Kryeministri Rama: Llogaraja me tunel

Kryeministri Rama: Llogaraja me tunel

197
SHPËRNDAJE

Turizmi dhe infrastruktura rrugore ishin në vëmendjen e kryeministrit të vendit, Edi Rama, i cili doli sot në një konferencë me gazetarët, ku u shpreh se fokusin do ta kishte pikërisht te ekonomia.

Krahasuar me një vit më parë, Rama tha se në Shqipëri kanë hyrë 11% më shumë turistë. Kreu i qeverisë, vijoi ndër të tjera se kanë mbaruar, vazhdojnë apo pritet të nisin shumë projekte rrugore, nga jugu në veri. Ai veçoi një projekt për një tunel në Llogara.

“Në 6 muajt e parë të këtij viti kemi një rritje të vizitorëve të huaj, rritje 11% më shumë krahasuar me vitin e shkuar, ka 240 hotele më shumë të çelura se një vit më parë. Nga ana tjetër dua ta theksoj se nuk mjafton, vazhdon puna intensive. Hotelet me 5 yje kanë filluar të nënshkruajnë kontrata. Sa i përket infrastrukturës, rruga Tiranë-Elbasan nuk është më në axhendën e shqetësimeve të qeverisë dhe atyre që e përdorin atë aks. Të gjitha peripecitë dhe zvarritjet e pafundme për shkak të një projekti skandaloz, i përkasin së shkuarës. Synojmë që para sezonit të ardhshëm by pass i Fierit të jetë i tëri në dispozicion të atyre që duan të shkojnë në Jug. Progres ka shënuar edhe puna në rrugën e Arbrit, fal një PPP ajo rrugë do lidhet me kryeqytetin, do jetë një territor i ri që do zbulohet në sytë tanë. Ka përfunduar edhe odiseja për çeljen e tunelit panoramik të Pogradecit. Pritet të nisin punimet për aksion Milot- Balldren dhe Orikum-Dukat, projekt që duam t’i bashkojmë edhe tunelin e Llogarasë. Ka nisur studimi i zonës dhe së shpejti nis projekti. Më tej prioritet mbetet nisja e punës për rrrugën Shëngjin-Velipojë, po ashtu rruga e Thethit. Nga ana tjetër edhe rruga e Semanit do të nisë në kuadër të një programi që do fokusohemi nga shtatori i këtij viti deri në korrik 2020. Do nisim së shpejti rrugën e Himarës dhe Vlorës, që do ketë lidhje edhe me Tepelenën, do vijmë me projekte domethënëse edhe për Beratin e Gjirokastrën. Padiskutim që edhe Shkodra do jetë zonë me prioritet strategjik, kam parasysh gjithë rajonin e Shkodrës. Kemi një sërë projektesh aty, që nga projektet e nisura apo të mbetura në start për shkak të murit të shurdhër të bashkisë Shkodër, mur i cili tani u shemb deri tek disa projekte më të gjëra, që shkojnë deri në Alpe. Nga ana tjetër do kemi prioritet Pogradecin, edhe aty kemi pasur pamundësi komunikimi me bashkinë. Tre parqe të mrekullueshme rezultojnë pa akses: Lura, Korabi dhe Sherbeniku, do fokusohemi edhe këtu. Do ecim edhe me projektin e rrugës Berat-Fier. Paralelisht me turizmin do zhvillojmë disa projekte që lehtësojnë fermerët, sipërmarrësit në bujqësi. Ka filluar projekti 100 fshatrat, pra deri në korrikun e ardhshëm do kemi një volum domethënës në infrastrukturë’, – sqaroi Rama.

Ndër të tjera, i pari i qeverisë tha se: “Financat publike janë të qëndrueshme, ndërsa borxhi rezulton me ulje në krahasim me qershorin e vitit të shkuar. Tregtia me jashtë si eksportet bujqësore kanë shënuar rritje me 12%, importi rritje me 1,2%. Dua ta theksoj fort që kemi hyrë në një fazë të re të një lufte pa kompromis për të garantuar sigurinë ushqimore përmes ndryshimeve në Kodin Penal dhe sanksionet për shkelësit, sipërmarrësit e prodhimeve ushqimore, ndëshkimet janë tejet të rënda. Ne nuk do ndalemi në goditjen e atyre që abuzojnë me sigurinë e ushqimit”,- theksoi ai.

S'KA KOMENTE