Impianti fotovoltaik i Karavastasë, kompania aplikon për licencë prodhimi në ERE

Impianti fotovoltaik i Karavastasë, kompania aplikon për licencë prodhimi në ERE

152
SHPËRNDAJE

Karavasta Solar” kompania e regjistruar në Shqipëri nga Voltalia dhe që ka përgjegjësinë e zbatimit të impiantit fotovolktaik të Karavastasë ka aplikuar pranë Entit Rregullator të Energjisë për t’u licencuar në veprimtarinë e prodhimit.

Enti pritet që të marrë në shqyrtim këtë aplikim në mbledhjen e radhës që sipas programit është këtë javë.

Një ndër pikat e mbledhjes parashikon “fillimin e procedurës për licencimin e shoqërisë “Karavasta Solar” sh.p.k., në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike nga centrali fotovoltaik me vendndodhje në zonën e Remasit – Karavasta, Lushnje dhe Libofshë, Fier, me kapacitet të instaluar 140 MW”. Impianti i Karavastasë është një investim i parashikuar në vlerën 100 milionë euro dhe tashëm ka kaluar një sërë hallkash të rëndësishme ku më i fundit ishte ai i korrikut kur Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen e ndërtimit të projektit. Nga raportimet që kompania ka bërë pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë pritet që ndërtimi të nisë në pranverën e 2022-it.

Impianti i Karavastasë

Qeveria zhvilloi procedurën për impiantin e Karavastasë gjithë vitit 2020 dhe shpallja e kompanisë fituese në këtë rast Voltalia u bë në muajin maj të po atij viti. Kompania ofroi një çmim 24,89 euro për megavat, shumë më i favorshëm sesa tavani prej 55 eurosh për megavat që kishte vendosur më herët Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në dokumentet e saj.

Parku fotovolatik i Karavastasë është projektuar me fuqi 140 MW, ku 70 megavat janë të ndara për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar. Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vite dhe do të blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë.

Voltalia më pas mori pjesë dhe u shpall fituese edhe për ndërtimin e një tjetër impianti siç është ai i Spitallës. Në mars të këtij viti qeveria hapi ofertat për ankandin ku kompania ofroi një çmim 29.89 euro/MWh.

Sipërfaqja ku do të ndërtohet parku është 120.85 hektarë. Parku Fotovoltaik i Spitallës do të ketë një kapacitet të instaluar prej 100 Mw nga të cilat 70 Mw do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nëpërmjet një kontrate për blerjen e energjisë me çmim të paracaktuar dhe 30 Mw do të tregtohen në treg të lirë.
Burimi /MONITOR/

S'KA KOMENTE