Ja çfarë u zbulua në bisedat e Whatsapp te kreut të sindikatës...

Ja çfarë u zbulua në bisedat e Whatsapp te kreut të sindikatës së Pavarur të Kontrollit Ajror

453
SHPËRNDAJE

Bisedat në “Whatsapp” mes kontrollorëve të trafikut ajror, duket se janë prova e prokurorisë për ndalimin e tre prej tyre që akuzohen për ndikimin tek vartësit e tyre për të plotësuar formularin e paaftësisë së përkohshme për punë, me qëllim shmangien nga detyrimi ligjor, për të ushtruar detyrën e tyre funksionale në institucionin e rëndësisë së veçantë.

Katër oficerë të Policisë Gjyqësore deklarojnë në procesverbalin për ndalimin e Armando Fezgës, Kreu i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, se ndalimi i krye me iniciativën e policisë për shkak të gjendjes së ngutshme, sepse ai ka rrezik ikjeje dhe dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” kryer në bashkëpunim.

Më datë 7 prill në sekretarinë e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë është depozituar materiali kallëzues i dërguar nga Shoqëria Albcontrol sh.a., si dhe materialit kallëzues të referuar nga shërbimet e policisë gjyqësore në Komisariatin e Policisë Rinas, me anë të së cilës janë kallëzuar penalisht shtetasit Flora Ndreca, Muhin Mezini dhe Armando Fezga, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të tilla si këqyrja e aparatit celular në posedim nga shtetasit Armando Fezga është konstatuar se ky shtetas ka komunikuar nëpërmjet aplikacionit WhatsApp me shtetasin Eldi Dervishi të cilit më 6 prill ora 11:34 i shkruan “Nokut ia ka plotësu Lola gjërat dhe po pret turnin e dytë që ta nisi, turni i parë ACC e kanë gati. Hë në fund do e nisin”. Më pas në komunikimin në grup të datës 6 prill ora 04:25 kontakti i regjistruar me emrin “Hajredini” i shkruan shtetasit Armando “po unë them duhet të bëni dhe lokal, jo vetëm atë”, ndërsa kontakti Klesti shkruan “Mylle kullën”. Shtetasi Hajredin i përgjigjet “se nuk pi ujë, guxim kam po jo deri këtu, se ato letra i djeg maxi, me çakmak mbrapa ndërmarrjes”.

Nga përmbajtja e bisedave të zhvilluara mes tyre nga shtetasi Armando Fezga me persona të ndryshëm rezulton që ky shtetas në datë 7 prill ka rezervuar gjithsej 25 dhoma dyshe për stafin e kontrollorëve të Albcontrol sh.a. në Hotel Airoport Tirana.

Gjithashtu, nga deklarimet provohet se shtetasi Flora Ndreca, Armando Fezga dhe Muhin Mezini në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë ndikuar tek vartësit e tyre për të plotësuar formularin e paaftësisë së përkohshme për punë, me qëllim shmangien nga detyrimi ligjor, për të ushtruar detyrën e tyre funksionale në institucionin e rëndësisë së veçantë. Kryerja e këtyre veprimeve në datat 6 prill dhe 7 prill kanë sjellë pasoja duke nxjerrë jashtë funksionit kullën dhe aeroportin “Nënë Tereza”, Tiranë duke mos bërë të mundur uljen dhe ngritjen e avionëve. Këta shtetas me veprimet dhe mosveprimet e tyre, në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë sjellë pasoja të rënda në dëm të shtetasve (udhëtarëve) si dhe personit juridik.

I ndaluari Fezga ka firmosur procesverbalin pasi ka shkruar se kundërshton pretendimet në këtë dokument.

S'KA KOMENTE