Edukimi fetar, nuk lan dot mëkatet e arsimit parauniversitar

Edukimi fetar, nuk lan dot mëkatet e arsimit parauniversitar

73
SHPËRNDAJE

Dr. Ndriçim Mehmeti

Debati për arsimin edhe këtë radhë erdhi nga një deklaratë e kryeministrit, i cili, ka qenë si gjithnjë promotori i të gjitha “reformave” në arsim. Mësuesit pa arsim përkatës, heqja e Maturës Shtetërore si provim pranimi në universitete, tabletat, shkollat nën patronazh, shkollat komunitare, arsimi profesional, kurrikula e re e shahut, komisioni për hartimin e tekstit të historisë që si gjendet as nami as nishani. Për të shpallur “reformat”, kryeministri, ka shfrytëzuar si në çdo rast tjetër një ngjarje, të rëndësishme, me qëllimin për t’i dhënë pompozitet, asaj që thitë, pavarësisht se mund të mos realizohet asnjëherë.

 

Përse shfrytëzoi përkujtimin e ditëlindjes së Profetit Muhamed, z. Rama?

Thjesht fare për politikë. Kryeministri, shfrytëzoi në mënyrë të panjohur më parë, një aktivitet fetar, mjaft të respektuar, për të treguar sesa shuam e do fenë, Islamin, të mirën dhe të ardhmen e fëmijëve. Me një mendjelehtësi të shfaqur shumë lehtësisht, deklaron se “edukimi fetar që do të vendoset në shkolla, do t’i mësoj fëmijët për të vërtetën e Zotit dhe do t’i largoj nga radikalizmi”. Vështirë se mund të gjendet ndonjë rast i një mendjelehtësi të tillë, të shfaqur nga piktori i iluminuar në Francë dhe që sot mban postin e kryeministrit të Shqipërisë. Si mund të flasësh, më kaq papërgjegjshmëri në sytë e një publiku të gjerë, të lëshosh deklarata kaq të pamatura dhe të pretendosh se thirrja jote për të mësuar mbi të vërtetat e fesë në shkolla,  do të shmangë radikalizmin fetar. Po cili njeri me dy gram shkolle e dy pare mend në këtë vend, beson se edukimi fetar, do ta bëj shoqërinë më të mirë, më të begatë, më qartë për zhvillimet e veta? Po kush është ai i marrë, i mençur, i përndritur, i çmendur, i ditur, i paditur, i strehë, i pastrehë, i ngrënë, i pangopur, që të besojë, se edukimi fetar, do të frenoj radikalizmin fetar? Unë jam i bindur, që këtë në radhë të parë nuk e beson edhe vetë kryeministri. Por ai kërkon dhe gjen gjithnjë, një kazus, improvizon, kërkon të habisë të tjerët, të ngjalli polemikë, duke u bërë interesant në botën medialtike, paçka se përgjegjësia për të qeverisur, nuk përmbushet përmes batutave. Gjithkush e mban mend ishullin që do të ndërtohet në Berat, e shumë çudira të tilla, por të arrish dhe të luash edhe me arsimin, kjo është tërësisht e pa konceptueshme.

 

Përse i duhet realisht kryeministrit, shpallja e iniciativës për mësimin e fesë në shkolla?

 

Ai është i bindur se kjo “reformë” e tij, edhe sikur të filloj të zbatohet në shtator, çka nuk është ndonjë çudi, do të dojë shumë kohë për t’u shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Kryeministrit, i duhet thjesht për hesapet e tij politike. Në prag të përfundimit të mandatit qeveritar, në arsim, si edhe në shumë sektorë të tjerë, dështimi e ka ndjekur në çdo hap të punës së tij. Konkretisht, në arsim, janë shkatërruar tërësisht vlerat që e mbanin në këmbë këtë sektor. Për herë të parë në histori, përdhunues, hajdutë, falsifikatorë, njerëz që janë marrë me trafik droge e prostitucioni i gjen në krye të shkollave dhe drejtorive arsimore. Për herë të parë, arsimi udhëhiqet prej arrogancës së pashembullt të këshilltarëve, drejtuesve që nuk kanë punuar një ditë në arsim dhe terrorizojnë çdo ditë mësuesit. Për herë të parë, nuk ka shkolla të reja, të rikonstruktuar, kabinete të rinj, mjete didaktike, mbështetjet për nxënësit më të mirë në olimpiada etj. Për herë të parë, mësuesit nuk kanë rritje page dhe as shpërblimin vjetor. Kryeministri nuk na thotë dot sesi i vajti filli reformës të shpallur prej atij vet, për mësuesit pa arsim përkatës. Kryeministri nuk ka ndonjë përgjigje, për rritjen e braktisjes në shkollat e arsimit të detyruar. Kryeministri nuk merr përsipër, të shoh sesi dizinfomohen fëmijët tanë nëpërmjet teksteve, që u morën me kaq bujë prej Anglisë. Kryeministrit nuk i intereson fare infrastruktura e rrënuar e arsimit në të gjithë vendin. As nuk ka ndërmend të na thitë se çfarë u bë me projektin e 40 shkollave të reja në zonën Durrana?

