Shoqëri e tredhur, e frikësuar apo indiferente

Shoqëri e tredhur, e frikësuar apo indiferente

69
SHPËRNDAJE

Dr. Ndriçim Mehmeti 

Nëse ja vlen të përsërisim disa herë e mos të ndjehemi të lodhur, tani më shumë se kurrë më parë duhet të ribëjmë pyetjen: Jemi një shoqëri e tredhur, e frikësues apo indiferente. Dikush mendon pak nga të treja, dikush tjetër mendon se përfundimisht i jemi nënshtruar frikës, të fortit, maskarait, kapadaiut, servilit të paaftit, dallaveraxhiut, papërgjegjshmërisë në majat më të larta të shtetit etj. Sido që të ndodhë e çfarëdo që mund të themi ja vlen të analizojmë sado pak atë që ndodh rreth nesh.

 

Por a jemi vërtet të frikësuar, apo më shumë të tredhur.

Kaur flasim për frikën dhe ndikimi që ajo ka tek individi apo në tërësi tek e gjithë shoqëria, askush nuk mund t’i shmanget këtij fenomeni. Në diktaturë, apo gjysmë demokraci, në regjimet autokratike dhe oligarke, ka një politikë thuajse të njohur, e cila, kërkon që populli të mbahet nën zap, përmes mbjelljes së frikës, çdo ditë, çdo orë, çdo minutë. Dhe frika padyshim që ka ndikim tek njerëzit, përhapet shpejt dhe shumëfishohet sa më thellë të shkosh në vendbanime, apo sa më afër valës goditëse të terrorit. Por kjo mbete në rrafshin teorik në rastin e Shqipërisë sesa në rastin praktik. Praktikisht ne jemi njerëzit që mburremi se “nuk pyesim njeri, nuk duam t’ja dimë nëse na bihet me qafe, o tregojmë vendit kujtdo, dimë të luftojmë për të drejta tona” etj. Por kjo gjë nuk verifikohet dot në terren. Më shumë fjalë mburrje, gërmushje, revolte në tentativë, gjen në kafene, sesa në opinionin publik, në rrugë, apo në forumet e ashtuquajturës shoqëri civile.

Më shumë bujë bën lajmi i marshimit të 17 majit, sesa kërcënimi i ndonjë sindikate, se do të bëj namin me grevë njëorëshe. Nuk bëhet fjalë që mendimi yt të zë vend diku, përveç ndonjë buzëqeshje a ndonjë lajke për të kaluar radhën. As mos pretendo edhe pse je një zë i vetëm, që mediat e “pavarura”, të të thërrasin. Rrallë e për mall. E gjithsesi edhe ky fakt nuk e justifikon mendimin se na ka zënë frika. Më shumë se të frikësuar dukemi një shoqëri e tredhur, pa ndjenja, të pakualifikuar për një shoqëri demokratike, shumë të përulur, tepër lajkatar me ata që qevriusrin, grabitqarë e të fortë me njëri-tjetrin, shumë pak civil e më shumë primitiv, shumë pak të dhembshur e shumë më tepër të egër e mospërfillës, të gatshëm për t’i dhënë shkelmin e fundit atij “që ka rënë nga fiku”,, e t’i puthim dorën horrit a të shesim veten për një birrë me gjysmë qofte. Njeriu i tredhur, kur e di se nuk gjen dot kënaqësi të tjera, i gëzohet kockës që i hedhin, entuziazmohet kur e përshëndesin,  shndërrin i tëri, po i dhe dorën, edhe pse mund ta kesh fytyrën të vrerosur.

Por nëse “trimat” që e lexojnë këtë fillojnë të shajnë e të tallen, disa të rrinë të menduar e të thonë “ne jemi gati por shoqëria është indiferente”, atëherë më lind e drejta të pyes: Kush e kualifikoi shoqërinë tonë si indiferente?

