Fermerët e serrave Fier e Berat, vendosin çmime dysheme për prodhimet e...

Fermerët e serrave Fier e Berat, vendosin çmime dysheme për prodhimet e reja

193
SHPËRNDAJE

Një grup i madh fermerësh nga zonat e Beratit, Fierit u bashkuan këto ditë për të marrë çmime dysheme në negociata me grumbulluesit dhe eksportuesit.

Sezoni bujqësor ka nisur të japë prodhimet e para të serave. Tani po vilen kastravecë, por çmimi i grumbulluesve arriti më pak se gjysma e kostos me vetëm 20 lekë për kilogram javën e kaluar.

Të ekspozuar ndaj çmimeve të tregut, pa mbështetje financiare nga qeveria fermerët provuan të bashkohen javën që kaloi për të vendosur një çmim dysheme për prodhimin e ri. Për dy ditë prodhuesit ranë dakord të mos vilnin duke bllokuar edhe eksportin. Në këtë mënyrë ato arritën të shisnin në fillim të kësaj javë me mbi 60 lekë për kilogram, gati dyfishi në krahasim me javën e mëparshme.

“Ka një deformim të tregut dhe çmimit gjithmonë në dëm të prodhuesit. Përveç eksportuesve ka disa grumbullues ndërmjetës. Këto arrijnë të përçajnë fermerët duke dhënë çmime të ulëta, pasi prodhimi nuk pret, duhet të vilet menjëherë. Fermerët nën presionin për të shitur sa më parë se ndryshe thellohet humbja, pranojnë çmime të cilat nuk mbulojnë as kostot” Tha Mariglen Ziu një fermer më përvojë të gjatë të kultivimit në sera në zonën Samaticës në Berat.

Ziu tha se bashkimi më fermerët e tjerë për të negociuar çmimet e shitjes ishte një precedent që mund të vlejë për herët e tjera.

Vitin e kaluar perimet e serave kastraveci dhe domatja u eksportuan me çmime mjaft të larta mbi 100 lekë për kilogram, për shkak të mungesës së prodhimit në Spanjë dhe Itali. Nisur nga fitimet e vitit të kaluar fermerët zgjeruan sipërfaqet e serave këtë vit, por çmimet me shumicë nuk janë si të vjetshmet, por shumë më të ulëta.

“Kemi marrë informacione se këtë vit çmimet e perimeve në tregjet Europës janë më të ulëta, por ne jemi totalisht me humbje nëse e shesim një kilogram kastravec më pak se 70 lekë” tha fermeri Ziu.

Fermerët shqiptare ndryshe nga ata të Rajonit dhe Europës nuk përfitojnë mbështetje direkte nga qeveria, por vendi ynë ka avantazhin gjeografik që nis sezonin e prodhimit së paku 20 dita para vendeve të tjera të Rajonit, duke përfituar çmime më të larta eksporti në këtë periudhe. Mirëpo strukturat e brendshme të tregut vuajnë nga mbikëqyrja dhe spekulimi i lartë duke bërë që të gjitha anomalitë e zinxhirit bujqësor të bien mbi prodhuesin.

Bujqësia shqiptare në përgjithësi vuan nga kostot e larta të prodhimit, për shkak të fragmentimit të lartë të tokës dhe mungesës së mekanizimit, kostot e larta të imputeve etj.

Këto kosto nuk zbuten as nga subvencionet e qeverisë si në vendet e tjera. Kjo ecuri është duke i bërë prodhimet shqiptare jo konkurruese me importin, teksa eksportet kanë nisur tkurrjen e shpejtë. Në janar 2024 eksporti i perimeve shënoi rënie vjetore me 20%, ndërsa importet në ketë grup u rriten me 80%

MONITOR

S'KA KOMENTE