Euro bie përsëri ndaj Lekut, i afrohet niveleve më të ulëta 

Euro bie përsëri ndaj Lekut, i afrohet niveleve më të ulëta 

2531
SHPËRNDAJE

Euro po pëson rënie të mëtejshme në kursin e këmbimit valutor me Lekun gjatë kësaj jave.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit, të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të enjten me 115.62 lekë. Monedha europiane po u afrohet niveleve më të ulëta të regjistruara gjatë këtij viti, ndërsa ka humbur afërsisht një pikë në kursin e këmbimit me lekun që prej fillimit të muajit shkurt.

Sipas agjentëve, tregu i këmbimit valutor po i kthehet dinamikës së fundit të vitit të kaluar, i karakterizuar nga një ofertë e bollshme e monedhës europiane dhe një kërkesë e vakët për të.

Po të shohim të dhënat historike, një ecuri e tillë nuk ka qenë shumë tipike për tremujorin e parë të vitit, që përgjithësisht ka shënuar periudhën më të favorshme për euron.

Kjo ka qenë e lidhur si me faktorë të ofertës, ashtu edhe të kërkesës për monedhën europiane. Tremujori i parë vlerësohet të ketë prurje më të pakta valutore krahasuar me periudhat e tjera të vitit, kur sidomos ndikimi i turizmit është më i lartë.

Nga ana tjetër, edhe kërkesa për euro në tremujorin e parë zakonisht rritet, e ndikuar nga nevojat e importeve, mbyllja e bilanceve dhe blerja e valutës për konvertimin e fitimeve, kryesisht nga bizneset me aksionerë të huaj.

Për këto arsye, në tremujorin e parë të vitit kursi i euros gjatë tremujorit të parë zakonisht e korrigjon nënçmimin sezonal që regjistrohet gjatë muajit dhjetor. Por, këtë vit, leku po rifiton shpejt terren dhe tashmë ndodhet në nivelet e mesit të muajit dhjetor.

Sipas ekspertëve, një nga faktorët mund të jetë blerja e euros në sasi të mëdha në fund të muajit dhjetor dhe në fillim të muajit janar, duke shfrytëzuar kursin e ulët historik të monedhës europiane. Ata hipotizojnë se shumë biznese mund të kenë realizuar blerje në avancë për nevojat e tremujorit të parë, duke e zbehur kështu kërkesën për valutë në këtë periudhë të vitit.

Një faktor tjetër që mund të ketë lëvizur balancat e kërkesë-ofertës në tregun valutor ka qenë edhe situate energjetike në vend. Pas muajit nëntor, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare frenoi importet e energjisë, duke kaluar madje në pozicion eksportues, për shkak të prurjeve të mëdha hidrike dhe prodhimit të lartë të energjisë në hidrocentrale. Pas muajit nëntor, KESH ka shitur rreth 47.5 milionë euro energji elektrike, nga të cilat pothuajse 19 milionë euro gjatë vitit 2023.Burimi/BANKA E SHQIPERISE/

S'KA KOMENTE