Albpetrol nxjerr në ankand sasi rekord nafte, mbi 158 mijë ton

Albpetrol nxjerr në ankand sasi rekord nafte, mbi 158 mijë ton

541
SHPËRNDAJE

Kompania publike e prodhimit të naftës në vend Albpetrol ka hapur ankandin e radhës duke nxjerrë në shitje mbi 158 mijë ton naftë, një sasi kjo rekord në raport me vitet e mëparshme.

Kjo shifër nuk vjen rastësisht po të kemi parasysh që sasia e naftës është e akumuluar nga operacionet e vitit 2020 dhe 2019.

Asnjë nga ankandet e vitit të kaluar nuk rezultoi me një fitues. Korrikun e kaluar për një sasi prej 48 mijë tonësh u njoftua kompania fituese por për shkak të situatës duket se kontrata nuk u arrit të finalizohej e për rrjedhojë nafta mbeti sërish në rezervat e Albpetrol.

Ankandi i fundit

Albpetrol bëri me dije se kompanitë e interesuara për sasinë e naftës bruto në shitje mund të paraqesin ofertë në datën 20 janar. Afati për evadimin e sasisë 158 mijë ton është 8 muaj. Në dokumente sqarohet edhe mënyra sesi do të llogaritet çmimi.

“Çmimi minimal fillestar për njësi është: 75.01 % e Çmimit Brent + K. Në pikat e lëvrimit: Çmimi minimal fillestar për njësi është: 75.01 % e Çmimit Brent – 2.59 USD/bbl + K” thuhet në dokument.

Në këtë rast 75.01 % është koefiçenti i cili përfaqëson karakteristikat mesatare të naftës (pesha specifike, aciditeti i naftës, % e squfurit). Brent është çmimi në USD/bbl i Brent i Platts, i publikuar në Buletinin e Prokurimit Publik. 2.59 USD/bbl kosto mesatare totale (transport, magazinim, sigurim ne stokim dhe lëvizje, analizim, matje, ngrohje). K- është vlera USD/bbl e ofruar nga ofertuesi mbi çmimin minimal të shitjes të përllogaritur nga formula (K≥0).

Albeptrol sqaroi se vendndodhja e naftës bruto është në pikat e lëvrimit Stacioni Usojë, Stacioni Visoke, Stacioni Gorisht, Stacioni Zharrëz, Stacioni Kuçovë, Stacioni Amonicë.

Për herë të fundit, Albpetrol shiti naftë në një ankand në fund të majit 2019 kur u nxorën në shitje 75 mijë tonë naftë. Në atë kohë, blerja e naftës bruto u bë nga kompania “Al Global Oil” për një vlerë rreth 30 milionë dollarë.

S'KA KOMENTE