“Ambasada shqiptare në Athinë, është kthyer në zyrë elektorale”, PD: Të nis...

“Ambasada shqiptare në Athinë, është kthyer në zyrë elektorale”, PD: Të nis hetimi

71
SHPËRNDAJE

Sekretari për emigracionin në Partinë Demokratike, Indrit Hoxha deklaron se ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë është kthyer në zyrë elektorale të Partisë Socialiste.

Në një dalje për mediat gjatë së hënës, ai tha se informacione të konfirmuara, ardhur në Partinë Demokratike, bëjnë me dije për organizimin e një takimi të brendshëm partiak në mjediset e përfaqësisë diplomatike shqiptare në Athinë.

“Duke shkelur çdo ligj të shtetit dhe kod të etikës, zyrtarë të lartë të PS kanë kryesuar të shtunën në një takim organizativo-elektoral, brenda zyrave ku stema është e Republikës së Shqipërisë.

Futja aty e flamujve dhe simboleve partiakë është mjerim dhe përdhosje e idesë së shtetit. Përvetësimi i simboleve kombëtare, hapësirave shtetërore, dhe devijimi i vullnetit të taksapaguesve shqiptarë për qëllime partiake, është një rekord i zi që nuk i bën nder shtetit dhe as një PS-je normale.

Partia Demokratike dënon me forcë praninë në takim dhe implikimin e ministres Mirela Kumbaro, sekretarit të Përgjithshëm Damian Gjiknuri dhe deputetit Laert Duro, dhe u bën thirrje organeve përkatëse të hetojnë këtë shkelje flagrante.

Partia Demokratike dënon gjithashtu një shkelje të dytë, caktimin e atasheut ushtarak Roland Berxhani, si koordinator për zgjedhjet në degën e PS në Athinë”, u shpreh Hoxha.

Sipas Hoxhës, përfshirja e një zyrtari, aq më shumë një atasheu ushtarak në punë partiake, cenon jo vetëm dinjitetin e Forcave të Armatosura të një vendi të NATO-s, por ul kredibilietin e ambasadës dhe shtetit shqiptar te bashkatdhetarët tanë atje.

Hoxha tha se kthimi i ambasadës në zyrë me aneks të Partisë Socialiste është një atentat tjetër që partia në pushtet i bën shtetit dhe imazhit të Shqipërisë.

S'KA KOMENTE