Arrestohen dy punonjësit e Bashkisë pasi u kapën me një shumë të...

Arrestohen dy punonjësit e Bashkisë pasi u kapën me një shumë të madhe parash në makinë dhe listën me emrat e qytetarëve

415
SHPËRNDAJE

Dy persona janë arrestuar nga ana e Policisë së Dibrës, të cilët u ndaluan gjatë ditës së djeshme në Maqellarë, pasi në makinën e tyre u gjet një sasi e madhe parash, që dyshohet se do të përdorej për blerjen e votave nga qytetarët.

Policia sekuestroi një shumë lekësh, modelar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti politik. Dy personat e arrestuar janë Abjon Ceku,  25 vjeç dhe Denis Xholi, 36 vjeç, të dy punonjës të Bashkisë.

Ky i fundit, me profesion jurist deklaroi në polici se paratëi kishte marrë borxh te një i afërmi i tij në Durrës, gjë e cila sipas policisë nuk ka qenë e vërtetë.

Kujtojmë se makina me para u ndalua fillimisht nga mbështetës të PD-së në Maqellarë, të cilët njoftuan nga ana e tyre Policinë, e cila hezitoi për hapjen e makinës. Pas insistimit të qytetarëve dhe mbështetësve të PD-së makina u hap, dhe në pjesë të ndryshme të saj u gjet një shumë e konsiderueshme parash.

Njoftimi i plotë i Policisë së Dibrës:

Specialistët për Hetimin e Krimit  në  Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë, bënë arrestimin në flagrancë, për veprat penale  “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të shtetasve:  A. C.,  25 vjeç dhe D. Xh., 36 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër.

Më datën 22.04.2021, rreth orës 14:00, në segmentin rrugor Maqellarë-Peshkopi, në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit e lartpërmendur, Policia sekuestroi një shumë lekësh, modelar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti politik.

Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik”, për shtetasit  A. S. dhe G. H., banues në Dibër, pasi u kanë bllokuar rrugën dy shtetasve të arrestuar, në afërsi të rrethrrotullimit të Maqellarës, duke bllokuar rrugën Peshkopi – Maqellarë.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur iu referuan  Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.

S'KA KOMENTE