Hapet kufiri Kosovë-Shqipëri, s’ka më ndalesa në fundjavë

Hapet kufiri Kosovë-Shqipëri, s’ka më ndalesa në fundjavë

35
SHPËRNDAJE

Sot ka nisur zbatimi i marrëveshjes për hapjen tërësore të kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, kështu që çdo fundjavë gjatë sezonit veror në pikat kufitare nuk do të ketë asnjë ndalim për kontroll dokumentesh apo policor.

Kjo është bërë e ditur gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive që u mbajt më 20 qershor 2022 në Prishtinë.

Në këtë mbledhje u bë e ditur se duke filluar nga “1 qershori deri më 30 shtator të gjithë qytetarët nga Kosova dhe Shqipëria çdo fundjavë do të kalojnë në kufijtë e dy vendeve pa pengesa.

“Prej 1 qershorit deri më 30 shtator, për çdo fundjavë, në kufijtë tonë, qytetarët do të kalojnë pa qenë nevoja të kontrollohen”, ishte shprehur ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Bledi Çuçi.

Ndërsa, ministri Xhelal Sveçla tha Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë një bashkëpunim të shkëlqyeshëm.

“Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, gëzojnë një bashkëpunim të shkëlqyeshëm, qoftë në luftimin e veprimeve ilegale. Sot do të nënshkruajmë marrëveshjen që deri në fund të shtatorit do të ketë kalim të lehtë të kufirit”, ishte shprehur Sveçla.

Marrëveshja u arrit në mbledhjen e fundit të përbashkët të dy qeverive.

Në këtë mbledhje është rënë dakord që çdo fundjavë nga një qershori deri në 30 shtator mes Kosovës dhe Shqipërisë të mos ketë asnjë ndalesë në kufi.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë arritur pajtueshmëri për 19 pika në sektorë të ndryshëm, në kuadër të mbledhjeve të përbashkëta tradicionale që mbahen ndërmjet dy shteteve.

Në takim, palët janë pajtuar për të punuar drejt lehtësimit të plotë të lëvizjes së lirë mes dy shteteve, më pas për të krijuar një platformë të përbashkët digjitale për promovim të turizmit të të dyja vendeve.

Në sektorin e transportit është arritur marrëveshje për një studim fizibiliteti që i hap rrugën ndërtimit të linjës hekurudhore Durrës – Prishtinë, projekt që mëton të lehtësojë transportin e njerëzve dhe mallrave./Fatos Shala

S'KA KOMENTE