Njerëzit që bindin veten se janë gati të luftojnë por u mungon mbështetja, shoqëria civile e humbur prej dekadash në këtë vend. Këta janë njerëzit, që kanë zënë qoshet në qeveri, në TV, në emisione që i drejtojnë vetë, flasin vetë, përgjigjen vetë e së fundi i ankohen vetes pa marrë asnjë përgjigje të hajrit. Për të qetësuar veten në pamje të parë, ata fillojnë bërtasin për ca kohë, madje ka raste edhe që çirren, turren të parët në aksion, ndërsa pas pak kohësh, sa fitojnë ndonjë kontratë të majme, heqin bythën mënjanë. Mandej kanë paturpësinë të dalin e të na tregojnë se sa kreativ janë, se ata nuk janë njerëz të pushtetit, por punojnë për të mirën e qytetit dhe natyrisht të shtetit. Në pamje të parë, duket sikur këta njerëz, kanë njëfarë të drejte kur thonë “ne dolëm në krye të protestave, e ngritëm zërin tonë, u përleshëm me forcën që kishim, por nuk na mbështeti populli”. Edhe unë i jepja të drejtë këtij soji demagogësh të pacipë, para do kohësh. Edhe unë isha gati ta shaja e telendisja popullin që nuk i mbështeti dhe vetë, mbase do të isha në mes tyre. Por kur ujërat u qetësuan, u duk hapur se interesi personal, si në çdo lëvizje të ashtuquajtur qytetare, dominonte mbi atë të publikut, nga ajo që vetëquhet shoqëri civile. Veprimtarët e shquar të saj, nuk duken se ku janë. Indiferentët me demek populli, paska bërë mirë që nuk i ka ndihmuar në “kauzën e tyre”, ata që fitojnë tenderat, ndajnë paratë e kompanive si ortak apo të  projekteve që i marrin në fshehtësi dhe ditën me diell, dhe kur u mbarojnë paratë dalin e flasin për popullin. Shkurt fare edhe ata njerëz që besuan tek ata, sidomos të rinjtë u lanë me gisht në gojë e në mes të rrugës. A ka vërtetë indiferentë, apo dikush, a një grup i caktuar ka dëshirën t’i kualifikojë si të tillë?

Nëse themi se nuk ka indiferentë dhe i gjithë populli është në këmbë dhe aktiv, atëherë nuk do të ishim në këtë farë derexheje. Por nëse përpiqemi të qetësojmë veten, e ta mbajmë me gajret, “se kemi për të vuajtur, për sa kohë kemi një shoqëri indiferente”, edhe në këtë rast me shumë gjasa gjykojmë gabim. Janë po të njëjtët shqiptar, madje më të çliruar, më të shkolluar, më të iluminuar se shqiptarët e 1990, që thyen hekurat e ambasadave, shqiptarët e 1991, që dolën në rrugë duke mos ju trembur as ushtarëve, as policëve, makinave me ujë, thirrjeve për grusht shteti, shqiptarët e vitit 1998-1999, që u bënë shembull i strehimit të mijëra refugjatëve. Po nëse ne kemi një shoqëri kaq indiferente, si është e mundur që Evropa, vetë ne kërkojmë të jemi pjesë e saj?  A është kaq shumë e interesuar BE, për një shoqëri kaq indiferente? Besoj se duhet gjetur dhe gjendet jo pa mundim mekanizmi për t’i shkundur njerëzit. Nëse kjo nuk ndodh, analizat për shkaqet edhe sikur të jenë realiste, filozofike, me fjalë të thjeshta, nuk do të mjaftojnë për të zgjidhur ngërçin e madh në të cilin jemi futur, e as të na nxjerri nga udhëkryqi, për të na udhëhequr drejt rrugës së drejtë pa shtigje e monopate. Të frikësuar apo të tredhur, indiferentë apo të përhumbur, kjo është një çështje që gjithkush e zgjidh brenda vetes së vet, ndërsa shoqëria me pjesëtarët e  saj. Nuk mjafton të bëhesh inatçor kur një ambasador të krahason me delet, as të tregosh trimin në emër të sovranitetit, as patriotin e madh kur luan kombëtarja. Është punë e përditshme, të bëhesh shqiptar i mirë, të duash vendin tënd, të mos lejosh të të marrin nëpër këmbë, të përbuzësh të paudhët, të dënosh me zë të lartë kriminelët, t’i thyesh turinjtë hajdutit të rëndomtë, të çosh pas hekurave me forcën tënde si qytetar, politikanin e pashpirt e të korruptuar, të mbash pastër e të kujdesesh për mjedisin, pyjet, detin, etj. E nëse nuk bën asnjë prej tyre, fle, rri i strukur, me shpresën se “Zoti do ta bëjë më mirë”, mallkimi do të ndjek hapa pas hapi çdo njeri, çdo shoqëri që veten e lëshoi me dëshirë e bujari në duart e manipulatorëve, dështakëve të etur për pushtet, maskarenjve me jakë të bardhe e kollare, atyre që majmen pa asnjë keqardhje me vuajtjet e njerëzve.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.