Hahn per krizen politike ne Shqiperi: Detyre e qeverise te afroje opoziten

Hahn per krizen politike ne Shqiperi: Detyre e qeverise te afroje opoziten

26
SHPËRNDAJE

Në një intervistë ekskluzive me Deutsche Welle-n, komisioneri i zgjerimit, Johannes Hahn, thotë se imazhi aktual i Shqipërisë e vështirëson shumë një vendim pozitiv pro negociatave. Ai deklaron se është pro hapjes së tyre por se e vendosin vendet anëtare. Ai bën apel për dialog mes palëve.

DW: Zoti Hahn, në një intervistë të dhënë para ca kohësh e përshkruanit veten si zjarrfikës dhe arkitekt të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në Shqipëri të shtunën shpërtheu zjarri. në protestë Me cilat mjete do të ofroheshit ju për të qetësuar gjendjen?
Johannes Hahn: Unë e thashë këtë atëherë në përgjigje të një pyetjeje për përshkrimin e detyrës sime dhe kjo ka të bëjë edhe me vendet fqinje. Me këtë doja të thoja se nga njëra anë përpiqem t’i zhvilloj gjërat nga ana konceptuale e nga ana tjetër më duhet të jem edhe në rajon me shpresën për të zgjidhur ndonjë problem akut. Në rastin e Shqipërisë, dhe kjo vlen edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, mendoj se është perspektiva evropiane motivi kryesor dhe në këtë drejtim unë mund t’i inkurajoj të gjithë përgjegjësit politikë që t’i kthehen punës parlamentare. Është detyrë e qeverisë që t’i afrohet opozitës dhe detyrë e opozitës që të vetëpërfshihet në mënyrë konstruktive, kritike por edhe të angazhuar. Kemi të bëjmë edhe me imazhin që jep Shqipëria në planin ndërkombëtar.

A do të ndikojë ky imazh mbi vendimin për negociatat e anëtarësimit?
Natyrisht. Imazhi që lë një vend ka ndikim shumë të madh te vendimmarrësit në Bashkimin Evropian. Këta janë përfaqësuesit e popullit dhe qytetari i thjeshtë që shikon pamjet e transmetuara në televizion e ka të vështirë ta kuptojë kur dëgjon se ky vend na qenka gati për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE. Pra, edhe një herë apeli im për përgjegjësit është që të jenë të vetëdijshëm për këtë situatë dhe se dihet që një pamje flet më shumë se njëmijë fjalë.

Megjithatë ministri i shtetit, Michael Roth, në një intervistë për Deutsche Welle-n u shpreh pro hapjes së negociatave që në qershor.
Edhe unë jam për këtë, sepse negociatat e anëtarësimit ofrojnë pikërisht mundësinë që të ndikohet mbi zhvillimin e vendit në aspektin evropian me katalogun e vlerave evropiane dhe prandaj është më mirë që të fillohet sa më shpejt.

Në Maqedoninë e Veriut gjendja duket më premtuese se në Shqipëri. A ekziston mundësia që Maqedonia e Veriut të trajtohet më vete?
Synimi im është që të dy këto vende të trajtohen njëherazi, sepse edhe raportet do të vendosen njëherazi. Por unë nuk mund ta parashikoj se si do të vendosin vendet anëtare. Fakt është se Maqedonia e Veriut ka kontribuar shumë dhe konkretisht, jo vetëm në kuadër të kërkesave tona, por edhe duke kapërcyer grindjen për çështjen e emrit, por edhe me kapërcimin e konfliktit dypalësh me Bullgarinë, Maqedonia e Veriut ka krijuar kushtet që të jetë papritmas i vetmi vend në rajon, që nuk ka asnjë konflikt me fqinjët.

Pra, kjo do të thotë se, nëse Shqipëria nuk arrin të gjejë një kompromis, mund të çelen negociatat vetëm me Maqedoninë e Veriut?
Negociatat e zgjerimit janë një proces që bazohen në meritat dhe arritjet e secilit vend. Do të ishte e padrejtë, nëse një vend do të priste, sepse një vend tjetër nuk arrin rezultate.

S'KA KOMENTE