Dy mjekë dhe një infermier janë arrestuar mbrëmjen e sotme në Fier, pasi kanë mjekuar Nuredin Dumanin në banesë, i cili u plagos gjatë përplasjes me armë mbrëmjen e së martës në Papër të Elbasanit.
Burime për medie bëjnë me dije se mjekët nuk kallëzuan ngjarjen në polici. Po ashtu në pranga ka rënë edhe një shtetase kosovare që ishte shoqëruesja e Dumanit, e cila kishte marrë edhe një banesë me qira në qytetin e Fierit.
Nuredin Dumani u arrestua mbrëmjen e djeshme në Fier gjatë operacionit të zhvilluar nga forcat RENEA, pasi ka qenë i përfshirë në ngjarjen e atentatit të djeshëm ndaj Talo Çelës në Elbasan.
Banesa në katin e katërt të pallatit kishte 10 ditë që ishte marrë me qira nga shtetësja kosovare. Dumanit i është sekuestruar edhe një telefon i inkriptuar, një telefon që do i hedhë dritë me kë ka komunikuar ai.