Ambasadori i BE:A do të hapen negociatat në vitin 2019

Ambasadori i BE:A do të hapen negociatat në vitin 2019

73
SHPËRNDAJE

Flet ambasadori i BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreca: “Shqipëria ka nevojë kyçe për reforma që do të nxisin konkurrencën dhe zhvillimin”

 

Nga Deada Hyka

Pranvera e 2019-s do të jetë një periudhë prove për Shqipërinë, kjo pasi pritet që Komisioni Europian të paraqesë raportin vjetor për vendin tonë, për t’u shqyrtuar më pas nga shtetet anëtare të Këshillit të BE-së. Gjatë vitit 2018 pati debate të shumta për shtyrjen e fillimit të negociatave, megjithatë përfundimet e Këshillit të qershorit të kaluar nuk shtuan ndonjë kusht të ri për hapjen e negociatave.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreca, në një intervistë për “Monitor”, shprehet me nota inkurajuese për arritjen e objektivave nga Shqipëria. Sipas tij, qeveria shqiptare duhet të përqendrohet që të realizojë gjithçka që ka në dorë për t’u paraqitur me të gjitha ‘detyrat e shtëpisë’ të kryera përpara takimit të qershorit 2019.

Z. Soreca shton se vendi ynë ka disa sfida në këtë vit, duke iu referuar atyre institucionale. Ekziston një nevojë e qartë për rritjen e kapaciteteve dhe efikasitetit të administratës publike, si dhe për zbatimin e parimeve të qeverisjes së mirë, si menaxhimi i mirë i financave publike dhe prokurimi publik transparent.

Në lidhje me sfidat e reformës strukturore, ambasadori thekson se Shqipëria ka nevojë urgjente për reforma që do të nxisin konkurrencën dhe zhvillimin në vend, që do të mundësonin pjesëmarrjen aktive të Shqipërisë në Zonën Ekonomike Rajonale të Ballkanit Perëndimor. Më tej, z. Soreca shpjegon edhe projektet që BE-ja po financon në Shqipëri, në fushën ekonomike, duke u ndalur në projektin CAUSE dhe EMBRACE.

Shqipëria pritet të fillojë procesin e negociatave me BE-në vitin e ardhshëm. A e konsideroni Shqipërinë gati për këtë hap?

Përfundimet e Këshillit të Ministrave të BE-së të qershorit të kaluar kanë identifikuar qartë rrugën që duhet ndjekur për të filluar negociatat e anëtarësimit. Komisioni Europian do të paraqesë Raportin e tij Vjetor në pranverën e 2019-s, i cili do të shqyrtohet nga Shtetet Anëtare në Këshillin e Bashkimit Europian në qershor.

Kujtoj se Komisioni Europian ka rekomanduar tashmë në Raportin e tij të fundit Vjetor, në fillim të këtij viti, hapjen negociatave me Shqipërinë dhe se Parlamenti Europian e ka konfirmuar së fundmi qëndrimin e tij në favor të fillimit të negociatave kur miratoi Rezolutën e tij mbi Raportin e Komisionit. Përfundimet e Këshillit të qershorit të kaluar nuk shtuan ndonjë kusht të ri për hapjen e negociatave.

Shqipërisë iu kërkua përparim i mëtejshëm në prioritetet e vendosura në vitin 2014, si dhe arritjen e rezultateve të prekshme dhe konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është thelbësore që Shqipëria të fokusohet tani në arritjen e këtyre rezultateve, në mënyrë që t’i mundësojë Komisionit Europian të konfirmojë rekomandimin e tij, si dhe t’u tregojë Shteteve Anëtare se është arritur progres i mjaftueshëm.

Është e rëndësishme që tani të gjitha përpjekjet dhe burimet të orientohen drejt këtij objektivi të rëndësishëm për vendin dhe qytetarët e tij. Vendimi përfundimtar për të hapur negociatat e anëtarësimit nuk mund të merret si i mirëqenë dhe do të varet nga veprimet që Shqipëria do të vazhdojë të ndërmarrë në muajt e ardhshëm. Do të ishte një gabim i madh nga ana e Shqipërisë që të mos përqendrohej tani për të bërë gjithçka që është në kompetencën e saj për t’u paraqitur me dokumentet në rregull në takimin e qershorit.

