Lehtësohet aksesi i refugjatëve në tregun e punës

Lehtësohet aksesi i refugjatëve në tregun e punës

60
SHPËRNDAJE

Azilkërkuesit, të cilëve u lejohet të qëndrojnë në Gjermani, do të kenë më shumë akses në tregun e punës pas miratimit të një ligji të ri mbi integrimin.

Sipas këtij ligji, azilkërkuesit, që u është lejuar të qëndrojnë në vend, do të integrohen nën moton “inkurajim dhe pritshmëri”.

Qeveria do të kërkojë gjithashtu mënyra për të lehtësuar aksesin në tregun e punës dhe kurset integruese, me mirëkuptimin se refugjatët në këmbim do të përpiqen të integrohen në shoqërinë gjermane.

“Kjo është një pikë kthese”, tha Kancelarja Angela Merkel në një dalje publike pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, mbajtur në Pallatin Meseberg, duke sqaruar se përmes Ligjit të Integrimit në njërën anë do të ofrojnë stimuj për refugjatët dhe anën tjetër do të kenë edhe disa kërkesa prej tyre.

Zv/kancelari dhe njëherësh ministër i Ekonomisë, Sigmar Gabriel, e quajti këtë masë “një lëvizje paradigme” duke shtuar se qeveria tani është më shumë pranë atyre, që vijnë në Gjermani.

Ai gjithashtu dha për refugjatët mesazhin e rëndësishëm se “nëse impenjohen fuqishëm, atëherë ata mund të bëjnë shumëçka për veten e tyre në Gjermani dhe se ky është një hap madhor gjithashtu në aspektin ekonomik”.

Kurse ministri gjerman i Punëve të Brendshme, Thomas de Maiziere, vuri në pah se ky është një ligj tepër i rëndësishëm edhe për të ruajtur unitetin e shoqërisë.

Ndërkohë që ky ligj pritet të japë një akses më të lehtë në tregun e punës, ai do të forcojë disa kufizime mbi refugjatët, si për shembull: Refugjatët, që refuzojnë mundësitë e integrimit, nuk do të përfitojnë nga të mirat e rezervuara për ta.

Ligji i Integrimit përfshin edhe një rregullim të çështjes së rezidencës, ku azilkërkuesit duhet të përmbushin disa kushte për 3 vite radhazi si pjesë e lejes së tyre të qëndrimit në Gjermani.

Kjo përbën edhe një nga çështjet më të diskutueshme të ligjit, pasi do të jetë vetë shteti gjerman ai që do të vendosë për 3 vjet me radhë se ku do të qëndrojnë refugjatët.

Azilkërkuesit, që përfundojnë kurset profesionale dhe gjejnë punë, do të mbahen jashtë këtij zbatimi dhe do të mund të shkojnë ku kanë dëshirë, bashkë me familjet e tyre.

Refugjatët e përfshirë në këtë klauzolë duhet të punojnë të paktën 15 orë në javë.

Në rast se mësojnë gjermanisht sa për të komunikuar mjaftueshëm dhe sigurojnë vetë pjesën më të madhe të të ardhurave të nevojshme për jetesë, azilkërkuesit e pranuar nga Gjermania do të fitojnë pas 5 vitesh të drejtën e lejes permanente të qëndrimit në këtë vend, afat ky që më parë ishte 3 vjet.

Megjithatë, afati për t’u pajisur me leje qëndrimi të përhershme në Gjermani do të jetë sërish 3 vite nëse refugjatët mësojnë shumë mirë gjuhën gjermane dhe sigurojnë vetë pothuajse të gjitha të ardhurat e nevojshme për jetesë.

Po ashtu, ligji në fjalë parashikon edhe një sërë sanksionesh, ku ia vlen të përmendet ndërprerja e ndihmës financiare shtetërore, për azilkërkuesit që nuk pranojnë të marrin pjesë në kurset integruese të detyrueshme apo që pranojnë dhe më pas nuk i frekuentojnë ato.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.