Dy gjurmë ADN-je, prova e vetme e policisë për zbardhjen e sulmit...

Dy gjurmë ADN-je, prova e vetme e policisë për zbardhjen e sulmit në “TCH” 

313
SHPËRNDAJE

Dy gjurmë ADN-je dhe një seri pamje filmike të sekuestruara në ambientet e “Top-Channel” dhe bizneseve të zonës, janë provat e vetme që policia e Tiranës, ka për ngjarjen e mitralimit të fasadës së televizionit dhe vrasjes së rojes, Pal Marku.

Prova biologjike e ADN-së është fiksuar në një prej gëzhoja, të gjendura shumë pranë makinës tip “Range-Rover, e cila u zbulua nga policia teksa digjej në vendin e quajtur “Përroi i Agait” në Kavajë.Grupi i hetimit në policinë e Tiranës, do dërgojë këtë provë ADN-je në laboratorët shkencorë në “Europol”, me qëllim krahasimin me gjurmët e tjera të ADN-ve, që janë të regjistruara në policinë qendrore europiane.Por përpara se të kryhet kjo procedurë, policia do marrë në pyetje dhe analizojë profilet e 6 ekspertëve, që kanë kryer veprime në vendngjarje. Ka dyshime se ndonjë prej ekspertëve mund të ketë kapur prova pa doreza.

Kjo pasi ka dyshime se profili biologjik në njërën prej gëzhojave, mund të jetë lënë gabimisht nga vetë ekspertët. Nga ana tjetër, policia ka shpresuar në gjetjen e gjurmëve të gishtave në pjesën e targës së parë të padjegur nga zjarri.

Por shpresat janë shuar, kur nga laboratori shkencor ka mbërritur përgjigja se nuk ka asnjë gjurmë identifikuese. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me dy pjesë të tjera të makinës që kanë mbetur pa djegura, në të cilat nuk është gjendur gjurmë.

Pa asnjë rezultat ka qenë dhe ekspertiza e gëzhojave, të cilat treguan se dy armët automatike, nuk janë përdorur në ndonjë ngjarje tjetër kriminale.

S'KA KOMENTE