Këta janë 5 personat më të rrezikshëm në Shqipëri te kerkuar nga...

Këta janë 5 personat më të rrezikshëm në Shqipëri te kerkuar nga policia

1986
SHPËRNDAJE

Policia e Shtetit përmes një njoftimi të dhënë për mediat, ka zbuluar 5 personat më të kërkuar në Shqipëri, ndërsa në ditët në vijim do të publikohen të dhënat e 50 prej tyre.

Këta persona janë të kërkuar për vepra të rënda penale, dhe u janë dhënë dënime në mungesë nga përjetë në 25 vite burg.

Të 5 personat e shpallur në kërkim që janë publikuar sot kanë marrë dënim me burg përjetë.

Policia e Shtetit kërkon edhe bashkëpunimin e qytetarëve që pas çdo publikimi të fotove të personave në kërkim, në rast se disponojnë informacion mbi vendndodhjen e tyre, të njoftojnë në “Komisariatin Dixhital” apo numrin falas 112, duke u siguruar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.

1.  Dritan Syziu (Ndoj) i dënuar me burg përjetë për vrasje

Dritan Syziu, i njohur ndryshe dhe si kreu i bandës së Mirditës, bashkë me disa persona të tjerë qëlluan për vdekje një punonjës policie si dhe plagosën tre të tjerë. Dritan dhe Nikoll Syziu u dënuan me burgim të përjetshëm. Bardhok Syziu u dënua me 15 vjet burgim, ndërsa tre të pandehurit e tjerë Tom Gjoka, Tom Syziu dhe Arjan Reçi u dënuan me nga 14 vjet burgim.

Ngjarja për të cilën u dënuan ka ndodhur Mirditë, ku mbeti i vrarë punonjësi i Policisë Gjon Paçuku. Dritan Syziu, Nikoll Syziu, Bardhok Syziu, Tonin Gjoka e Arjan Reci vendosën që të grabisnin disa pjesë këmbimi për makina në një parking pranë ish-SMT-së së qytetit.

I trembur, roja e parkingut njofton forcat e Policisë për ngjarjen që po ndodhte. Menjëherë në vend paraqiten efektivat e Policisë, të cilët mendonin se kishin të bënin me një vjedhje modeste. Pasi kanë parkuar makinën jashtë SMT-së, i kanë kërkuar anëtarëve të bandës që të dorëzohen

2. Altin Arapi (Berzati), i dënuar për vrasje, me burgim të përjetshëm

Altin Arapi, është një prej anëtarëve të bandës ‘’Hakmarrja për Drejtësi”, i cili akuzohet për vrasjen e shoferit të Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku.  Brukseli refuzoi ekstradimin e Altin Arapit me një vendim ku, ndër të tjera akuzon autoritetet shqiptare se, kanë tentuar të manipulojnë dhe përdorin policinë belge. I njohur si refugjat politik në Belgjikë, Arapi e ka ccuar ccështjen e tij dhe në Gjykatë e Strasburgut, pa mundur dot që të triumfojë, duke mbetur ende në kërkim në shtetin shqiptar.

3. Eduart Kurti, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje në bashkëpunim

Kurti, i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy vëllezërve në Tiranë, më 1 dhjetor të vitit 2012, konsiderohet si një nga personat më të rrezikshëm.

Ngjarja për të cilën ai është shpallur fajtor nga Gjykata, ka ndodhur në rrugën “Irfan Tomini”, ku ai ka ekzekutuar me plumb në kokë dy vëllezërit Iglent e Sokol Haxhialiu, brenda makinës së tyre. Menjëherë pas vrasjes, ai është larguar duke u ndihmuar nga një person tjetër dhe që nga ai moment, Policia nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e tij.

VELLEZERIT E VRARE

Dy vëllezërit që u ekzekutuan me plumba në kokë mbrëmjen e datës 1 dhjetor 2012 në Tiranë(Iglent Haxhialiu, 44 vjeç, dhe Sokol Haxhialiu, 41 vjeç, që njihej edhe me emrin Nikola) ishin pronarë të disa bizneseve në Tiranë dhe në Vlorë. Vëllezërit nga Berati, prej disa vitesh jetonin në Tiranë në zonën e ish-Bllokut dhe kishin në pronësi 3 apartamentet e katit të gjashtë të një pallati.

Iglenti ishte i martuar dhe në atë kohë dy djemtë e tij ishin njëri 17 dhe tjetri vetëm 1 vjeç. Ndërsa Sokoli (Nikola), i cili ishte duke drejtuar makinën tip “Mazda” me targë TR 9205 S kur ndodhi vrasja, ishte beqar. Viktimat kishin në pronësi një biznes bojërash dhe këtë aktivitet e ushtronin kryesisht në rikonstruksionin e pallateve, kryesisht në zonën e ish-Bllokut, gjithashtu merreshin edhe me shitblerje të pasurive të patundshme.

Ata posedonin edhe një hotel luksoz në zonën e Dhërmiut në Vlorë, paratë për ndërtimin e të cilit dyshohet se ia kishin marrë borxh, autorit të dyshuar të ngjarjes, Eduart Kurti. Prej disa muajsh, Kurti kishte nisur t’ua kujtonte borxhin dhe interesin prej 5 për qind, të shumës 200 mijë dollarë që ata i kishin marrë hua. Për këtë arsye dyshohet të ketë ndodhur edhe krimi i dyfishtë, në makinën me të cilën udhëtonin vëllezërit.

4. Gentian Tako i dënuar përjetë për vrasje me dashje, në lidhje me një krim tjetër. Ai është shpallur në kërkim nga policia e Tiranës për vrasje të ndodhur në kryeqytet.

5. Gëzim Mehmeti i dënuar me burg përjetë për vrasje. Mehmeti akuzohet për një vrasje të ndodhur në qytetin e Vlorës.

Njoftimi i plotë i policisë:

50 personat më të kërkuar në Shqipëri, objekt i punës së Njësisë së Kërkimit.

Në kuadër të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nisur nga rrezikshmëria e theksuar e secilit prej personave, bazuar në veprën penale që ka kryer dhe në masën e dënimit të marrë nga gjykatat, duke filluar nga masa më e rëndë, burgim i përjetshëm dhe deri në 25 vjet burgim, është përcaktuar lista me 50 personat më të kërkuar, që do jenë objekt i punës së forcës së posaçme.

Njësia e Kërkimit do të marrë gjithë masat e duhura për realizimin e kërkimit të këtyre personave dhe kapjen e tyre, duke bashkëpunuar me strukturat përkatëse në Drejtoritë Vendore të Policisë, si dhe me strukturat homologe të vendeve evropiane që bëjnë pjesë në rrjetin ENFAST.

Policia e Shtetit është e vendosur për të kapur dhe çuar para drejtësisë të gjithë personat e kërkuar dhe në këtë kuadër kërkon edhe bashkëpunimin e qytetarëve që pas çdo publikimi të  fotove të personave në kërkim, në rast se disponojnë informacion mbi vendndodhjen e tyre, të njoftojnë në “Komisariatin Dixhital” apo numrin falas 112, duke u siguruar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.

S'KA KOMENTE