Kapen në Spanje dy vëllezërit që i bënë atentat biznesmenit

Kapen në Spanje dy vëllezërit që i bënë atentat biznesmenit

280
SHPËRNDAJE

Dy vëllezërit e shpallur në kërkim për tentativën e vrasjes së biznesmenit Dashamir Gjoka janë arrestuar në Valencia të Spanjës, së bashku me një tjetër shqiptar të kërkuar nga drejtësia italiane.

Mësohet se në pranga kanë rënë vëllezërit nga Shijaku, Enkel dhe Morel Kortelli, përkatësisht 37 dhe 41-vjeç të cilët akuzohen se në vitin 2017, ndoqën me automjet dhe hapën zjarr ndaj makinës së biznesmenit Gjoka, në Xhafzotaj, duke e qëlluar mbi 15 herë me automatik.

Gjoka, person me probleme të shumta me drejtësinë, shpëtoi pa lëndime pasi lëvizte me makinë të blinduar. Ai ka qenë në shënjestër të operacionit “OFL” në Shqipëri, ku i janë sekuestruar disa biznese dhe makina e blinduar. Gjoka ka precedentë të mëparshëm kriminalë në Itali ku është dënuar me mbi 10 vite burg për shfrytëzim prostitucioni dhe trafikim të qenieve njerëzore.

Dy vëllezërit Kortelli u arrestuan në një vilë luksoze në Riba-roja del Turia, në periferi të Valencias, gjatë një aksioni Grupi i Operacioneve Speciale në Policinë Kombëtare të Spanjës.

Shqiptari tjetër i arrestuar ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane. Identiteti i tij nuk është bvërë i ditur. Ai përshkruhet si koka e një organizate kriminale tepër të rëndësishme që merrej me trafikun e drogës në Itali.

Hetimet nisën më 26 korrik 2021 kur u mësua prania në Spanjë e tre të arratisurve të rrezikshëm, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur, të kërkuar nga autoritetet italiane dhe të lidhur me trafikun e lëndëve narkotike në të gjithë territorin europian.

Gjithashtu, hetimet e kryera nga agjentët spanjollë bënë të mundur identifikimin e lidhjeve të të arrestuarve me organizata të Amerikës së Jugut që kryenin furnizimin me drogë, raporton newsbomb.al.

Autoritetet në Spanjë thonë se operacioni për arrestimin e shqiptarëve ka qenë tepër i vështirë, për shkak të karakterit të tyre të dhunshëm dhe aftësive për të përdorur armët që i kishin mësuar në vendin e tyre të origjinës, në Shqipëri.

Drejtuesi i organizatës kriminale ndodhej në qytetin e Valencias, ku fshihej duke përdorur një identitet të rremë, ndërsa dy të kërkuarit e tjerë u gjetën dhe u arrestuan në qytetin e Valencias, Riba-roja del Turia.

Gjatë kontrollit në banesën e tyre janë gjetur pasaporta false maqedonase dhe italiane, të lëshuara në emër të njërit prej të arrestuarve.

S'KA KOMENTE