Gjykata e Beratit merr vendimin për ish/kryetarin dhe dy zyrtarët e bashkisë...

Gjykata e Beratit merr vendimin për ish/kryetarin dhe dy zyrtarët e bashkisë Kuçovë

4551
SHPËRNDAJE

Pas rreth 2-vitesh gjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat, kjo e fundit ka dënuar sot me “burg” ish/kryetarin e bashkisë Kuçovë, Bardhyl Gjyzeli dhe një ish/inxhinier të kësaj bashkie, ndërkohë që ka shpëtuar nga dënimi ish-drejtori i Urbanistikës, Gentjan Islami, për shkak të parashkrimit të afateve.

Ish-kryetari i bashkisë Kuçovë, Bardhyl Gjyzeli, ish-drejtori i Urbanistikës, Gentjan Islami dhe inxhinieri Gjergji Çërra po gjykoheshin për “Shpërdorim Detyre” në Gjykatën e Beratit.

Bashkë me ta në gjykim ishte edhe qytetari që ata favorizuan në dhënien e lejes së një objekti, shtetasi Arben Bilbili, që akuzohej për “Falsifikim dokumentesh” dhe “Dëshmi të rremë”.

Ka qenë gjyqtarja Entela Gjoni, ajo që ka vendosur sot shpalljen e tyre “fajtor” për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” si dhe dënimin e tyre me burg.

Gjyqtarja Entela Gjoni ka dënuar me 1-vit burg ish/kryebashkiakun e Kuçovës Bardhyl Gjyzeli, e konvertuar në 2-vjet “shërbim prove”, me 2-vite burg ish/inxhinierin Gjergji Çërra, e konvertuar në 4-vite shërbim prove dhe me 1-vit burg, e konvertuar në 2-vite shërbim prove qytetarin Arben Bilbili.

Nga dënimi, për shkak të parashkrimit të afateve të veprës penale, ka shpëtuar pa dënim vetëm ish-drejtori i Urbanistikës, Gentjan Islami.

NGJARJA

Kallëzimi penal ndaj kryebashkiakut Gjyzeli, ish-zyrtarëve të bashkisë Kuçovë dhe ndaj shtetasit Arben Bilbili ka filluar në datë 17 shtator 2019, pas denoncimit të bërë në Prokurorinë e Rrethit të Beratit nga dy qytetarët e Kuçovës, nënë e bir, Merjeme dhe Ervin Bilbili.

Ata u akuzuan nga nënë e bir për dhënien e lejes së ndërtimit të një objekti dykatësh rreth 5-vite pasi ndërtimi kishte përfunduar. Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria, rezultoi se leja e ndërtimit ishte nxjerrë nga bashkia e Kuçovës pasi kishte përfunduar ndërtimi i objektit dhe se i gjithë dokumentacioni ku ata ishin bazuar për të nxjerrë këtë leje, ishte i falsifikuar.

Në dosjen penale thuhej se në vitet 1992-1993,Merjeme Bilbili dhe bashkëshorti i saj Myfiti, që vdiq disa vite më vonë, kishin ndërtuar familjarisht një objekt në lagjen “Tafil Skëndo”,me funksion shërbimi “bar-kafe”.
Më pas ata kishin ngritur edhe katin e dytë të ndërtesës, që ka përfunduar në vitet 1995-1996,duke menduar se do të fillonin proceset që të pajiseshin me dokumentacion të rregullt ligjor.

Në vitin 2004 ata ishin njoftuar nga Drejtoria e Urbanistikës në bashkinë e Kuçovës në lidhje me mbledhjen që do të zhvillohej, ku do të diskutohej pajisja me dokumente e ndërtimeve që kishin bërë.

Pas këtij njoftimi, ata ishin në pritje për të bërë dokumentacionet e duhura por në vitin 2005 lajmërohen nga bashkia Kuçovë se shtetasi Arben Bilbili kishte aplikuar për “regjistrim prone”, ku pjesë e dosjes ishte edhe leja e ndërtimit nr.34, datë 16.04.2008 dhe leja e përdorimit nr.312. datë 27.02.2015,që i përkiste Mejreme dhe Ervin Bilbilit.

Pas rreth 9-muajsh hetimesh, Prokuroria e Beratit konkludoi se ekzistonin prova të mjaftueshme që vërtetonin se të akuzuarit: Bardhyl Gjyzeli, Gentjan Islami, Gjergji Çërra dhe Arben Bilbili kishin konsumuar elementet e veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ndërsa Arben Bilbili kishte konsumuar elementet e veprave penale: “Falsifimim i dokumenteve” dhe “Deklarimi i rremë para oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga nenet 186/1 dhe 305/b të Kodit Penal.

S'KA KOMENTE