Bardhi bën thirrje për “luftë”, kreu i grupit: Në Parlament me çdo...

Bardhi bën thirrje për “luftë”, kreu i grupit: Në Parlament me çdo kusht!

139
SHPËRNDAJE

Sali Berisha dhe 22 deputetë të tjerë të opozitës janë përjashtuar nga Kuvendi, me ndëshkimin maksimal të 10 ditëve, sepse bllokuan  seancën e fundit. Komisioni i Etikës ka shkruar se dënimi fillon më 20 tetor dhe përfshin edhe ditën 30 tetor.

Demokratët llogarisin se nëse përfshihet dhe e hëna, dënimi i tyre është 11 ditë, dhe e konsiderojnë këtë të papranueshme, kur dënimi maksimal në Rregullore është 10 ditë. Por Bardhi dhe Berisha kanë bashkuar forcat duke kërkuar të hyjnë në Kuvend me çdo kusht, duke mos e konsideruar të hënën pjesë të përjashtimit.  Bardhi ju ka dërguar një mesazh të gjithë deputetëve që janë pranë tij dhe Berishës, që të hyjnë në seancë të paktën 30 minuta përpara fillimit.

Të nderuar kolegë, Nesër e hënë, ora 17:00, është planifikuar seanca e radhës plenare. Pavarësisht vendimit të përjashtimit arbitrar, i cili parashikon përjashtimin tonë për 11 ditë, ne duhet të jemi të gjithë në seancë. Për këtë qëllim, mblidhemi të gjithë bashkë në orën 16:30 për të shkuar në grup në seancë.

Garda e Republikës është njoftuar shkresërisht që të mos i lejojë 23 deputetët të futen në seancë, dhe nëse Kuvendi nuk e rillogarit dënimin, kjo do të përbëjë arsyen e parë për përplasje.

Në çdo rast, edhe po të mungonte ky episod, seanca pritej e tensionuar, pasi Sali Berisha u vu nën hetim për korrupsion dhe ju arrestua dhëndri. Nga ana e saj, mazhoranca ka kërkuar nga Garda e Republikës masa paraprake që opozitarët të mos lejohen që të bllokojnë karriget e kryetares së kuvendit dhe ministrave, siç bënë herën e fundit. Oficerët e sigurisë do të jenë më herët në sallë, për të mos lejuar ngjitjen e demokratëve në vendet e qeveritarëve.

S'KA KOMENTE