Prandaj për të dalë nga situata dy herë në katër muaj, nxjerr nga një “xhevahir” nga goja për arsimin dhe të gjithë rendin ta komentojnë. Pak kujt i interesojnë mësuesit, shkolla, gjendja ku është, problemet me të cilat përballen, por merren me fjalët që tha kryeministri. Paditurisë dhe dashakeqësisë së deklaratave kryeministrore, i shtohen në doza edhe më të mëdha, padituria, paqartësia, kokëboshësia e të tjerëve, intelektualëve, analistëve e komentatorëve, që marrin përsipër të analizojnë kryeministrin. Por në fund të fundit, për kryeministrin kjo është një gjë e mirë, për arsimin jo.

 

Por a e bën edukimi fetar më të mirë arsimin dhe shoqërinë tonë?

 

Këtu ka dyshime shumë të mëdha. Nëse do të ishte kështu, atëherë edukimi fetar, do të ishte pjesë e pandarë dhe shuam e rëndësishme e shkollës në të gjitha vendet e Evropës, apo në Amerikën e Veriut. Lënda e “Edukimit fetar”, apo “Etika”, jepen si lëndë me zgjedhje, për nxënësit, kur një gjë të tillë e miratojnë prindërit. Natyrisht që nuk ka asnjë dyshim se të mësuarit mbi historinë e feve, si ato kanë ndikuar në shoqërinë tonë, aspekte filozofike të tyre, mund të jenë pjesë e mësimdhënies në mënyrë të integruar në lëndën e historisë, sociologjisë dhe filozofisë. Gjenden rrugë e mundësi si dhe ka përvoja në këtë drejtim. Por është naive, ta shesësh mësimin e fesë si parakusht që njerëzit të jenë më syçelur ndaj terrorizmit, krimit, përdhunimit, vjedhjes etj. Përpara se ti mësojmë nxënësit me edukimin fetar, duhet të pyesim, nëse vjen i ngrënë, i mbathur, i veshur, me libra, a kushte në shtëpi për të mësuar, a e dhunojnë prindërit në shtëpi, pastaj të mendojmë për mësimin e fesë. Sa nxënës, nuk mbushin dot barkun, përpara se të shkojnë në shkollë. Sa fëmijë, punojnë në lavazhe, në shpërndarje picash, si shitës paketash?  E më keq akoma, sa fëmijë përdoren, si shpërndarës droge, grabitës dyqanesh, shtëpish, makinash luksoze, për trafikim të organeve, në shtëpi ilegale prostitucioni etj.

Por për këto nuk pyet njeri. E dinë fare mirë, prej Kryeministrit, Ministrit të Brendshëm,  Ministrit të Mirëqenies Sociale, Kryetarit të Parlamentit e kushdo qytetar se këto fenomene, janë në mes të Tiranës dhe gjithë qyteteve tona. Të gjithë i shohin fëmijët që lypin dhe nuk bëjnë kurrgjë. Të gjithë i shohin fëmijët që transportohen në shkollë me mjete për transportin e mallrave të mbyllura dhe pa ajrim. Në sytë e një publiku të gjerë në anë të rrugëve me pluhur e plehra, shiten byrek, sanduiç, molto, për fëmijët që i han me shumë shije, e paditur dëmin që ka në shëndetin e tyre. Të gjithë e shohin se ku shitet droga në shkolla, cilat janë lokalet, baret, ku konsumohet. Po askush nuk flet. Mos vallë me hyrjen e edukimit fetar në shkolla, të gjitha këto fenomene, do të ikin si me magji? Në fshatar do të lulëzojnë pemët e të mbushen hambarët me bereqet, peshku do të dali vet në breg e fëmijët do të ngazëllehen nga lodrat e pafundme, veshjet, që do të zbresin si me magji në duart e tyre? Kush do të kujdeset, që fëmijët të jenë të ngrënë, kur të vijnë në shkollë, ose përndryshe, shteti që ka detyrim mirëqenien e qytetarëve të tij, të siguroj së paku një vakt me ushqim. Kush do të siguroj që të gjithë fëmijët të marrin librat falas e të kenë një çantë, sado të thjesht për mjete e tyre mësimore? Kush e ka për detyrë që fëmijët të mos ngrohen me xhuba në shkollë, por me dru, gaz, e mjete të tjera alternative?

Pasi të jetë bërë shkolla, shkollë, pasi mësuesi të jetë fituar autoritetin që i takon si misionar i dijes, pasi nxënësve tu krijohen mundësi të barabarta për dije cilësore, pavarësisht ku janë dhe çfarë statusi social, gëzojnë, ulemi dhe diskutojmë për gjithçka. Por kjo nuk i intereson shumë kryeministrit. Atij i intereson, lavdia personale, për të marrë merita edhe kur nuk i takojnë. Por natyrisht në fushën e arsimit, ai ka merita të mëdha.

Kryeministrit i takon merita e madhe, për rrëzimin nga themelet të arritjeve  në arsim me qëllimin e vetëm, për të lënë emrin e tij, gjurmët siç mendon ai, në çdo sektor të zhvillimit të vendit. Në arsim e ka arritur më së mirii. Do të mbahet mend për shumë vite, si kryeministri që vizaton reformën e mbështjell kartonin në formë katrori, cilindri, a si ti vijë mbarë, duke treguar ngjyrat e parapëlqyera, për çdo faqe, por brenda figurave gjeometrike, nuk ka asgjë tjetër veç hapësirës bosh.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.