DASH “nxin” Shqipërinë: Drejtësia e kapur, korrupsioni në të gjitha nivelet e...

DASH “nxin” Shqipërinë: Drejtësia e kapur, korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes, mediat në kërcënim

74
SHPËRNDAJE

Mangësitë në pavarësinë e gjyqësorit e medias dhe  korrupsioni, ishin problemet kryesore të Shqipërisë përgjatë vitit 2022 sipas Raportit të DASH për të drejtat e njeriut. Korrupsioni, thekson raporti, ishte i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, ndërsa në proceset zgjedhore thekson avantazhet e partisë në pushtet dhe fenomenin e blerjes së votave.

Mungesa e pavarësisë, korrupsioni dhe burimet e kufizuara mbeten probleme edhe të drejtësisë së re në Shqipëri sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për vitin 2022, ndonësë Kushtetuta i jep pavarësi.

Presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase.

Përparimet DASH ia njeh Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) i cili gjatë vitit të kaluar ka hetuar, ndjekur penalisht dhe dënuar zyrtarët e lartë dhe pjesëtarë të krimit të organizuar, të përfshirë në korrupsion.

Korrupsioni, thekson Departamenti Amerikan i Shtetit, ishte i pranishëm në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, përfshirë edhe prokurimin publik dhe partneritetet publiko-private.

“Korrupsioni ekzistonte në të gjitha degët dhe nivelet e qeverisjes, duke përfshirë përmes prokurimeve publike dhe partneriteteve publike-private, megjithëse autoritetet bënë përparim gjatë vitit në luftën kundër korrupsionit dhe dhënien fund të mosndëshkimit”. 

Gjendja e medias në Shqipëri dhe trysnia me të cilën përballet zë një vend të rëndësishëm në raport.

DASH thekson mes të tjerash edhe rastin e gazetarit të RTV Ora, Isa Myzyraj, i cili është përballur me një padi dhe kërcënime për shkak të postimeve në rrjetet sociale për procesin e vettingut të iss-prokurores së Tiranës, Elizabeta Imerajt.

“Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan median e pavarur të shkruar dhe gazetarët thuhet se kanë praktikuar autocensurë”.

Duke iu referuar zgjedhjeve, në raport theksohen pretendimet e besueshme për blerje të përhapura të votave nga partitë politike dhe nxjerrjen dhe përdorimin e paligjshëm të të dhënave të ndjeshme personale.

“Partia në pushtet nxori avantazhe të rëndësishme nga detyra e saj, duke përfshirë kontrollin e saj mbi administratat lokale, dhe nga keqpërdorimi i burimeve administrative”.

Duke folur për të drejtat e grave, raporti vë në dukje se qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive kur bëhet fjalë për përdhunimet bashkëshortore dhe ngacmimet seksuale.

S'KA KOMENTE