Bllokohet puna ne Rafinerine e Ballshit nga mungesa e naftës

Bllokohet puna ne Rafinerine e Ballshit nga mungesa e naftës

568
SHPËRNDAJE

Kriza në rafinerinë e përpunimit të thellë të naftës, ARMO është rikthyer sërish, teksa puna është bllokuar prej 10 ditësh nga mungesa e naftës.

Punonjësit e ARMO-s pohuan se po përsëritet e njëjta skemë, pasi administratorët  e rafinerisë ikin dhe vijnë duke lënë pas borxhe dhe punonjës të papunë.

Nga burimet pranë ARMO-s u mësua se puna është pezulluar nga mungesa e naftës. Kompania Bankers Petroleum e cila është furnizuesi kryesor i ARMO-s ka ulur sasitë për rafinerinë, pasi ka rritur shitjet në eksport. Ndërsa një anije që do të vinte nga jashtë me një sasi mbi 25 mijë tonë naftë nuk ka mundur të zhdoganohet.

Në mungesë së naftës bruto ARMO e ka bllokuar punën, teksa kontraktorët që e administrojnë duket se po bëhen gati të ikin sërish.

Punonjës të kompanisë pohuan së për momentin në rafineri po qëndron vetëm përfaqësuesi i Bylis Energji, i cili po mban punonjësit me shpresë se do të vijë naftë nga jashtë.

Punonjësit pohuan se, nuk ka transparencë në administrimin e kompanisë, teksa për vite me radhe qiramarrësit vijnë milionerë dhe ikin miliarderë, teksa lënë një mal me borxhe në ARMO.

Puna në rafineri është bllokuar më herët gjatë muajit janar të këtij viti, për të njëjtat arsye të mungesës së furnizimit me naftë.

Në atë kohe kompania TOSK Energji e cila e cila menaxhon aktivitetin e prodhimit nëpërmjet një kontrate qiraje u ankua se Bankers Petroleum nuk po përmbushte sasitë e furnizimit me naftë që rafineria të mund të vazhdojë punën. Që prej Tetorit 2018, Bankers filloi negociatat me Tosk Energji për të nënshkruar një kontratë të shitjes së naftës së papërpunuar për 2019, por Tosk abuzoi me vullnetin e mirë të Bankers, luajti lojëra në negociata, duke pretenduar për të marrë naftë bruto me çmim shumë më të ulët se çmimi i tregut, apo edhe pa pagesë, raportuan burimet zyrtare të Bankers gjatë muajit janar 2019.

Më pas kompanitë arritën një marrëveshje dhe Bankers për disa muaj e furnizoi ARMO-n me naftë bruto, çka bëri që të binin dhe importet e naftës për shkak se konsumi po plotësohej nga nafta vendase. Sipas të dhëave zyrtare të Ministrisë së Financave, për periudhën janar-prill, importet e karburanteve ranë me 11% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kompania Tosk Energji është qiramarrës i kompanisë Byllis Energji, firmë që ka lidhur kontratë qiraje me Allum Enterprises.

 

Historia e komplikuar e ARMO

 

Në vitin 2008, rafineria e naftës ARMO u privatizua nga grupi Taçi Oil, që mori në kontroll 85% të aksioneve të ARMO nëpërmjet kompanisë Anika Mercuria Rafinery Associated Oil, AMRA Oil, për 128 milionë euro.

Në vitin 2013, azerët e Heaney Assets Corporation blenë paketën e aksioneve të AMRA Oil. Azerët e përdorën për pak kohë kompaninë dhe më pas u tërhoqën. Në 2014-2015, përmes qiradhënies ARMO-n e shfrytëzuan Deveron Oil Albania, TPD-Trading Petrol & Drilling. Pas një periudhe disamujore ku aktiviteti mbeti pezull në shtator 2016 erdhi kompania offshore ITRC, që pas një viti aktivitet, u tërhoq në dhjetor 2017, duke lënë të paktën 35 milionë euro detyrime të papaguara, sipas të dhënave zyrtare nga tatimet. Punëtorët protestuan për pagat e pamarra.

Prej një viti ARMo po shfrytëzohet nga Kompania Tosk Energji, e cila është qiramarrës i kompanisë Byllis Energji, firmë që ka lidhur kontratë qiraje me Allum Enterprises./MONITOR

S'KA KOMENTE