Hetim të thelluar ndaj ‘Bankers Petroleum’pas konfliktit me Tosk Energji

Hetim të thelluar ndaj ‘Bankers Petroleum’pas konfliktit me Tosk Energji

1099
SHPËRNDAJE

Pas hetimit paraprak në fillim të këtij viti, Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se ka hapur së fundmi një hetim te thelluar ndaj kompanisë Bankers Petroleum pas ankesës nga ndërmarrja Tosk Energji SHA (Tosk) dhe Al.Global Oil SHA për abuzimin me pozitën dominuese. Periudha nën hetim është vendosur të nisë nga 1 janari 2016 deri në 31 tetor 2019 ndërkohë që dalja me një raport përfundimtar duhet të bëhet brenda 6 muajsh nga nisja e hetimit. Duke bërë një paraqitje të përgjithshme të tregut referuar asaj çka është konstatuar më herët në një hetim paraprak Konkurrenca nënvizon se Bankers Petroleum ëshgtë prodhuesi më i madh i naftës bruto në vend për të tre vitet dhe duke paraqitur një qëndrueshmëri të pjesëve të tregut në vite.

“Pra vëmë re se pjesa e tregut të ndërmarrjes Bankers Petroleum Albania LTD ka patur një rënie të vogël nga viti 2016 duke ruajtur pjesën e tregut për vitet 2017 dhe 2018. Ndërsa volumi i prodhimit ka pësuar rënie nga viti 2016 në vitin 2018. Gjithashtu, rezulton se vetëm ndërmarrja Bankers Petroleum kryen operacione të eksportit të naftës bruto” thuhet në raportin e Konkurrencë.

Ky i fundit konstaton se gjatë periudhës nën hetim në tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto kanë operuar kryesisht shtatë kompani, të cilat kanë nënshkruar Marrëveshje Hidrokarbure me Albpetrol SHA për prodhimin dhe zhvillimin e vendburimeve ekzistuese të naftës dhe gazit. “Marrëveshjet Hidrokarbure jepen për një periudhë që nuk i kalon 25 vjet. Duke qenë se burimet natyrore të hidrokarbureve janë të kufizuara në numër dhe marrëveshjet për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburim janë me afate shumëvjeçare (deri në 25 vjet), mund të themi që barrierat për hyrjen e konkurrentëve në tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto janë barriera natyrore më tepër sesa ligjore. Gjithashtu, hyrja në tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj kërkon investime të mëdha, investime të cilat përbëjnë barriera të larta ekonomike për hyrjen në tregun përkatës” thuhet në dokument.

Lidhur me sjelljen në treg Konkurrenca konstaton se nga të dhënat e administruara gjatë hetimit vërehet se ndërmarrja Bankers eksporton pjesën më të madhe të prodhimit.

“Sipas Programeve të Punës dhe Buxhetit të Bankers-it për vitet 2016-2019, programe këto të aprovuara nga Albpetrol dhe AKBN, mbi kontratat e lidhura midis Bankers dhe ndërmarrjeve përpunuese të naftës bruto, përsa i përket përqindjes së shitjeve të parashikuara në tregun vendas rezulton se pjesa më e madhe e shitjeve, sipas kontratave të lidhura është për eksport, duke mos iu përmbajtur parashikimeve të Programeve të Punës dhe Buxhetit”nënvizon Konkurrenca.

Në vendimin e Konkurrencës thuhet se mes Bankers dhe Tosk Energji ka një marrëdhënie që zgjat prej disa vitesh lidhur me sasinë e furnizimit që i kalon e para të dytës por për vitin 2019 kjo është lënë e paspecifikuar.

“Sipas kontratës së vitit 2019 lidhur ndërmjet Bankers dhe Tosk Energji, për muajin Mars-Dhjetor sasia e furnizimit do të përcaktohet sipas marrëveshjes midis palëve,  duke e lënë atë të papërcaktuar. Bazuar në nenin 773 të Kodit Civil, paragrafi i parë: ‘Kur nuk është përcaktuar sasia e furnizimit nënkuptohet se marrëveshja është për sasinë që përkon me nevojat normale të palës që furnizohet deri në kohën e përfundimit të kontratës”. Kjo nënkupton faktin që sipas marrëveshjes së lidhur, Bankers duhet të furnizojë Tosk me një sasi nafte bruto e cila do të përmbushë nevojat normale të Rafinerisë së Ballshit” nënvizon Konkurrenca.

Duke sjellë në vëmendje marrdhëniet e Bankers me nënkontraktorët e tjerë por edhe situatën me rafineritë dhe kontratat mes të gjitha palëve Konkurrenca ka kërkuar më shumë informacion ndërkohë që ka marrë vendimin për hapjen e hetimit të thelluar.

“Referuar sa më sipër sjellja e ndërmarrjes Bankers Petroleum Albania Ltd mund të përbëjë një abuzim me pozitën dominuese që zotëron kjo ndërmarrje, në tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto, duke krijuar dyshimin e arsyeshëm se mund të jemi para shkeljes së nenit 9, të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, të ndryshuar” thuhet në vendim.

S'KA KOMENTE