Bordi publikon çmimet e reja të naftës, operatorët tregojnë kostot më të...

Bordi publikon çmimet e reja të naftës, operatorët tregojnë kostot më të larta

348
SHPËRNDAJE

Me një ditë vonesë, Bordi i Transparencës ka publikuar çmimet e reja me shumicë dhe pakicë të hidrokarbureve në vend, të cilat në fakt filluan të zbatoheshin që të martën ne mengjes

Sipas njoftimit zyrtar:

“Bordi i Transparencës i ngritur me vendim Qeverie, me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë, në datë 21 mars 2022, në mbledhjen e tij të rradhës, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, vendosi:

Çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 216 lekë/litër, dhe nënproduktit benzinë për periudhën 22 mars-23 mars 2022, të jetë 199 lekë/liter.

Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 22 mars -23 mars 2022, të jetë 221 lekë/litri.

Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 për periudhën 22 mars-23 mars 2022, të jetë 211 lekë/litri.

Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gaz për periudhën 22 mars-23 mars 2022, të jetë 93 lekë/litri.

Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 22 Mars, ndërkohë që mbledhja e ardhshme e këtij Bordi do jetë ditën e Mërkurë, datë 23.03.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Formula

Që nga fillimi i muajit mars, çmimi i naftës caktohet bazuar në një akt normativ të miratuar në datën 5 mars “Për disa shtesa në ligjin NR.8450, DATË 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre të ndryshuar”.

Bordi cakton çdo javë ose kur e vlerëson të nevojshme, në diskrecion të tij, çmimin tavan për shitjen për gazoilin, benzinën dhe gazin e lëngshëm të naftës, sipas metodologjisë së mëposhtme:

  1. a) Çmimi i shpallur nga bursa në Platts i një dite më parë nga mbledhja e Bordit, në kushtet CIF Med, për gazoilin, e standardit SSH EN 590 2018, benzinën e standardit SSH EN 228 2018 dhe gazin e lëngshëm të naftës përkatësisht propan, butan dhe përzierjen e tyre;
  2. b) Çmimit të përcaktuar në shkronjën “a”, të këtij neni, i shtohet një vlerë premio prej 20 USD/ton;
  3. c) Për shoqëritë e tregtimit me shumicë lejohet një shtesë jo më shumë se 1 % mbi çmimin e përllogaritur, sipas shkronjave “a” dhe “b”, të këtij neni, në të cilin aplikohen edhe taksat e tarifat, sipas legjislacionit në fuqi;

ç) Për shoqëritë e tregtimit me pakicë lejohet një shtesë jo më shumë se 5% mbi çmimin e përllogaritur, sipas shkronjave “a” dhe “b”, të këtij neni, në të cilin aplikohen edhe taksat e tarifat, sipas legjislacionit në fuqi.

Operatorët bëjnë llogaritjet e kostove

Sipas llogarive të Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve, me kostot aktuale, çmimi i blerjes nga shumica në datën 22 mars rezulton 229 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë, duke shtuar shpenzimet fikse dhe i llogaritur me fitim zero rezulton 245.5 lekë për litër (shiko tabelen në fund)

Për produktin benzinë, çmimi i blerjes nga shumica po në datën 22 mars është 206.4 lekë për litër. Duke i shtuar shpenzimet fikse si dhe firot (që benzina i ka më të larta sepse është product që avullon shpejt) dhe sërish me normë fitimi zero, çmimi i pakicës rezulton në 228.6 lekë për litër.

Shoqata e Hidrokarbureve pohon se në formulën e llogaritjes së Bordit nuk merren parasysh kostot operative për litër në tregun e pakicës (amortizim, energji, paga, sigurime, TVSH e paguar në shitje). Në rastin e naftës, këto shpenzime rezultojnë 16.2 lekë për litër, ndërsa në formulën e qeverisë, marzhi shtesë i lejuar është 5 lekë/litër, pasi Bordi e llogarit marzhin shtesë (përkatësisht 1% për shumicën dhe 5% për pakicën) mbi çmimin e blerjes pa taksa. Operatorët e tregut pohojnë se shtesa për tregun e pakicës, prej 5 lekë për litër është rreth 30%  e kostove fikse për litër, që në total janë 16.2 lekë për litër.

Operatorët paralajmërojnë se sidomos për pikat e vogla, që nuk janë pjesë e zinxhirëve të mëdhenj, fiksimi i çmimeve pa marrë parasysh kostot fikse do të çojë në falimentime dhe shkurtime nga puna të punonjësve. Aktualisht, nga rreth 1500 pika që ka në vend, rreth 73% e tyre janë biznese të vogla. Ndërkohë që shumë pika do të shkurajohen të furnizohen me naftë dhe kjo mund të krijojë probleme në furnizimin me karburant, paralajmërojnë tregtuesit.

S'KA KOMENTE