tij Aranitasi kishte pesë mullinj të cilët njiheshin nga emrat e të zotëve të tyre. Të tillë ishin Mulliri i Myrto Mesutit që ndodhej në Lumarë, një lagje e Aranitasit e ngritur në dy anët e lumit; Mulliri i Sade Elmazit, Mulliri i Hoxhajve, Mulliri i Zenel Xhafos dhe Mulliri i Veizit ose i Levanit (Bujar Muçaj, ‘’Aranitasi dhe Mallakastra midis legjendës dhe të vërtetës’’, I, D.I.J.A.-Poradeci, 2009, f. 51).

Një fakt të tillë për ekzistencën e pesë mullinjve të Aranitasit na e pohon edhe Agur Rrokaj në librin e tij ‘’Aranitasi në ujëvarën e jetës” thekson se mbi lumin Gjanica kanë qenë pesë mullinj me ujë: Mulliri Murto Mesutit, Lumarë; Mulliri i Levanit të Veizit; Mulliri i Hoxhajve të përtej qëndrës; Mulliri i Vjetër në hyrje të fshatit te vendi i quajtur ‘’Rrëza e Malit’’ viti 1850 i Zenel Xhafos; Mulliri i Sade Elmazit në vendin e tij i quajtur ‘’Vetrenët e kuq’’ (Agur Rrokaj, Aranitasi në ujëvarën e jetës, Toena, Tiranë 2004, f. 39).

Por ndërkohë Bujar Muçaj i zgjeron të dhënat e tij duke na dhënë informacione të panjohura më parëë. Midis të tjerave ai thotë se në këtë fshat ka patur edhe pesë mullinj të përpunimit të shajakut të quajtur ‘’dirstile’’ por prej tyre nuk ka më asnjë gjurmë gjurmë (Bujar Muçaj, po aty).

Ndërkohë sipas tij një mulli tjetër ka qenë edhe ai që ndodhej rreth dyqind metra poshtë lisave të të Kalenjës i cili u prish kur nisi të ndërtohej rafineria e naftës (Po aty, f. 52). Ndërsa të tjerë mullinj kanë qenë ata të Visokës si ata të Shkarpës, i Kumit, mulliri I Shaqos I ngritur mbi përrua po në Visokë, mulliri i Heqimajve, etj. Më poshtë gjatë rrjedhës së lumit ngriheshin mulliri i Kasnicës, ai i Kubesë në Patos – Fshat, etj (Po aty, f. 51). Të gjithë mullinjtë e Luginës së Gjanicës ishin ngritur në krahun lindor të saj dhe ishin të lidhur me njëri tjetrin me anë të vijave të ujit (po aty, f. 53). 

‘’Mbaj mënd mirë që nga mulliri i Shkarpës uji zbriste duke kaluar mbi kanionet e Visokës të quajtur nga vendasit “Shtyllat”, aty vijës kryesore i bashkëngjitej një vijë ndimëse nga Gjanica duke bërë më poshtë tek mulliri që ishte përfund lajthive e ky ia përcillte atij të Kubesë e kështu me radhë duke shfrytëzuar relievin e pjerrët ja përcillnin ujin njëri-tjetrit, për bloje e për ujitje’’, thekson në ligjëratë të drejtë Bujar Muçaj në faqen 53 të librit të tij. 

2

Deri më tani nuk ka patur një studim të mirëfilltë mbi Gjanicën por vetëm përshkrime të pjesshme rreth lumit. Ndërkohë që edhe këto në formën e pasazheve të shkëputura në libra dhe botime të ndryshme, të cilat po i përmbledhim dhe po i citojmë në këtë shkrim të sotëm. Gjithsesi autorë të ndryshëm japin të dhëna jot ë unifikuara rreth gjatësisë së lumit dhe vendit të burimit të saj. 

Në librin ‘’Gjeografi e Rretheve’’, një botim i vitit 1984 për gjeografinë e rretheve të Shqipërisë, autori Astri Bozgo, midis të tjerave shkruan se ‘’Lumi i Gjanicës është një ndër afluentët e Semanit. Ai buron në pjesën jugore të malit të Shpiragut, në jug të Sinjës dhe mbasi bën 42 km rrugë dhe përshkon përmes qytetin e Fierit në afërsi të Mbrostarit derdhet në Seman ( Astrit Bozgo, Gjeografi e Rretheve, SHBLSH, Tiranë 1984, f. 89).

