Si të hartosh një tekst shkollor për një muaj?

Si të hartosh një tekst shkollor për një muaj?

171
SHPËRNDAJE

Dr. Ndriçm Mehmeti

Ky është titulli i manualit më të fundit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Drejtues i projektit më të padëgjuar ndonjëherë në historinë e arsimit shqiptar është vetë ministrja Nikolla, shkrues dhe redaktor shkencor këshilltari i saj, aspektet e dukjes sa më mirë i mbulojnë njerëzit farë këshilltarit. Këtu filloi e këtu mbaroi shkatërrimi i reformës Altertekst. Teksti unik, në fakt, ka të bëjë me qëndrimin cinik, të MAS, ndaj hartuesve të teksteve, injorimin e konkurrencës në një treg, siç është ai i librit shkollor. Veç kësaj ka edhe një qëllim që është më madhor se ai i deklaruar për gjasme “kujdesin ndaj fëmijëve dhe prindërve”. Tregu i librit është një treg mjaft fitimprurës dhe i sigurt. Këto para duhen për të mbushur xhepat e kupolës drejtuese, që zë fill nga Kryeministria dhe përfundon në zyrat e MAS. Përndryshe nuk ka se si shpjegohet fakti që me udhëzim të ministres, hiqen nga konkurrimi tekstet shkollore të historisë klasa 4, 9 dhe 12, si dhe kapituj të lëndëve “Edukim për shoqërinë” klasa 1 dhe “Qytetari” 6 i jepen “Junisor Achievment”. Në cilin rast, në cilin vend dhe në cilën periudhë të arsimit prej shumë vitesh në Shqipëri por jo vetëm, një ministër arsimi, përcakton me dorën dhe firmën e tij se kush do të bëj libra dhe kush. Në cilin rast një mësuese që i ra rasti të bëhet ministre, ka të drejtën ligjore të nëpërkëmbë autorë tekstesh, profesorë të saj, njerëz të njohur për arritjet në fushën e tyre dhe t’ia kaloj të drejtat e hartimit të teksteve klientëve t saj dhe qeverisë.

Cilët janë autorët enigmatikë deri më sot të hartimit të tekstit të historisë. Si është e mundur që këta autorë prej datës 12 maj e deri më 18 qershor 2015, do të arrijnë të bëjnë një tekst “shumë të mirë”, sipas pretendimit të ministres dhe mbështetjes bajate e pa kurrfarë argumenti të këshilltarit të saj? Si është e mundur që historinë e popullit shqiptar, ta trajtosh më keq se një projekt për promovimin e djathit kaçkavall të një X zone, i cili, i ka marrë, MK më shumë se 6 muaj. Cilët janë autorët që së paku, zyrtarisht kanë marrë detyrën më datë 11 prill 2015, për të hartuar tekstin për mbi 120 mijë nxënës në Shqipëri?

Askush nuk mund të na kthejë një përgjigje për këtë, ndonëse pëshpëritet se drejtuesi i grupit të punës për hartimin e tekstit është prof. Paskal Milo. Ulërimat e dikurshme për datën e çlirimit, tekste të politizuara të historisë, gabimet shkencore e konceptuale, janë zëvendësuar me heshtjen vrasëse, prej frikës, ose më keq kërcënimit dhe shantazhit. Nuk do shumë mendje e kalem të kuptosh, se si çdo monopol, teksti shkollor do të konsolidoj pozitën sunduese në treg, përmes strukturave të njohura të krimit që do të shantazhojnë këdo që do të prish monopolin boll fitimprurës të tekstit shkollor. Njësoj si trusti i lulelakrës, do t’u mbyllet goja autorëve të teksteve shkollore, do t’u jepet ndonjë koncesion i vogël shtëpive të tjera botuese, ndërsa atyre që s’pranojnë, do t’u shkoj në derë taksidari. Kjo është pjesa thelbësore e pa shkruar por e nënkuptuar e manualit të ministres Nikolla “Si hartohet një tekst shkollor për një muaj”.