Ka shenja shumë inkurajuese që na thonë se arritja e këtij objektivi është e mundur. Progresi i rëndësishëm i kohëve të fundit i bërë në zbatimin e reformës në drejtësi me themelimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, përfaqëson një hap të madh, duke i hapur rrugë emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe gjyqtarëve dhe prokurorëve në SPAK dhe BKH. Këto zhvillime tregojnë se reforma në drejtësi po funksionon dhe është e pakthyeshme.

Po ashtu, masat ligjzbatuese të kohëve të fundit kundër krimit të organizuar, janë mirëpritur. I përgëzoj shumë këto zhvillime. Është absolutisht thelbësore që të sigurohet qëndrueshmëria e rezultateve të arritura deri më tani. Vendi duhet të bashkohet për të arritur këtë qëllim historik. Gatishmëria e Shqipërisë varet në mënyrë thelbësore nga një konsensus i fortë midis të gjitha partive politike për të punuar së bashku në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Për shembull, duke finalizuar punën për reformën e Kodit Zgjedhor, një komponent thelbësor i Konkluzioneve të Këshillit të qershorit të kaluar. Është bërë një punë shumë e mirë dhe konstruktive, në kuadër të aktiviteteve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë tani përgjegjësi dhe t’i shfrytëzojnë të gjitha këto përpjekje për të gjetur një marrëveshjeje për një propozim të përbashkët për ndryshime në ligjin zgjedhor, i cili mund të miratohet sa më parë.

 

Hapja e negociatave

Përfundimet e Këshillit të qershorit të kaluar nuk shtuan ndonjë kusht të ri për hapjen e negociatave. Shqipërisë iu kërkua përparim i mëtejshëm në prioritetet e vendosura në vitin 2014, si dhe arritjen e rezultateve të prekshme dhe konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është thelbësore që Shqipëria të fokusohet tani në arritjen e këtyre rezultateve, në mënyrë që t’i mundësojë Komisionit Europian të konfirmojë rekomandimin e tij, si dhe t’u tregojë Shteteve Anëtare se është arritur progres i mjaftueshëm

 

Cilat mendoni se janë problemet në vendin tonë? Cili është roli që mund të ndërmarrë institucioni juaj për t’i adresuar ato dhe për të gjetur zgjidhjet?

Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm që nga vitet ’90. Është një vend shumë i ndryshëm krahasuar me atë që ekzistonte në kohët e komunizmit. Pasi kemi thënë këtë, ka ende sfida të rëndësishme institucionale dhe strukturore për t’u adresuar. Sa u përket sfidave institucionale, ekziston një nevojë e qartë për rritjen e kapaciteteve dhe efikasitetit të administratës publike, si dhe për zbatimin e parimeve të qeverisjes së mirë, si menaxhimi i mirë i financave publike dhe prokurimi publik transparent, si çështje shumë të rëndësishme.

Nevojiten më shumë përpjekje për konsolidimin fiskal, duke përmirësuar mbledhjen e të ardhurave dhe duke reduktuar borxhin publik. Ekziston nevoja për shtimin e zbatimit të shtetit të së drejtës dhe për një barrë rregullatore të reduktuar mbi bizneset. Përpjekjet për të adresuar këto sfida do të rrisnin besueshmërinë e institucioneve shtetërore, do të siguronin konkurrencë të drejtë dhe do të mundësonin ekonominë e lirë të tregut. Kjo do të mundësonte një klimë të favorshme investimi dhe do të krijonte terren për rritjen e investimeve të huaja në vend.

