Eksportet bujqësore, prodhimi me ulje, çmimet në rritje më 2024  

Eksportet bujqësore, prodhimi me ulje, çmimet në rritje më 2024  

55
SHPËRNDAJE

Eksportuesit e prodhimeve bujqësore nuk janë optimistë për rritjen e eksporteve në vitin 2024, teksa çmimet kanë qenë të qëndrueshme dhe në trend rritjeje, tha Laurat Mulliqi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve të Perimeve.

Sektori i eksporteve po përballet në përgjithësi me sfidat që po ndeshen edhe bizneset e tjera. Në veçanti, ky sektor haset me sfida shtesë, që lidhen kryesisht me cilësinë e produkteve të prodhuara nga fermerët shqiptarë, madhësinë e fermës që nuk krijon kushtet për siguri dhe cilësi të produkteve, por edhe me rritjen e kostove në të gjithë zinxhirin e furnizimit deri në mbërritjen e produkteve në tregjet e huaja.

Fermat janë jashtë kontrollit të agjencive shtetërore ligjzbatuese që produktet e prodhuara prej tyre përmbushin standardet e sigurisë ushqimore dhe cilësisë. Nga ana tjetër, madhësia e vogël e fermave nuk e mundëson që fermerët të planifikojnë e prodhojnë produkte cilësore.

Në zonat ku ndodhen fermat, ndeshet dhe fenomeni i shpopullimit, që e bën të vështirë gjetjen e fuqisë punëtore. Z. Mulliqi tha se, fermat shqiptare kanë sipërfaqe të vogla (rreth 80% e fermave kanë më pak se 2 hektarë tokë dhe të përbëra në disa blloqe të vogla).

Madhësia e fermave, struktura e tyre, mungesa e pajisjes me makineritë dhe shpesh dhe me njohuritë e nevojshme, është arsyeja që kanë produktivitetin më të ulët në rajon.

Produktiviteti ka ndikim të madh në përfitueshmërinë e fermave. Përpos këtij realiteti, i cili është bërë edhe më i egër për fermat tona, mekanizmat dhe mbështetja me subvencione apo grante direkte te fermerët është e ulët.

Sfida dhe objektivi i shumë eksportuesve në katër vitet e fundit ka qenë që të orientojmë eksportet e fruta-perimeve nga vendet ballkanike drejt tregjeve me vlerë të lartë si Austri, Gjermani, Holandë, Zvicër, Angli, Suedi e më gjerë.

Ruzhdi Koni, i cili zotëron një nga kompanitë më të mëdha të eksportit të perimeve “Agro-Koni” pret që në vitin 2024 të ketë rritje në disa kultura do të këtë ulje dhe në disa të tjera rritje.

P.sh., meqenëse eksporti i bostanit në vitin 2023 ka qenë pozitiv, do të rritet sipërfaqja, por në disa të tjera do të këtë ulje si në kastravec e kungull. Z. Koni tha se prodhimi bujqësor nuk udhëhiqet nga kërkesa aktuale, por nga rezultatet që bujqit kanë pasur një vit më parë.

P.sh., vitin e kaluar pati një çmim të lartë për bostanin shqiptar në eksport. Nisur nga kjo situatë në vitin 2024 do të ketë mbiprodhim, duke sjellë uljen e çmimeve. Ai tha se prodhimi dhe eksportet do të jenë në të njëjtat nivele si këtë vit dhe çmimet e grumbullimit do të jenë të qëndrueshme.

S'KA KOMENTE