Hillary Clinton “garanton” kandidaturën e demokratëve

Hillary Clinton “garanton” kandidaturën e demokratëve

85
SHPËRNDAJE

Hillary Clinton pritet të jetë gruaja e parë kandidate për postin e kreut të Shtëpisë së Bardhë në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit ka siguruar nominimin për të qenë kandidatja zyrtare e Partisë Demokratike pas arritjes së numrit të kërkuar të delegatëve.

Sipas mediave amerikane, në përfundim të zgjedhjeve paraprake të dielën në Porto-Riko, Hillary Clinton ka arritur të mbledhë edhe 68 delegatë të tjerë për një total prej 2.384 delegatësh, një më tepër se numri i nevojshëm për ta bërë atë fituese përballë rivalit të saj brenda partisë, Bernie Sanders.

Por ky i fundit ka deklaruar se Clinton ende nuk mund të quhet fituese, pasi, sipas tij, gjithçka do të varet nga vota e delegatëve në konventën e partisë, që do të zhvillohet në korrik.

Me këtë rezultat, Clinton hyri në historinë politike 240-vjeçare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si gruaja e parë kandidate presidenciale e një force politike.

“Jemi në prag të një momenti historik unik, të paparë ndonjëherë; por ende duhet të punojmë shumë”, tha ajo në një dalje publike.

Ndërsa biznesmeni miliarder i pasurive të patundshme, Donald Trump, kandidaturën e tij presidenciale e kishte garantuar më datë 26 maj, me vetëm 1.237 delegatë, pas tërheqjes së rivalëve nga gara brenda Partisë Republikane.

Megjithatë emrat e kandidatëve për postin e Presidentit të SHBA-ve do të qartësohen përfundimisht në muajin korrik, kur do të mbahen edhe konventat e të dyja partive.

Konventa e Partisë Demokratike do të zhvillohet në Filadelfia, më 25-28 korrik; ndërsa ajo e Partisë Republikane në Klivlend, më 18-21 korrik.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Comment moderation is enabled. Your comment may take some time to appear.