Bankers Petroleum”, me fitim kontabël 3 miliardë lekë, por nuk paguan taksa

Bankers Petroleum”, me fitim kontabël 3 miliardë lekë, por nuk paguan taksa

419
SHPËRNDAJE
  • Bankers Petroleum”, me fitim kontabël 3 miliardë lekë, por nuk paguan taksa
  • “Bankers Petroleum”, eksportuesi më i madh në vend, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, atë të Patos Marinzës, ka rezultuar me një fitim kontabël prej gati 3 miliardë lekësh, sipas të dhënave të publikuara nga Tatimet. Ky fitim do ta rendiste atë në vend të katërt ndër 10 më të mëdhenjtë. Por kompania nuk deklaron fitimin fiskal dhe si rrjedhojë, ajo nuk paguan tatimfitim.

Burime nga Bankers pohuan se, bazuar në standardet e kontabilitetit, fitimet kontabël janë të ndryshme nga fitimet fiskale. Në bazë të marrëveshjes me qeverinë, shpenzimet kapitale llogariten brenda vitit dhe nuk shtrihen në disa vite, siç ndodh me kompanitë e tjera, çka bën që operatori të rezultojë me humbje fiskale.

Burime nga kompania thanë se dalja me fitim fiskal do të varet nga ecuria e shpenzimeve dhe të ardhurave, që janë të lidhura me çmimet në tregjet ndërkombëtare.

Që prej fillimit të aktivitetit, kompania nuk ka dalë asnjëherë me fitim sipas konceptit fiskal të aplikuar për kompanitë komerciale që kanë përfituar koncesione për shfrytëzimin e burimeve të naftës e gazit, që sipas marrëveshjes koncesionare do të duhet të tatohej me 50%. Rezultati tatimor i shoqërisë nuk llogaritet sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, por bazuar në Marrëveshjen e Hidrokarbureve lidhur midis Albpetrol sh.a. dhe Bankers miratuar në 2004-n, sipas së cilës, rezultati llogaritet pasi nga të gjitha të ardhurat të zbriten të gjitha shpenzimet operative, por edhe ato kapitale të bëra nga subjekti përfitues i koncesionit.

Kompania vazhdimisht i ka shtyrë planet për të dalë me fitim, fillimisht si rrjedhojë e rritjes së rentës minerare në vitin 2010, në nivelin e 10% të prodhimit, më pas nga rënia e çmimeve të naftës.

Bankers ka qenë vazhdimisht në konflikt me institucionet shtetërore, si Tatime e Dogana dhe Agjencinë Kombëtare të Burimeve të Natyrës (AKBN), të cilët e kanë hetuar për evazion fiskal dhe fryrje të shpenzimeve kapitale, me qëllim mospagimin e tatimfitimit. Në vitin 2015, AKBN auditoi bilancet e viteve të mëparshme të Bankers dhe doli në konkluzionin se kompania kishte rritur artificialisht shpenzimet me 300 milionë dollarë, për të paguar më pak taksa në shtet. Në fund të vitit 2015, duke u bazuar te raporti i Agjencisë së Burimeve Natyrore, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bllokoi llogaritë e Bankers, duke i kërkuar të paguajë 75 milionë dollarë së bashku me gjobat. Bankers e ankimoi Shqipërinë në Arbitrazh Ndërkombëtar, ndërkohë filloi të paguante gradualisht gjobën. Por, në vitin 2018, Arbitrazhi vendosi pro Bankers duke e detyruar qeverinë shqiptare t’i kthejë kompanisë 57 milionë dollarë, plus interesat dhe shpenzimet e gjyqit, në një total prej 60 milionë dollarësh.

Së fundmi, një tjetër konflikt mes Bankers dhe qeverisë ishte për dyshimet për shmangien e të paktën 30 milionë euro detyrime akcizë për lëndën e parë (holluesin), që përdoret në prodhimin e naftës bruto. Një gjobë prej 104 milionë lekësh u pezullua në gusht 2019 nga ministrja e Financave, Anila Denaj, me argumentin se po shqyrtohet dosja për këtë kompani dhe ka ende problematika.

Ndryshe nga Bankers, nënkontraktorët e tij kanë raportuar historikisht norma të larta fitimi. “Summer Drilling Services” (ish-SIMMONS EDECO) kishte një normë kthimi prej 12%, ndërsa vitet e mëparshme ky tregues arrinte deri në 50%. “CROSCO, naftni servisi d.o.o. – Dega Tiranë”, kishte një normë prej 36%.

Një vit më parë, qeveria miratoi një projektligj për ndryshime për regjimin fiskal në sektorin e hidrokarbureve, i cili parashikonte dy ndryshime të rëndësishme fiskale. I pari, që edhe nënkontraktorët të tatoheshin me 50%, pasi Bankers kalonte një pjesë të shpenzimeve përmes tyre, meqë këto kompani tatoheshin me 15%. Së dyti, kompanitë e prodhimit të naftës do të paguajnë tatimfitim menjëherë sapo realizojnë të ardhura dhe jo deri sa të kompensojnë investimet e tyre. Por këto ndryshime ligjore kanë mbetur pezull dhe nuk dihet se kur do të miratohen.

 

S'KA KOMENTE