Euro në pikiatë, thyen tjeter rekord

Euro në pikiatë, thyen tjeter rekord

3459
SHPËRNDAJE

Rënia e euros po thyen rekorde të reja historike këtë javë. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të enjten në minimumin e ri historik prej 109.4 lekësh.

Monedha europiane ka humbur 1.2 pikë ose rreth 1.1% në raport me lekun vetëm kësaj jave. Me bazë vjetore, rënia e kursit të euros ndaj lekut ka arritur tashmë në 9.2%.

Megjithëse forcimi i lekut kundrejt euros është tashmë një tendencë e qëndrueshme në vitet e fundit, ritmet e forcimit të monedhës vendase në muajt e fundit janë mjaft të shpejta dhe përtej parashikimeve të agjentëve të tregut.

Burime nga tregu financiar thonë se shitjet e euros janë shumë të pakta, ndërsa oferta e monedhës europiane vazhdon të jetë e bollshme dhe e qëndrueshme. Burimet e rritjes së ofertës valutore mund të identifikohen kryesisht në përmirësimin gradual të bilancit të pagesave dhe në veçanti rritjes së të ardhurave nga turizmi.

Shitjet në volume të konsiderueshme të euros kanë rritur kërkesën për lekë dhe po e mbiçmojnë gjithnjë e më shumë monedhën vendase, në një kohë kur edhe oferta e saj ka një tendencë tkurrëse, siç dëshmohet nga normat e ulëta të rritjes së agregatitit monetar M2.

Ekuilibrat e kursit të këmbimit në Shqipëri vazhdojnë të përcaktohen kryesisht nga flukset valutore hyrëse, ndërsa ndikimi i faktorëve fondamentalë që përcaktojnë kursit në ekonomitë e zhvilluara duket të jetë më i dobët.

Aktualisht, norma bazë e interesit të euros është ndjeshëm më e lartë krahasuar me lekun dhe kjo premisë në teori duhet ta bënte monedhën europiane më atraktive për investitorët dhe të ndikonte në mbiçmimin e saj. Në fakt, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe rritja e normave të interesit të euros në tregun financiar shqiptar është përcjellë në mënyrë shumë marxhinale, si tek depozitat, ashtu edhe te kreditë.

Një monedhë kombëtare më e fortë i bën më të lira importet dhe në teori përbën një barrier ndaj inflacionit të importuar. Megjithatë, një tendencë e tillë për konsumatorët shqiptarë nuk është ende shumë e prekshme, edhe për shkak të faktit se presioneve inflacioniste në rritje nga faktorët e tjerë dhe sidomos nga tregu i punës.

Rënia e euros megjithatë ka një ndikim direkt në uljen e kostos së kredive në euro për atë shumicë të huamarrësve shqiptarë që i ka të ardhurat e veta në lekë. Forcimi i lekut po balancon rritjen e normave të interesit, si rezultat i rritjes së indeksit benchmark, Euriborit.

Por, rënia e shpejtë e euros po bëhet një problem gjithnjë e më i madh për bizneset eksportuese, me një efekt direkt negativ mbi bazën e tyre të të ardhurave dhe mbi marzhet e fitimit.

S'KA KOMENTE