Kërcënohet nga zjarri fshati Mashkullorë në Gjirokastër,kerkohet evakuimi banoreve

Kërcënohet nga zjarri fshati Mashkullorë në Gjirokastër,kerkohet evakuimi banoreve

52
SHPËRNDAJE

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka bërë një skaner të situatës së zjarrve në vend, ku tha se një vatër e rrezikshme është ajo që ka rënë së fundi në fshatin Mashkullorë të Gjirokastrës, ku flakët po përparojnë drejt banesave.

Peleshi kërkoi nga banorët që të pranojnë të evakuohen, ndërsa tha se drejt zonës është nisur një helikopter i forcave të ushtrisë, si dhe 50 FA.

Ministri u shpreh gjithashtu se në Llogara po përpiqet të krijohet një kanal, që zjarri mos të hyjë në brendësi të parkut, të paktën deri në orën 06:00 të mëngjesit të nesërm, kur pritet dhe ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë që do të mbërrijnë nga Hollanda.

Peleshi:

Kemi mundur që të fikim deri tani 163 zjarre, kemi një vatër të rrezikshme në fshatin Mashkullorë në Gjirokastër, ku dërguam një numër të madh forcash ushtarake. Vatra më serioze është ajo e Kukësit në Veri, ku nuk rrezikohen banesa, për të shkuar në luginën e Valbonës, e cila është nën kontroll, për momentin nuk rrezikohen banesa, por asnjëherë nuk mund të vëmë bast për këtë. 

Të gjitha këto vatra janë në kontroll. Gjirokastra na kushtoi jetë, ngushëllime për familjen, bashkëshortja e të ndjerit është ende e shtruar në spital, i urojmë shërim të shpejtë, patëm disa dëme aty, në këto fshatra vazhdojmë të punojmë, me një grup prej 100 anëtarësh të Forcave të Armatosura për të shmangur rindezjen e tyre. 

Në Mashkullorë kemi një vatër jashtëzakonisht të rrezikshme, dërguam 50 trupa dhe helikopterë, bëj thirrje që banorët të evakuohen, pasi zjarri po i afrohet fshatit. Në Llogara, në frontin e Parkut të Llogarasë, ku zjarri kërcënon një nga bukuritë më të rralla tona, shumë trupa kanë punuar atje, më kanë prekur me sakrificën që ata bëjnë, dhe deri te një personazh që nuk më mërzitet njeri, ky është prefekti i Vlorës, që e ka kaluar natën në Karaburun së bashku me forca tona ajrore. 

Mirënjohje e jashtëzakonshme në emër të çdo shqiptari, dhe padyshim mirënjohje për Forcat tona të armatosura, që sa herë të më jepet rasti do bëj të njohur punën e tyre. Strategjia është që ta mbajmë zjarrin deri në orën 06:00 të mëngjesit të ditës së nesërme, kur do të vijnë dhe dy helikopterët nga Holanda. Deri atëherë jemi në frontin e luftës, jemi shumë optimistë, kemi 60 forca speciale nën drejtimin e komandant Pëllumbit.

Informacioni zyrtar i dhënë nga Ministria e Mbrojtjes:

ZJARRET NË VEND, U SHUAN 163, MBETEN ENDE 10 VATRA AKTIVE

Si pasojë e temperaturave të larta, gjatë 10 ditëve të fundit vendi ynë është përballur me situata problematike zjarri, të cilat kanë rrezikur jetë njerëzish, banesa, gjënë e gjallë, trashëgimi kulturore, zona pyjore dhe parqe arkeologjike.

Në të gjithë territorin deri tani janë shuar 163 zjarre, për të cilat janë angazhuar 1289 Forca të Armatosura me 146 mjete të FA, 143 mjete zjarrfikëse, 1052 forca zjarrfikëse dhe 441 forca të tjera nga emergjencat civile.

SITUATA E ZJARREVE GJATE DITËS SË SOTME;

Vlorë, Gadishulli i Karaburunit – Situata e zjarrit nuk paraqet rrezik për Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Vatra po mbahet nën kontroll.

Kukës – Në majën e Runës gjithashtu flakët po mbahen nën kontroll nga ajri dhe toka. Flakët janë në drejtim të fshatit Shemri, por pa rrezik pasi është në distancë të largët.

Mirditë – Dy vatra zjarri ndodhen përkatësisht në fshatin Thirrë dhe Munellë. Situata aktualisht është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik.

Vermosh – Në Malësinë e Madhe zjarri po mbahet nën kontroll dhe nuk paraqet rrezikshmëri.

Tropojë – Është bërë i mundur izolimi i flakëve në Betosh dhe Shëngjergj.

Shkodër – Një tjetër vatër në Theth është izoluar dhe po monitorohet. Nuk paraqet rrezik.

Zjarri në fshatin Cukal është drejt shuarjes përfundimtare.

Lugina e Valbonës – Zjarri në Margegaj është në zonë shkëmbore dhe nuk paraqet rrezikshmëri.

S'KA KOMENTE