Arrestohet në Berat ish-shefi i policisë së Dhërmiut

Arrestohet në Berat ish-shefi i policisë së Dhërmiut

793
SHPËRNDAJE

Ish-shefi i stacionit të Policisë së Dhërmiut, Sokol Bode, i cili është dënuar nga gjykata në mungesë për përfshirje në trafik droge, është arrestuar sot në Berat.

Mësohet se në këto momente po kryhet transferimi i Bodes në drejtim të Tiranës.

Kujtojmë se ish-drejtuesi i policisë ishte i përfshirë në dosjen “Habilaj”, e madje fotot e tij me vëllezërit trafikantë  kanë bërë xhiron e rrjetit, në kohën e publikimit të skandalit.

Në dosjen ne këtë rast, Bode, dyshohet se u ka ofruar ndihmë dhe ka mbajtur lidhje me trafikantët Habilaj, që të realizonin me sukses trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë.

Në prill 2022, GJKKO e dënoi Sokol Boden me 12 vite burg.

Kush është Sokol Bode?

Bode, ish-drejtori i Postës në Dhërmi, ka qenë prej kohësh në vëmendje të publikut dhe medias, pas publikimit të një foto ku shihej përkrah Florian dhe Moisi Habilajt, (ky i fundit i arrestuar pak kohë më parë në Itali për trafik droge).

Bode, bashkë me ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela si dhe Gjergj Kohila, shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar, kanë drejtuar në drejtorinë e Qarkut Vlorë gjatë viteve 2015-2016, ndërsa akuzohen si të përfshirë në dosjen ‘Habilaj’ për trafikun e kanabisit. Akuza që qëndron mbi këta zyrtarë është ajo e mosveprimit ndaj kultivimit të kanabis sattivës në këtë qark.

Në 3 shkurt 2019, Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda dosjen për gjykimin e të pandehurve Saimir Tahiri, Jaled Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode, nën akuzën “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Në 10 korrik 2019, gjykata vendosi pezullimin e gjykimit për të pandehurit Sokol Bode dhe Gjergji Kohila pasi nuk ishin gjetur, ndërsa ndau çështjen e tyre nga çështja nga Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela. Prokuroria kërkoi 12 vite burg për ish ministrin Tahiri.

S'KA KOMENTE