Ky është edhe suksesi më i madh i ministres së arsimit në të gjithë ekzistencën e shtetit shqiptar. Prej Luigj Gurakuqit që i porosiste librat jashtë vendit nga kushtet që i përcaktonte koha e deri tek Mirash Ivanaj që forcoi pozitën e arsimit kombëtar, nga Kahreman Ylli e deri tek Tefta Cami, prof. Vejsiu, Ruka, Memushi e tek Fatos Beja, askush nuk kishte guxuar të paracaktonte me firmën e vet hartuesit e tekstit shkollor. Ministrja Nikolla është e para dhe e fundit, që do të mbahet mend, pikërisht për udhëzimin e saj, në variantin “vetë vendos e vete vulos”, si dhe për motivimin që i jep vartësve të vet që brenda pak ditëve të nxjerrin në qarkullim, manualin “Si të hartosh një tekst shkollor për një muaj”. Në mungesë totale të vizionit për arsimin, të reformave të përmirësimit të sistemit, në vazhdim të dështimeve të njëpasnjëshme, ndoshta manuali i fundit, do t’i japë pak nga suksesi i munguar ministres Nikolla, edhe pse ky do të jetë një shkëlqim i rremë. Tani nuk ka mbetur asgjë tjetër, vetëm që ministrja t’u drejtohet me një letër prindërve dhe nxënësve dhe si gjithnjë me shumë dashuri t’u thotë: “Prindër të dashur! Ju përdora ju për të hequr qafe librat alternativë dhe ju tani blini librin që ju them unë. Edhe po nuk ju pëlqeu aq më bën. Kryeministri im, të cilit i detyrohem aq shumë, i pëlqen kjo punë”. “Nxënës të dashur! Mësojeni historinë e popullit shqiptar në një vit, paçka se ne e bëjmë gati për ju për një muaj. Mos harroni armiqtë më të mëdhenj të Shqipërisë janë bejlerët agallarët, ballistët e zogistët që u kanë pirë gjakun popullit. Lufta dhe partizanët, na çuan drejt BE-së. Enveri kishte ca të meta, por ishte burrë i mirë. Lavdi veprës dhe emrit të tij dhe të shokut Rama që po e lartëson çdo ditë”.

Së shpejti do të dali në qarkullim edhe manuali tjetër: “Emërimi i mësuesve me konkurs, pa konkurs, por gjithnjë siç dua unë”. Ky manual do të jetë akoma më interesant. Drejtuesit i projektit, shkruesit dhe redaktuesit janë të njëjtë. Në këtë manual, ministrja do të tregojë një sekret të madh që e përmendi edhe vetë tërthorazi: “Komisionet e përzgjedhjes së mësuesve nuk funksiononin pasi nuk kishin të njëjtën përbërje”. Shkurt, prindërit e dashur, që sipas spotit televiziv të ministres, të cilët, do të zgjidhnin mësuesin për fëmijën e tyre të dashur, tani na del që nuk janë të aftë ta bëjnë këtë. Domosdo, që kur më duhet prindërit janë të shtrenjtë e më të mirët, e kur nuk më duhet, janë të paaftë, ose thënë më shqip, të pazotë, të pashkolluar e në jo pak raste injorantë. Ky është vlerësimi pa dorashka, dhe jashtë çdo kornize, mirësjellje e buzëqeshje televizive. Mësuesit do të zgjidhen sipas modelit Tabaku (Bakiasi), që sigurisht do të jetë pjesë e manualit. Për zgjedhjen e mësuesit prej drejtuesve të shkollave në shumicë të komanduar deri më sot, do të bëhen konsultime intensive me LSI, por edhe me disa aleatë të ardhur rishtazi tek AE. Qëllimi do të jetë: Punësojmë mësues pas konsultimeve me aleatët dhe i legalizojmë emërimet e tyre, përmes portalit të njohur zyrtar “Mësues për Partinë”

Kështu që edhe librat edhe mësuesit i kemi tanët. Tani opozita të na marri të keqen, kush do punë si mësues të regjistrohet në zyrat e partisë, tekstit unik, mos guxojë kush t;i bëj kritikë dhe kështu arrijmë rezultatet e larta që nuk i ka askush. Me ne do të mburret edhe vetë Finlanda.

Nëse në të gjithë këtë shfaqje tragjikomike do të qeshte dynjaja, ishte gjysmë e së keqes, e keqja më e madhe është se po gjymtojmë në mënyrë të pakthyeshme dijet e fëmijëve tanë dhe besimin në sistemin tonë arsimor.

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.