Ekzekutimi i shqiptarëve në Athinë, ministri grek: Atentat për larje hesapesh

Ekzekutimi i shqiptarëve në Athinë, ministri grek: Atentat për larje hesapesh

93
SHPËRNDAJE

Ministri për Mbrojtjen e Qytetarit në Greqi, Takis Theodhorakos ka reaguar në lidhje me atentatin mafioz të së dielës në Greqi, ku mbetën të vrarë dy shqiptarë .

Kreshnik Çerçizaj, 41 vjeç dhe Armando Organja, 44 vjeç u vranë teksa ishin ulur në një lokal në qendër të Nea Zmirnit. Atentati ndodhi në një moment ku sheshi i Nea Zmirnit dhe lokalet atje ishin plot me njerëz, pasi orari i atentatit përkoi me ndeshjen finale të Botërorit Argjentinë-Francë.

Në lidhje me rastin ministri grek ka bërë me dije se do të ketë bashkëpunim ndërkombëtar për zbardhjen e ekzekutimit të shqiptarëve dhe kapjen e autorit.

Sa i përket vlerësimit të policisë, bëhet fjalë për një larje hesapesh mes njerëzve që i përkasin mafies shqiptare, mbase ka degëzime të tjera, për të cilat mund të kemi edhe një bashkëpunim ndërkombëtar, por nuk do të përgjigjem në pyetje më specifike. Hetimet janë në vazhdim. Hetimet nuk ndalen, sidomos kur bëhet fjalë për vrasje, vetëm kur të gjendet autori”, tha ministri grek.

Të gjitha faktet të çojnë tek vrasësit me pagesë. Autoritetet vlerësojnë se objektivi kryesor ka qenë 41-vjeçari i vrarë në vend, i cili ishte i përfshirë në grupin e mafias.

Ndërsa për 44-vjeçarin, rezulton se ai nuk është.

Sipas mediave helene autoritet e drejtësisë po hetojnë një tjetër pistë për ekzekutimin e dy shqiptarëve një natë më parë në një kafene në sheshin Nea Zmyrni, pasi ajo mund të lidhet me vrasjen e Edmond Papajt pesë ditë më parë në Tiranë.

Siç bëjnë me dije mediat greke, 41-vjeçari Kreshnik Çerçizaj, me origjinë shqiptare, i cili ka marrë pesë plumba në kokë, ka qenë në të kaluarën shqetësim i policisë, pasi ka qenë i dënuar për kontrabandë, drogë dhe grabitje.

Të premten e kaluar (16.12.2022), u vra në një lokal Edmond Papa, pronar i një hoteli në Sarandë. 49-vjeçari ka marrë disa plumba dhe është transportuar në spital, ku ka humbur jetën pas plagëve të marra. Në Greqi ai ishte dënuar për trafik droge”, shkruan media greke.

Sipas saj, ka mundësi që viktimat të jenë anëtarë të së njëjtës rrjet droge dhe të jenë ekzekutuar nga bashkatdhetarët e tyre.

S'KA KOMENTE