ILD inspektim ne Gjykaten Fier dhe disa rrethe mbi kushtet dhe kriteret...

ILD inspektim ne Gjykaten Fier dhe disa rrethe mbi kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit.

450
SHPËRNDAJE

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka nisur inspektimin në disa prokurori të vendit nga veriu në jug, për mënyrën si caktohen masat e sigurisë.

Në një njoftim për media, ILD thekson se ka nisur procesi hetimor dhe procedimi disiplinor ndaj 18 magjistratëve (gjyqtarë e prokurorë) në Gjykatat e Prokuroritë e Rretheve Elbasan, Vlorë, Dibër, Tropojë, etj., mbi problematika që lidhen me institutin e lirimeve para kohe me kusht, zvarritje të procedurave të hetimit e proceseve gjyqësore, si dhe shkelje të rënda etike.

Gjithashtu, ILD njofton se “Kanë nisur inspektimet tematike e institucionale pranë gjykatave, zyrave të prokurorive dhe administratave të tyre, me objekt respektimin e legjislacionit procedural penal, mbi kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit. Ky inspektim po kryhet pranë prokurorive të rretheve gjyqësore Shkodër, Fier e Vlorë”.

NJOFTIM PER SHTYP:

Në përgjigje të interesit të disa gazetarëve për cështje specifike në trajtim, nënvizojmë qëndrimin, se Inspektori i Lartë i Drejtësisë përgjatë zhvillimit të procedurave të hetimit disiplinor, i kushton një rëndësi të veçantë të drejtës së informimit të publikut, por njëkohësisht duhet të garantojë edhe mbrojtjen e integritetit dhe figurën e magjistratit, interesat ligjore të personave të tretë, si dhe të kujdeset, që në kuadër të administrimit të të dhënave apo dokumenteve, të mos cenohet funksioni dhe qëllimi i veprimtarisë së zyrës së ILD-së.

Megjithatë në respekt të interesit të gazetarëve e të drejtës për informim publik, zyra e ILD bën të ditur se prej datës 1 shkurt 2020, kur nis veprimtaria e institucionit, janë mbi 3900 ankesa, që po administrohen dhe trajtohen. Bëhet fjalë për ankesat e paraqitura pranë ILD-së në këto 17 muaj, nga qytetarë apo institucione, por edhe një numër i madh praktikash dokumentare të trashëguara nga institucione të mëparshme, që kanë qenë përgjegjëse për procedimin disiplinor të magjistratëve, si dhe atyre, që kanë vepruar gjatë periudhës kalimtare 2017-2020, deri në ngritjen e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Ky fond i konsiderueshëm arkivor përbëhet nga ankesa të patrajtuara, ankesa të trajtuara pjesërisht apo në faza fillestare të shqyrtimit të tyre, si dhe raste të hetuara pjesërisht apo të papërfunduara nga ana e organeve të mëparshme, si Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, Këshilli i Lartë Gjyqësor, apo Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Procedurat e ndjekura nga organet e mëparshme për trajtimin e këtyre praktikave dokumentare, për shkak të kompetencave të kufizuara e të ndara ndërmjet organeve të ndryshme gjatë periudhës kalimtare, rezulton se janë zhvilluar në mënyrë jo të plotë dhe të pjesshme.

Me qëllim krijimin e një edukate, që shmang kulturën e pandëshkueshmërisë dhe harresës, Inspektori i Lartë i Drejtësisë po i shqyrton praktikat e trajtuara pjesërisht nga ana e organeve të mëparshme, përmes një metodologjie të posacme, të miratuar e publikuar në faqen zyrtare. Ankesat apo praktikat dokumentare, trajtohen sipas një radhe përparësie të bazuar në kritere si: data e dorëzimit, faza e trajtimit nga ana e organeve të mëparshme, tipologjia ose urgjenca e trajtimit të ankesës, respektimi i parimit të barazisë dhe objektivitetit, si dhe koha e nevojshme për shqyrtimin dhe vlerësimin e secilës praktikë dokumentare.

Pikërisht nga shqyrtimi i praktikave të shqyrtuara pjesërisht nga ana e organeve të mëparshme, si dhe ankesave të ardhura nga qytetarët pranë ILD-së, janë nisur procese hetimi dhe procedimi disiplinor ndaj 18 magjistratëve (gjyqtarë e prokurorë), në Gjykatat e Prokuroritë e Rretheve Elbasan, Vlorë, Dibër, Tropojë etj., mbi problematika që lidhen me institutin e lirimeve para kohe me kusht, zvarritje të procedurave të hetimit e proceseve gjyqësore, si dhe shkelje të rënda etike.

Paralelisht Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur inspektimet tematike e institucionale pranë gjykatave, zyrave të prokurorive dhe administratave të tyre, me objekt respektimin e legjislacionit procedural penal, mbi kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit. Ky inspektim po kryhet pranë prokurorive të rretheve gjyqësore Shkodër, Fier e Vlorë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë garanton opinionin publik se prioritet i punës së tij është shqyrtimi dhe vlerësimi me seriozitet i të gjitha pretendimeve të paraqitura, si nga qytetarët ashtu edhe institucionet, lidhur me veprimet, mosveprimet ose sjelljet e magjistratëve brenda apo jashtë funksionit të tyre.

S'KA KOMENTE