Dhuna ndaj fëmijëve në shkolla? Produkt i dhunës të ngritur në sistem

Dhuna ndaj fëmijëve në shkolla? Produkt i dhunës të ngritur në sistem

103
SHPËRNDAJE

Dr. Ndriçim Mehmeti

 

Nuk besoj se përbën lajm por vetëm show, fakti se disa nxënës rrihen në Cërrik, apo në jetimore, abuzohet me fëmijët. Prej krijimit ët tyre e deri më sot, mbi institucionet e jetimoreve, ka pasur përherë akuza për abuzim përmes dhunës, fizike, abuzim seksual, dhunë psikologjike etj. Shkolla jonë mburrej se u thanin duart nxënësve që nuk mësonin me thupër, që i linin me një këmbë në cep të klasës, se i ngarkonin të mblidhnin dru në lagje për sobën e klasës etj. Dhe këto metoda nuk janë përdorur në mesjetë, as në vitet ‘30 të shekullit XX, por edhe në vitin 1979, 1980, 1988. A është serioz një institucion shkollor që vijon dhunën ndaj fëmijëve? A meriton të quhet institucion edukimi? Jo dhe jo.

 

Po kush e nxit këtë dhunë dhe këtë papërgjegjshmëri?

 

Disa fëmijë janë abuzuar në shtëpinë e fëmijës në Shkodër dhe në Sarandë. Ministri ka një përgjigje: “Kemi inspektuar dhe kemi lënë rekomandimet tona. Bashkia nuk ka vepruar”. Aferim z. Ministër. Të qoftë hallall, buka që ha dhe lekët që merr nga ky shtet. Bashkia Shkodër është fajtore, dhe natyrisht edhe ajo në Sarandë. Shërbimi Kombëtar Social e ka bërë punë e vet. Kësaj i thonë të tallësh fundshpinën me shqiptarët. Po kur u vendos z. Ministër që shtëpitë e fëmijës të kalojnë nën varësinë e bashkive, a bëtë ndonjë studim mbi kapacitetet njerëzore të afta për të menaxhuar këto institucione, kaq problematike dhe shumë të ndjeshme për jetën e një individi? A menduat ndonjëherë për nevojat e trajnimit, rritjen e kapaciteteve të infrastrukturës, vendosjen  e mjeteve të sigurisë, në këto institucione, si kamerat, etj? Me siguri, që ju keni rekomanduar dhe ishte pushtetit lokal që duhet të merrte masat. Po buxhete për trajnim, për zhvillimin e vazhdueshëm profesional të këtyre institucioneve, kush duhet t’i sigurojë? Besoj se edhe për këto ka pasur nevojë, se për paratë e harxhuar në inspektime. Atëherë unë besoj se “lepuri i madh” që kërkojmë se ku është fshehur, fle diku tjetër e jo vetëm aty poshtë. Një bashki me 15 mijë banorë, ku do t’i gjejë kapacitetet në fushën e shërbimit social, psikologjik, të mësimdhënies, për t’u shërbyer kësaj kategorie fëmijësh, pa ndihmën e administratës qendrore? Apo mendojmë se duke u dhënë një copë bukë e një shtrat, e kemi zgjidhur hallin për këtë kategori fëmijësh? Duhet të jesh shumë naiv të besosh, se po të pushosh nga puna 4-5 vetë, ja ke hedhur.

Edhe për dhunën  në shkolla, flitet pa hyrë shumë në detaje, nuk bëhet një analizë e thellë. Jo se është e vështirë që të bëhet, por gjithkush mendon: “Ç’më duhet mua të merrem me këtë punë”. Duke u nisur nga kjo logjikë, përgjegjësia është e thjeshtë për t’u gjendur. Është po ashtu fare e thjeshtë të flasim për personin përgjegjës e ta kryqëzojmë. Dhe personi përgjegjës është mësuesi. Dhe kush e akuzon mësuesin, i hidhet në grykë atij, i bërtet për drejtësi, humanizëm e profesionalizëm? Qeveritarë, pushtetar të vegjël e të mëdhenj, ligjvënës, që i kanë treguar këtij vendi jo njëherë, por me dhjetëra herë, që dinë si të zgjidhin problemet në “mënyrë të qytetëruar”. Mjetet janë ato që gjenden me shumicë në një shoqëri paraqytetare: Rripa mesi, grushte, thirrje në makinë për “sqarim”, tentativë për rrëmbim personi, heqje qafe të personit, tritol, bombë, minë antitank etj. Të gjitha këto quhen më se të ligjshme, pasi i përkasin “valixhes diplomatike”, kanë imunitet, nuk i prek dot dhe nuk merr asnjë masë.  Ky është modeli që serviret, nga i cili duhet të burojë humanizmi, profesionalizmi, evropianizimi, i qytetarëve që kanë si model, shtetarët e mësipërm. A po të jetë për pëllëmbën e mësuesit, kjo është me të vërtet një rrufe në qiell të pastër për shoqërinë tonë puritane. Aty shoqëria jonë bëhet e ndjeshme, nxehet, mediat egërsohen deri në revoltë. Populli është gati të thërrasë: “Kriminelët në litar”.

