Gjyqtari i Fierit Piro Sota liroi vrasesit ne Ballsh,qytetarët kerkojne t’i hiqet...

Gjyqtari i Fierit Piro Sota liroi vrasesit ne Ballsh,qytetarët kerkojne t’i hiqet e drejta e profesionit

3814
SHPËRNDAJE

Argumenti i gjyqtarit Piro Sota bie ndesh me epikrizën e dhënë nga bluzat e bardha që ditën kur 57-vjeçari u paraqit në spital për ndihmë mjekësore. Sipas mjekëve të spitalit të traumës, 57-vjeçari kishte 6 goditje në kokë, thyerje kafke dhe hematoma në shpatull. Pas dhunës më 28 janar, 57-vjeçari ra në koma cerebrale dhe pas një jave ndërroi jetë.

Për 3 të dyshuarit prokuroria kërkoi masën arrest me burg duke paraqitur si provë pamjet e kamerave të sigurisë në rrugën 5 shkurti në Ballsh si edhe dëshminë e pronarit të lokalit ku nisi konflikti mes viktimës Pelivan Sinanrrapaj dhe Ferdinand Merkaj, Fitim Zekaj e Festim Alimerkaj. Prokurorja Elida Hoxhaj kërkoi masën maksimale ndaj tyre me argumentin se ka prova që janë autorë të kësaj vepre të rëndë penale dhe sepse kanë tendencë që të largohen për t’iu fshehur drejtësisë.

Ndërsa në vendim gjyqtari Piro Sota shprehet se personat paraqesin rrezikshmëri të ulët shoqërore, nuk kanë tendencë të largohen, ndërsa tha se nuk ka pasur dijeni për dëmtimet që 57-vjeçari kishte pësuar nga dhuna, duke injoruar epikrizën e mjekëve. Në këto rrethana duke argumentuar edhe me situatën kovid në vend, ai i la autorët 2 në arrest shtëpie dhe 1 në detyrim paraqitje.

Në dëshminë e dhënë para oficerit gjyqësor, pronari i lokalit ku nisi konflikti Bilbil Shametaj i identifikoi të 3 autorët e dyshuar të ngjarjes. Ndërsa një nga të dyshuarit Fitim Zeka thotë se viktima ka shkuar drejt tij e ka qëlluar me pëllëmbë e më pas i ka ofenduar me fjalë banale. Pronari i lokalit i ka nxjerrë jashtë e më pas sherri ka vijuar në rrugë. Zeka pranon se e ka qëlluar vetëm me një shkelm, pas të cilit 57-vjeçari është rrëzuar në tokë dhe nuk është përmendur më.

Ndërsa i dyshuari tjetër Ferdinant Merkaj thotë se në lokal të dehur janë sharë me njëri tjetrin por se çfarë ndodhi më pas nuk i kujtohet. Për ngjarjen është thirrur të dëshmojë në polici më datën 29. Ndërsa i dyshuari tjetër nuk ka dhënë sqarime duke thënë se do të flasë më vonë pasi nuk është në gjendje.
Sidoqoftë, 3 shkaktarët e vdekjes së 57-vjeçarit janë të lirë, falë vendimit të gjyqtarit Piro Sota. Shpresa për drejtësi tani është Apeli i Vlorës, institucioni nga i cili tashme pritet vendimi për 3 të dyshuarit, pas apelimit të çështjes nga prokuroria.

S'KA KOMENTE