Sa u përket sfidave të reformës strukturore, vendi ka nevojë urgjente për reforma që do të nxisin konkurrencën dhe zhvillimin në Shqipëri, reforma që do të mundësonin pjesëmarrjen aktive të Shqipërisë në Zonën Ekonomike Rajonale të Ballkanit Perëndimor, çka do ta ndihmonte Shqipërinë të diversifikonte eksportet e saj dhe investimet vendase dhe të huaja në vend. Shqipëria duhet të rrisë performancën e saj në aspektin e gatishmërisë teknologjike, si dhe të sofistikimit të biznesit dhe inovacionit, që po bëhet po aq e rëndësishme sa edhe faktorë të tjerë nxitës bazë, si infrastruktura dhe tregjet, që funksionojnë mirë.

Reformat në sektorin e energjisë, transportit dhe ndërlidhjes, në sektorit e ujit, turizmit dhe bujqësisë, të ndjekura nga vlerësimi i duhur i rrezikut fiskal, janë gjithashtu të nevojshme. Këto duhen shoqëruar me masa për politika që synojnë të sqarojnë titujt e pronësisë, të formalizojnë ekonominë dhe të mbështesin aftësitë sipërmarrëse dhe njohuritë financiare. Këto masa do të mundësonin një mjedis biznesi më të favorshëm, që do të krijonte më shumë vende pune dhe do të nxiste rritjen e ekonomisë.

Është e qartë se këto reforma nuk mund të ndodhin brenda natës. Ato janë rezultate të planifikimit strategjik, të koordinimit institucional dhe ndihmës së shënjestruar. BE-ja punon ngushtësisht me qeverinë shqiptare për ta mbështetur punën e saj për këto reforma, veçanërisht me ndihmën tonë financiare. Vetëm për të dhënë një shembull, BE-ja e mbështet Shqipërinë me rreth 50 milionë euro për të përmirësuar menaxhimin financiar publik.

Kjo përfshin përmirësimin serioz të kapaciteteve për mbledhjen e të ardhurave dhe përmirësimin e përgatitjes dhe zbatimit të buxhetit. Ne, gjithashtu, mbështesim modernizimin e prokurimit publik, kontrollin e brendshëm financiar dhe auditimin e jashtëm. BE-ja monitoron rregullisht zhvillimet në Shqipëri lidhur me detyrimet e MSA-së dhe do të vazhdojë t’i mbështesë shumë fuqimisht reformat sektoriale në përgatitjen për anëtarësimin në BE.

Çfarë roli mendoni se do të ketë procesi i vetting-ut për zgjidhjen e problemeve dhe sigurimin e një mjedisi të sigurt për investitorët në Shqipëri?

Rivlerësimi i vazhdueshëm i gjyqtarëve dhe prokurorëve ishte, para së gjithash, domosdoshmëri për të përmirësuar shtetin e së drejtës në Shqipëri. Rezultatet që kemi parë deri më tani – që me nisjen e vetting-ut në fillim të vitit 2018 – vërtetojnë qartë se trajtimi radikal ishte i nevojshëm për të shëruar sëmundjen nga e cila vuante Shqipëria. Dhe kjo diagnozë ishte e qartë dhe e përbashkët për të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë: korrupsioni ishte thellësisht i rrënjosur në gjyqësorin shqiptar. Vendimet e organeve të vetting-ut për çështjet prioritare treguan se korrupsioni ishte i pranishëm në nivelet më të larta të gjyqësorit shqiptar.

Jam shumë i kënaqur me rezultatet e para dhe dua të përgëzoj të gjithë aktorët e përfshirë, duke filluar nga gjyqtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së, si dhe t’i inkurajoj ata që të vazhdojnë punën e tyre të madhe. Më lejoni të theksoj se përfitimet nga procesi i vetting-ut nuk do të ndalen në pragun e gjyqësorit. Një gjyqësor i pavarur – i lirë nga korrupsioni dhe i lirë nga influenca politike – është shtylla kurrizore e çdo demokracie funksionale, në të cilën të drejtat e qytetarëve dhe kompanive zbatohen në mënyrë të paanshme.