Ndërsa në librin ‘’Fieri Profil Historik’’, botim i Muzeut Historik Fier, grupi i autorëve midis të tjerave thekson se ‘’Gjanica është degë e Semanit dhe buron nga pjesa jugore e malit të Shpiragut, përshkruan gjithë trevën e Mallakastrës, kalon mes përmes qytetit të Fierit dhe derdhet në Seman, në afërsi të Mbrostarit. Gjanica ka një gjatësi prej 42 km dhe sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 228 km2 (Grup autorësh, Fieri-Profil Historik, OMBRA GVG. Tiranë 2005, f. 19).     

Ndërsa Nishat Hamitaj të cilin e përmendëm edhe më sipër thekson se ‘’… se lumi buron tamam në, malin e Gllavës mbi Mallakastër’’. (Nishat Hamitaj, po aty). 

Ndërkohë që shpjegimin më të plotë e jep prof. Vasil Kristo i cili në shkrimin e tij ‘’Gjanica erdhi tek qyteti apo qyteti u ndërtua pranë saj’’, botuar në gazetën Myzeqeja, në tetor 1995. Midis të tjerave gjeografi i njohur thekson në ligjëratë të drejtë se ‘’Gjanica është një nga degët kryesore të lumit Seman. Si fillim i saj merret përroi i Lumarës (Gjerbës) që buron në very të kodrave të Allkomemajt me lartësi rreth 800 m. Vetëm pasi bashkohet me përroin e Metohut në gropën e Aranitasit, lumi merr emrin Gjanicë, emër që e mban deri sa derdhet në lumin Seman’’.

Po këtu Vasil Kristo citon edhe disa të dhëna të bazuara tek Instituti i Hidrometeorologjisë në Tiranë, sipas të cilit Gjanica ka një gjatësi prej 67.7 km dhe një pellg ujëmbledhës me sipërfaqe prej 234.1 km2.      

Ndërkohë që me ndërhyrjet e njeriut në mjedis edhe lumi Gjanica i është nënshtruar transformimeve. Nga të dhënat e nxjerra nga vëzhgimi në terren mund të themi se sot është devijuar, pasi në të u ndërtuan në vitet 70-80-të, të shekullit të kaluar dy ujëmbledhës. Të tillë ishin Lumara 1 dhe Lumarën 2, që ndodhen në një largësi prej një kilometër nga njëra tjetra. Ujëmbledhësi i Lumarës 1, i cili ndodhet në jug të Lumarës 2, i derdh ujërat e tepërta në këtë të fundit. Ndërsa ky i fundit me anë të një tuneli i devijon ato, duke i kaluar ato për ujitjen e tokave të zonës së Fratarit, Damësit, Bejarit dhe Kremenarit. Vetëm portat e shkarkimit të ujërave të tepërta që grumbullohen gjatë dimrit derdhin një pjesë të ujërave në shtratin e dikurshëm të përroit të Lumarës. Kështu sot Gjanica krijohet në Aranitas nga bashkimi i përroit të Aranitasit me atë të Metohut. Që këtu lumi kalon në Panahor, Ballsh, Ndrenovë, Belishovë, Visokë, Patos-Fshat, Kasnicë, Kraps, Plyk dhe pasi përshkon edhe qytetin e Fierit derdhet në veri të tij në lumin Seman. 

3

Veprat e ndryshme inxhinjerike përgjatë luginës së Gjanicës u ndërtuan në mënyrë masive në vitet 60-70’ të shekullit të kaluar, gjatë periudhës së industrializimit socialist. Të tilla ishin Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, (KPTHN), Kompleksi Kimiko-Energjitik në Fier, në vendin ku Gjanica del në fushën e Myzeqesë si dhe vija hekurudhore Fier-Ballsh. Kjo e fundit e cila është edhe nyja më e shkurtër hekurudhore e Shqipërisë prej 26 km, e cila lidh Fierin me qëndrën më të madhe të industrisë petrokimike, Ballshin, përshkon gati gjysmën e luginës së Gjanicës. Me stacione ndërmjetëse si Krapsin dhe Kasnicën, të cilat sot nuk funksionojnë, ajo mbetet edhe sot së bashku me trasenë dhe urat e shumta, si dëshmia e fundit e kulturës sonë materiale përgjatë luginës shekullore të këti lumi.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.