IKMT prish pishinat e “Prestige Resort”, turistët dalin të frikësuar, pronarët: Ndërhyrje...

IKMT prish pishinat e “Prestige Resort”, turistët dalin të frikësuar, pronarët: Ndërhyrje e paligjshme, presion politik

540
SHPËRNDAJE

Ministria e Brendshme, njofton se, sot strukturat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë rifilluar operacionin “Bregdeti Ynë”, i cili është ndërprerë gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht, për të rinisur në shtator. Në kohën kur IKMT ka ndërhyrë, dhomat e resortit kanë qenë të mbushura me turistë. Këta të fundit kanë dalë të frikësuar nga ambientet e akomodimit, ndërsa nuk kanë kuptuar atë që po ndodh.Në njoftimin për mediat, ministria sqaron se “ky operacion ka synuar rivendosjen e ligjshmërisë në bregdet dhe deri tani ka prishur 434 objekte të paligjshme në vijën bregdetare”.

Sot strukturat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë vijuar operacionin në bregdet për të prishur edhe një ndërtim në resortin “Prestige” në Malin e Robit.
Ministria e Brendshme shton se, “ndërhyrja e sotme për rikthimin e rreth 4 mijë metrave katrorë rërë e det të kthyera në beton, përpara një resorti ku një pjesë e zhvillimeve edhe në brendësi të zonës së pishave janë ndërtime të paligjshme për qëllime fitimi, është trajtuar nga mediat e zotit Irfan Hysenbelliu si sulm ndaj linjës editoriale të tyre”.

Resorti në fjalë ku po kryen shembje IKMT, është në pronësi të botuesit Irfan Hysanbelliu, po ashtu pronar i grupit editorial përbërë nga News24, Balkanweb dhe Panorama. Disa të këtij grupi, thonë se pishinat nuk janë abuzive dhe se “urdhri i prishjes është dhënë nga kryeministri Edi Rama si formë hakmarrje politike kundër linjës editoriale të mediave të Hysenbelliut që prej disa kohësh kanë një qëndrim kundër qeverisë”.Reagime të forta kundër aksionit të IKMT, ka pasur edhe nga ana e opozitës, të cilët e kanë cilësuar si një sulm personal ndaj pronarit të resortit.

Reagimi i Ministrisë së Brendshme:
Sot strukturat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë rifilluar operacionin “Bregdeti Ynë”, i cili është ndërprerë gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht, për të rinisur në shtator.
Ky operacion ka synuar rivendosjen e ligjshmërisë në bregdet dhe deri tani ka prishur 434 objekte të paligjshme në vijën bregdetare.
Ndërhyrja e sotme për rikthimin e rreth 4 mijë metrave katrorë rërë e det të kthyera në beton, përpara një resorti ku një pjesë e zhvillimeve edhe në brendësi të zonës së pishave janë ndërtime të paligjshme për qëllime fitimi, është trajtuar nga mediat e zotit Irfan Hysenbelliu si sulm ndaj linjës editoriale të tyre.
Nuk është hera e parë që mediat News24, Balkanweb dhe Panorama synojnë të mbulojnë problemet e pronarit të tyre me ligjin, duke marrë rolin e viktimës së lirisë së shtypit.
Edhe më keq se kaq, këto media e kanë bërë mesa duket rrugë përdorimin e shantazhit, shpifjes dhe denigrimit ndaj autoriteteve shtetërore, sa herë zoti Irfan Hysenbelliu ka rënë në rrjetën e kontrolleve ligjore.
Pre e kësaj mënyre të ulët të keqpërdorimit të mediave si imunitet ndaj ligjit të pronarit, kanë rënë kohët e fundit drejtori i tatimeve dhe më pas drejtori i doganave.
Ata u kthyen në shënjestra fushatash denigruese të Neës24, BalkanËeb dhe Panorama, sepse agjencitë e të ardhurave të shtetit konstatuan një evazion fiskal me përmasa shqetësuese në biznese të lidhura me zotin Irfan Hysenbelliu.
Sot këto media e kanë nisur ditën me shantazhe, shpifje dhe me denigrimin e drejtores së sapoemëruar të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Ato kanë thënë se drejtori i këtij Inspektoriati paska dhënë dorëheqjen sepse ka kundërshtuar rifillimin e operacionit “Bregdeti Ynë” me pikërisht aksionin për çbetonizimin e plazhit dhe detit para resortit të zotit Irfan Hysenbelliu. Kjo është krejtësisht e pavërtetë.
Zoti Ajet Zyberi do të drejtojë operacionin e ri kombëtar të Task Forcës kundër lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, i cili do të nisë javën e ardhshme pas shpalosjes së planit të qeverisë për të përballuar vjeshtë-dimrin në kushtet e krizës ndërkombëtare të energjisë.

S'KA KOMENTE