Kalaja e Qeshibesit në Skrapar

Kalaja e Qeshibesit në Skrapar

52
SHPËRNDAJE

Kalaja e Qeshibesit ndodhet në një kodër të vogël në fshatin Qeshibes të rrethit Skrapar.

Rruga për në kodrën e kalasë së Qeshibesit fillon me një kalldrëm me gurë të çrregullt të përmasave nga 0,29m – 0,35m në 0,40m – 0,20m, pjesë e një rruge të vjetër e cila sipas banorëve, ndiqte itinerarin Qeshibes-Soropull-Frashër-Qafa e Dëllinjës.

Gjerësia e kalldrëmit shkon nga 1,50m-1,60m e në pjesët ku ngushtohet edhe në 1,20m.

Ky kalldrëm ndjek terrenin e pjerrët e mund të ketë shërbyer si rrugë për karvanët e këmbësorëve.

Një pjesë e kalldrëmit sot është shkatërruar nga ndërtimi i rrugës së re tё fshatit, ende të papërfunduar.

Kodra e kalasë së Qeshibesit ndodhet në të djathtë të rrugës me kalldrëm në një kodër me lartësi 1047m mbi nivelin e detit.

Në veri të kësaj kodre, në horizont duket mali i Ramijes, gryka e Dëvrisë; në veriperëndim kalaja e Skraparit, në perëndim mali i Kreshovës, në jug gryka e Frashërit dhe në lindje mali i Miçanit. Kjo kala është vëzhguar për herë të parë në vitin 1982.
Muret e ruajtura të kalasë janë vendosur mbi shkëmbin natyror të kodrës. Për ndërtim janë përdorur blloqe gurësh gëlqeror kuadratik, pa lidhje llaçi e të punuar pjesërisht, vetëm në faqen e jashtme të tyre.

Përmasat e gurëve shkojnë në gjatësi 0,91m x gjerësi 0,63m x lartësi 0,47m në gjatësi 0, 60m x gjerësi 0,53m x lartësi 0,54m. Gjatë kësaj ekspeditë u evidentuan tre kulla, të pozicionuara përkatësisht në verilindje, në veriperëndim dhe jugperëndim të fortifikimit.

Qeramika e mbledhur në sipërfaqen e kodrës së kalasë së Qeshibesit është e pakët në numër edhe pse me forma të shumëllojshme. Sot, murana e kësaj kalaje të vjetër shërben si destinacion për turizmin historik dhe atë kulturor.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.