Koncesioni i sterilizimit, Rama vlereson punen e SPAK dhe GjKKO

Koncesioni i sterilizimit, Rama vlereson punen e SPAK dhe GjKKO

51
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi urdhërarrestet e lëshuara nga SPAK dhe GJKKO për koncesionin e sterilizimit.

Kreu i qeverisë falënderoi dy institucionet për punën e bërë, duke theksuar se qeveria nuk do e pengojë drejtësinë në rrugën e vet.

Puna e pandërprerë e SPAK-ut dhe GjKKO edhe në gusht meriton respekt e falenderime! Me këtë rast le të rikujtojmë  kush e premtoi, filloi dhe mundësoi Reformën në  Drejtësi, pas një kohe të gjatë lëngimi të Shqipërisë në batakun e padrejtësisë, kur askush s’kishte guxim as ta mendonte, jo ta bënte drejtësinë të pavarur nga qeveria”, deklaron Rama.

Teksa risolli në vëmendje premtimin e bërë në 2013 për reformën në drejtësi, kryeministri deklaron se Partia Socialiste e ka mbajtur premtimin për ndërtimin e një sistemi drejtësie të re e të pavarur, që do t’i japë fund pandëshkueshmërisë.

“SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit nuk ranë nga qielli, po erdhën në jetë si shprehje e vullnetit të sinqertë e të palëkundshëm shtetndërtues. Nuk ishin fjalë të bukura si ato të 100 vjetëve të shkuara me radhë, kur unë dhe Partia Socialiste iu zotuam popullit shqiptar, se do të ndërtojmë një drejtësi të re, të pavarur, europiane, që do t’i japë fund kancerit të pandëshkueshmërisë.

Kjo drejtësi sot ka lindur e po rritet përditë, sepse Partia Socialiste e Shqipërisë mbajti zotimin e saj më solemn e më të vështirë për të realizuar, përballë 100 viteve përqeshjeje me drejtësinë në historinë e shtetit shqiptar, kur nuk u prek kurrë dot nga drejtësia asnjë individ i pushtetshëm apo i lidhur me pushtetin, ku drejtësia ishte një shëmtirë e fortë me të dobëtit dhe e dobët me të fortët”, tha ai.

Rama theksoi se me ardhjen në pushtet, PS-ja e ka mbështetur pa kushte luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me qëllimin e vetëm për Shqipërinë Europiane.

“Disa flasin sot sikur SPAK-u është dallga e Zotit dhe qeveria porti i Djallit. Po ata harrojnë se dallgën e drejtësisë e ka ngritur në krye të herës guximi, vullneti dhe ambicia për Shqipërinë e pikërisht kësaj qeverie, e cila ndryshon si dita me natën me ato të mëparshmet e 100 vjetëve pengmarrje të drejtësisë. Kjo qeveri dhe askush tjetër e hapi me gjoks rrugën e drejtësisë së re dhe kurrë nuk do ta pengojë drejtësinë në rrugën e vet, kudo ku ajo të hyjë, brenda qeverisë, rrotull saj, mbrapa saj apo nën ombrellën e saj.

Falë besimit se ky vend bëhet dhe fuqisë së kësaj qeverie për të hequr dorë nga kontrolli i drejtësisë, e për ta mbështetur atë pa kushte kundër korrupsionit e krimit të organizuar, Shqipëria Europiane, që po hedh shtat dita – ditës mes 1000 sfidave, pengesave e vështirësive, do t’i provojë vetes e botës se historia nuk është një mallkim i përjetshëm, se historinë janë vetë njerëzit e çdo gjenerate që e shkruajnë me forcën e ëndrrave, shpresave, këmbënguljes së tyre dhe se në ngjitjen drejt majës që meritojnë brezat që vijnë, këtë vend nuk ka më forcë që ta ndalë të shkruajë një histori të re”, përfundon Rama.

Një ditë më parë, SPAK bëri me dije se në lidhje me koncesionin e sterilizimit u lëshuan 8 urdhërarreste për biznesmenë, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë.

SPAK bëri me dije se ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, i lënë në “arrest në burg”, akuzohet për veprën penale “Falsifikim i dokumentave”, ndërsa biznesmeni Ilir Rrapaj, po ashtu me masë sigurie “arrest në burg”, akuzohet për “Mashtrim”.

Shefi i Kirurgjisë në QSUT, Arben Gjata, Naile Ajazi, Genc Burazeri dhe Pertef Mersini, të lënë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, akuzohen për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.

Ndërkohë, ndaj Saimir Kadiut, drejtor ekonomik, dhe Marsela Serjanajt, drejtoreshë juridike, të lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, rëndojnë dy akuzat “falsifikim i dokumenteve” dhe “shpërdorim detyre”.

SPAK njoftoi se hetimet vazhdojnë në drejtim të evidentimit të përgjegjësisë penale të personave të tjerë të cilët gjatë kësaj procedure kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës.

S'KA KOMENTE