“Duam Drejtesi”!Qytetarë dhe të afërm të familjes Gushi protestë në qendër të...

“Duam Drejtesi”!Qytetarë dhe të afërm të familjes Gushi protestë në qendër të Fierit

1069
SHPËRNDAJE

Një protestë është mbajtur pasditen e sotme në qendër të qytetit të Fierit në shenjë përkujtimi dhe revolte ndaj aksidentit të Vlorës, ku ndërruan jetë 4 anëtarë të familjes Gushi.

Familjarët e viktimave të veshur me bluza të zeza dhe me fotografitë e viktimave të stampuara në to, kërkuan drejtësi për të dashurit e tyre.

Në fjalën e saj përpara kamerave e ëma e 33-vjeçares Silvana Gushi që ndërroi jetë në aksident, u shpreh se nuk kërkon hakmarrje por vetëm drejtësi dhe dënimin e personit që shkaktoi aksidentin.

“Unë nuk dua më t’i pres më ata. Të më trokiste në dorë dhe të kërkonte falje. Ai do më vinte mua, po unë nuk do ja prisja kokën se nuk jam hakmarrëse. Dua vetëm të vendoset drejtësi, të shkojë në burg të vuaj dënimin. Më mori dhëndrin 44-vjeç, më mori vajzën 33-vjeç dhe më mori mbesat 14 dhe 9 vjeç”, tha e ëma e të ndjerës Silvana Gushi.

Gjithashtu edhe daja i Silvana Gushit apeloi për drejtësi, duke theksuar se kërkesa e vetme e tyre është dënimi i personit që shkaktoi aksidentin dhe jo hasmëria.

“Ne jemi njerëz të thjeshtë dhe kërkojmë vetëm drejtësi nuk kërkojmë hakmarrje. Babai i atij djalit duhet të na dilte ballë për ballë, të na trakiste në derë. Kërkojmë drejtësi nga policia dhe drejtësi nga gjykata për të mos i manipuluar provat. Duam të futet në burg ai që na mori 4 anëtarë të familjes, Drejtësia duhet të veprojë ashtu siç i takon ligji. Ne jemi njerëz që duam drejtësi dhe nuk duam hasmëri”, përfundoi daja.

Krahas familjarëve në qendër të qytetit të Fierit u mblodhën në shenjë solidarizimi edhe qytetrë të zakonshëm të cilët përkujtuan viktimat dhe shprehën indinjatën e tyre përmes pankartave.

“Kemi frikë të dalim nga shtëpia” shkruhej në njërën nga pankartat që mbahej në dorë nga një fëmijë i vogël

S'KA KOMENTE