Por një gjyqësor funksional është një parametër shumë i rëndësishëm, që ndikon në vendimin e një investitori që kërkon të investojë në një vend të huaj. Ju nuk investoni në një vend nëse nuk jeni të sigurt se do të merrni një gjykim të drejtë dhe një dëmshpërblim efektiv në rast se do të përballeni me ndonjë problem me një palë të tretë në aktivitetet tuaja të biznesit. Dhe të gjithë ne e dimë se kjo ka luajtur rol në investimet e huaja të kufizuara që Shqipëria mund të gëzojë aktualisht.

Unë jam shumë i bindur se procesi i vetting-ut – dhe të gjitha reformat e tjera të shtetit të së drejtës ku qeveria shqiptare është angazhuar aktualisht – do të jenë një pikë kthese për vendin në këtë drejtim. Ka shumë potenciale të pashfrytëzuara për bizneset e huaja që të investojnë në Shqipëri – me kusht që shteti i së drejtës të përmirësohet.

Siç kemi parë me zgjerimet e mëparshme të BE-së në vendet e reja, një perspektivë e prekshme e anëtarësimit gjithmonë perceptohet pozitivisht nga investitorët që po bëjnë tashmë biznes në vende të tjera të BE-së. Këta investitorë i njohin me të vërtetë rregullat që vendet e ardhshme aderuese po ndërmarrin në legjislacionin e tyre kombëtar gjatë procesit të anëtarësimit. Prandaj, puna për përmbushjen e kritereve të përcaktuara në Konkluzionet e fundit të Këshillit të qershorit 2018, për të arritur një vendim pozitiv në qershor 2019, sigurisht që mbështetet edhe nga një argument ekonomik solid, përtej atij politik.

Dua të theksoj se diçka tjetër që e zmbraps fort çdo investitor është një kornizë e pasigurt ligjore mbi të drejtat pronësore. Kjo është pjesë e prioriteteve kyçe për BE-në në Shqipëri, por më e rëndësishmja për vetë sistemin shqiptar. Ne presim që autoritetet shqiptare ta trajtojnë këtë sfidë të rëndësishme nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës që merr në konsideratë pozicionet legjitime dhe pritshmëritë e të gjithë aktorëve të përfshirë. BE-ja është e gatshme ta ndihmojë Shqipërinë në ndjekjen e kësaj reforme të rëndësishme duke mobilizuar ekspertizën dhe ndihmën financiare.

 

Vetting-u

Unë jam shumë i bindur se procesi i vetting-ut – dhe të gjitha reformat e tjera të shtetit të së drejtës ku qeveria shqiptare është angazhuar aktualisht – do të jenë një pikë kthese për vendin në këtë drejtim. Ka shumë potenciale të pashfrytëzuara për bizneset e huaja që të investojnë në Shqipëri – me kusht që shteti i së drejtës të përmirësohet.

 

BE-ja është një nga financuesit kryesorë të shumë projekteve me rëndësi ekonomike për Shqipërinë, kohët e fundit, projekti CAUSE – Asetet e Konfiskuara të Përdorura për Eksperimente Sociale. Si po shkon projekti? Cilat janë planet për projektet e ardhshme vitin tjetër?

Projekti “Asetet e Konfiskuara të Përdorura për Eksperimente Sociale” (CAUSE) është i pari i llojit të vet në të cilin Shqipëria, si një pilote në të gjithë rajonin, po vë një pasuri të konfiskuar në dispozicion të shoqërisë, në mënyrë që ta kthejë atë në një projekt me përfitime shoqërore. Ëmbëltorja “Ke Buono”, e cila është projekti i parë konkret i themeluar në Fier, ka 5 vjet që po e shfrytëzon pronën dhe tashmë ka treguar se është e suksesshme. Njëkohësisht, ajo ofron mundësi trajnimi për të rinjtë.

