Celularo – mania ,Kina “pushton” tregun shqiptar

Celularo – mania ,Kina “pushton” tregun shqiptar

164
SHPËRNDAJE

Telefonat celularë janë bërë pjesë e pandarë e përditshmërisë sonë dhe jo vetëm, pasi nuk shërbejnë vetëm si mjet komunikimi por janë shumëfunksionalë.

Alternativat e telefonave celularë janë nga ato më ekonomiket deri te smartphone-t e shtrenjtë, në përgjigje të kërkesës në rritje, e cila është reflektuar edhe në numrin e njësive celulare të importuara.

Sipas të dhënave të Doganës, gjatë 2018-s u importuan rreth 231 mijë telefona celularë, rreth 20% më shumë se një vit më parë. Ndërsa vlera e tyre e importuar ishte 26 milionë dollarë. Ky ishte viti i dytë radhazi që u shënua rritje në sasinë e importuar të telefonave

Gjatë pesë viteve të fundit janë importuar 956 mijë njësi telefona celularë, ku rekordi i këtij pesëvjeçari është shënuar në 2015 ku u importuan 247 mijë njësi, me vlerë 31.5 milionë dollarë.

Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, çmimi mesatar për një telefon celular të importuar nga jashtë ishte 113 dollarë gjatë 2018-s. Në krahasim me vitet e mëparshme, telefonat kanë hyrë me një çmim më të lirë. Në vitin 2015, një telefon celular u regjistrua me vlerë mesatare prej 128 dollarë.

Telefonat nga Azia “pushtojnë” tregun shqiptar

77% e telefonave celularë që janë sjellë në Shqipëri gjatë 2018-s kanë hyrë nga Kina, afërsisht 177 mijë njësi, me vlerë totale 16.8 milionë dollarë. Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, çmimi mesatar i një telefoni të importuar nga Kina është 94 dollarë.

Me një diferencë shumë të madhe me Kinën, në vend të dytë renditen telefonat e importuar nga Vietnami, të cilët përbënë rreth 18% të totalit të njësive të importuara. Gjatë 2018-s nga Vietnami u importuan 42 mijë njësi me vlerë 7.8 milionë dollarë. Në krahasim me telefonat e importuara nga Kina, ato nga Vietnami kanë një vlerë mesatare rreth 187 dollarë për njësi.

Me vetëm 5% të totalit të tregut, në vend të tretë qëndrojnë telefonat e importuar nga Koreja, ku në 2018-s u importuan 11,300 njësi dhe me një vlerë prej 1.2 milionë dollarë.

Në sasi më të vogla, telefonat celularë u importuan edhe nga vende të tjera, ku edhe pse sasitë ishin më të ulëta, çmimi mesatar ishte 2-3 herë më i lartë se telefonat që u futën nga Kina apo Koreja.

Nga Gjermania u importuan 190 njësi në total, me çmim mesatar prej 219.3 dollarë, ndjekur nga telefonat celularë që hynë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një çmim mesatar prej 352 dollarë. Ndërsa nga Mbretëria e Bashkuar u importuan gjithsej për vitin 2018 rreth 140 telefona celularë.

Shqiptarët duhet të punojnë “fort” për të blerë një iPhone

Është e logjikshme pse pjesa më e madhe e telefonave celularë që hyjnë në Shqipëri vijnë me një çmim ekonomik. Xhepat e shqiptarëve nuk mund ta përballojnë blerjen e një telefoni “të fjalës së fundit”. Për të blerë një nga iPhone-t e fundit që ka prodhuar kompania, një shqiptari i duhet mesatarisht 445 orë pune, apo 3 muaj për të blerë një iPhone XS të prodhuar nga Apple.

Sipas faqes zyrtare të Apple një iPhone XS me 256 GB kushton 1249 dollarë, apo 1117 euro me kursin aktual.

Shqiptarëve të Kosovës ju nevojiten 338 orë pune për të blerë një iPhone XS, duke u renditur kështu të dytët, që u duhen më shumë orë. Fill pas tyre renditen bullgarët. Me një pagë mesatare mujore prej 568 euro, atyre ju nevojiten mesatarisht 315 orë pune, më shumë se maqedonasve që iu duhet të punojnë 302 orë, apo serbëve 278 orë.

Ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, malazezëve ju duhet të punojnë më pak, rreth 234 orë.

Mbi 200 orë pune ju duhet edhe lituanezëve apo rumunëve, të cilët renditen ndër vendet me pagat mesatare të ulëta.

Në anën tjetër qëndrojnë vendet si Danimarka apo Luksemburgu, ku një iPhone XS bihet për më pak se një javë punë (orët javore të punës 40). Përkatësisht në Danimarkë duhen 34 orë, ndërsa në Luksemburg rreth 41 orë pune.

S'KA KOMENTE