 

Pse mësuesit janë një shënjestër e lehtë?

E kush është mësuesi sot. Një shërbëtor i përulur i shtetit? Një njeri që respektohet nga kalimtar, fqinj, politikanë e deri tek krerët më të lartë të shtetit? Njeriu tek i cili kemi vënë shpresat për të ardhmen e kombit tonë? Jo! Për qeveritarët dhe lakenjtë e tyre në media, e kudo, mësuesi është një njeri i varur prej dëshirave të gjithkujt: Administratorit të lagjes, kryetarit të bashkisë, deputetit të zonës, inspektorit të MAS, ISHA, e me radhë. Mësuesi është profesioni më i pambrojtur në Shqipëri. Mësuesi është një njeri për të cilin merr vendim ta qëroj nga puna vetë ministrja, sekretari i përgjithshëm, e kujt t’i dali para një mikrofon, a t’i kaloj njëherë rruga nga shkolla. Mësuesi tani nuk ka asgjë në dorë, madje as personalitetin e tij. Ai është i nëpërkëmbur, që në momentin që një fëmijë, pavarësisht se i kujt moshe është të kërcënon se do të filmojë po e preke. Po nxënësit kush i filmon? Kush merret me sjelljen e tyre? Sa i besohet mësuesit dhe sa nxënësit? Kjo nuk i intereson askujt. Rëndësi ka që mësuesit të mos prekin nxënësit, të mos kritikojnë drejtorin, të përkëdhelin prindërit, të ngrenë notat, që të kënaqen drejtuesit e shkollës “me perfomancën e lartë” të rezultateve. Të drejtat e mësuesve? Ata nuk kanë asnjë të drejtë. Ata duhet të jenë ushtar të bindur të partisë e të popullit. Nuk duhet të hapin gojë për rrogë, shpërblime, të blejnë sa më shumë kredite, të rrinë me frikë në zemër kur vjen shtatori, të marrin pjesë në portal, sa herë që t’i teket drejtuesve në rrethe, të mbledhin lekët për drekën ose darkën që duhet të hajë i deleguari i  MAS, i cili, qëllon të jetë gjithnjë këshilltari, inspektori “smart spy” etj.

Mësuesi nuk ka të drejtë madje as të kërkoj ndonjë mjet mësimor, por t’i blejë vetë ato. Në fund të fundit të blesh mjete mësimore, letra A4, ndonjë shkumës, të fotokopjosh vetë testet për nxënësit, “është investim i sigurt për profesionin e mësuesisë”. Të drejta e nxënësve, të mbrohen pa asnjë hezitim dhe pa asnjë mëdyshje. Po mësuesit? A kanë te drejta dhe mbrojtje?

Kush e mbron Rajmond Canin, i cili, edhe pse me raport të përhershëm invaliditetit degdiset me dhjetëra kilometra larg vendbanimit të tij. Kush e mbron Agim Dukën, që pas 38 vitesh punë në arsim si mësues matematike, e hedhin në rrugë në moshën 61 vjeçe pa asnjë motivacion. Kush e mbron Elda Asllanin, mësuesen e gjuhës angleze, që e degdisën fshatrave më të thellë të Tepelenës, vetëm se dikujt tjetër, i duhej gjendur një vend pune? Kush mban përgjegjësinë për drejtues shkolle të inkriminuar, drejtues të arsimit në rrethe të korruptuar e të burgosur për këtë akuzë? Askush. Ama mësuesit i duam në burg. Nuk durojmë dot mësues dhunues. Jemi komb me namuz e me nder, se nuk ka ndodhur më parë që mësuesi të dhunoj, në këto anët tona. Kur është fjala për deputetin që vret në parlament, komisariat e ku t’i teket, ne zbythemi e strukemi dhe nuk na ndihet jo zëri, por as frymëmarrja. Ne nuk pranojmë mësues që na prishin moralin tonë, ndonëse ministri të shan, tallet, trash zonin edhe në korridoret e spitalit, edhe në parlament e ku ti dojë kokrra e qejfit.

Prandaj të ngrihemi njëzëri e të gjithë të bërtasim: “Mësuesit në burg, që të shpëtoj shoqëria shqiptare”. Kjo nuk quhet marrëzi, nëse dikush kërkon ta përkufizojë si të tillë. Ky është produkti, për të cilin ne kontribuuam me shumë bujari përmes votës tonë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.