Shkon në 7 numri i personave të shoqëruar pasditen e sotme në Elbasan për atentatin ndaj Nuredin Dumanit.
Për zbardhjen e ngjarjes së rëndë që ndodhi pasditen e së martës në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Zezë” në Papër të Elbasanit janë duke punuar pandërprerë të gjitha strukturat e institucioneve ligjzbatuese.
Drejtuesit kryesorë të këtyre institucioneve sikurse janë Drejtori i Policisë së Elbasanit Ardian Çipa, Drejtuesi i SHIK, Drejtori i Policisë Kriminale, Tonin Vocaj, si edhe Prokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi kanë zhvilluar një analizë të thelluar të ngjarjes së rëndë me protagonistë të dyshuar elementë kriminalë nga më të rrezikshmit ku mbeti i plagosur Nuredin Dumani, i cili u arrestua disa orë më vonë në Fier.
Nisur nga dinamika e ngjarjes së mbuluar ende me mjaft mistere, zbardhja e saj sipas një burimi zyrtar është në rrugë të mbarë. Policia dhe Prokuroria deri mbrëmjen e sotme ka arritur të dokumentojë prova që mund të çojnë në zbulimin e bashkëpunëtorëve të dy grupeve të fuqishme kriminale dhe prej mbrëmjes së martë kanë nisur edhe shoqërimet e disa të dyshuarve si të lidhur me Nuredin Dumanin dhe të grupit me të cilët ai tashmë është në armiqësi.
Gjatë orëve të fundit sipas burimeve jo zyrtare janë shoqëruar të paktën tre persona, ndërsa pritet që edhe shumë të tjerë të merren në pyetje për shkak të lidhjeve të krijuara së fundi me ta nga Dumani.
Ngjarja ndodhi ditën e djeshme, 29 mars 2022, rreth orës 17:35, në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, në Papër, ku është qëlluar me armë zjarri ndaj një automjetit tip “BMW”, në të cilin dyshohet se udhëtonte Dumani, por policia ka gjetur vetëm mjetin në vend të qëlluar nga plumbat. Pas disa orësh Dumani u arrestua në Fier i plagosur.