Në kuadrin e projektit “CAUSE”, edhe tre prona të tjera në Durrës, Elbasan dhe Sarandë janë propozuar për masa të ngjashme dhe ne do ta dimë deri në fillim të vitit 2019 se cilat do të jenë projektet konkrete. Bazuar në këto përvoja të para me ripërdorimin social të aseteve të konfiskuara, mund të parashikohet një përkrahje e mëtejshme e ngjashme. Do të jetë e rëndësishme të sigurohet ripërdorimi i qëndrueshëm i aseteve të konfiskuara për të mbështetur ofrimin e shërbimeve sociale, shëndetësore dhe arsimore për grupet e pafavorizuara të qytetarëve. Përveç projektit “CAUSE”, ne mbështesim edhe nisma të tjera ndërmarrjesh të qëndrueshme, të cilat u përgjigjen sfidave shoqërore dhe mjedisore dhe nxisin zhvillimin gjithëpërfshirës.

Projekte të tilla si EMBRACE, “Gratë në zonat malore” dhe “Mbështetje për ndërmarrjet sociale modele të shoqërisë civile” japin mbështetje konkrete dhe të prekshme për veprimet e ndërmarra nga organizatat e shoqërisë civile që aplikojnë teknika biznesi në partneritet me sektorin privat. Unë besoj se këto lloje projektesh janë kritike për qëndrueshmërinë e ofruesve të shërbimeve dhe ekziston një nevojë e fortë për ta përmirësuar më tej mjedisin ligjor dhe fiskal për financimin e këtyre nismave në vend. Ne do ta vazhdojmë, gjithashtu, mbështetjen tonë në këtë drejtim.

Cilët mendoni se janë sektorët më potencialë që Shqipëria ka nevojë të zhvillojë më tej në vitet e ardhshme?

Analiza e potencialit ekonomik aktual të Shqipërisë tregon drejt zhvillimit të turizmit, agroindustrive dhe diversifikimit të shërbimeve. Shqipëria duhet të zhvillojë një fuqi punëtore të nivelit të mesëm që do t’i përshtatej kërkesës së kompanive të huaja për shërbime. Natyrisht, kjo vjen përveç zhvillimit, dhe shpesh modernizimit, të sektorëve tradicionalë si energjia, industria dhe prodhimi.

Përmes një partneriteti me BERZH-in, duke filluar nga janari 2019, ne do të punojmë për forcimin e lidhjes mes turizmit dhe ruajtjes së trashëgimisë natyrore dhe kulturore, si dhe për forcimin e kontributit të turizmit të cilësisë së lartë dhe të qëndrueshëm për rritjen ekonomike dhe konkurrencën e rajoneve shqiptare. Përmirësimi i konkurrencës së biznesit nënkupton pasjen e infrastrukturës së përshtatshme, energji, infrastrukturë sociale dhe shërbime. Përmes BERZH-it, BE-ja do të mbështesë projektet e investimeve për zhvillimin ekonomik vendor për të përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet bashkiake.

Në industrinë agroushqimore, i nxis fuqimisht agrobizneset që të përfitojnë plotësisht nga mundësitë për mbështetje në investime, veçanërisht përmes programit IPARD që ne e kemi nisur në tetor të këtij viti, me një total fondesh prej 94 milionë eurosh. Thirrja e parë tashmë është e hapur, duke u fokusuar te fermat bujqësore, stabilimentet e përpunimit dhe diversifikimi i aktiviteteve bujqësore.

Në fushën e inovacionit dhe krijimit të sipërmarrjeve të reja, ne po kërkojmë – së bashku me SIDA-n dhe GiZ – mënyra për të forcuar kapacitetin për inovacion mes sipërmarrjeve të reja, ofruesve të mbështetjes së inovacionit dhe politikëbërësve. Duhet të ndërtohen lidhje mes ekosistemit shqiptar dhe atij ndërkombëtar të inovacionit. Siç thoshte Steve Jobs: “Inovacioni bën dallimin midis një udhëheqësi dhe një pasuesi”. Kjo është ajo ku ne duam që biznesi shqiptar të rritet: drejt një ekonomie inovative, të bazuar në dije dhe me aftësi të larta, që mbështetet nga investimet dhe një ndjenjë sipërmarrjeje.

S'KA KOMENTE