Kompania publike e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës Albpetrol ka njoftuar ankandin për shitjen e 100 mijë tonëve naftë bruto.
Ky është ankandi i dytë i mbajtur për këtë vit nga kompania publike ku i pari u njoftua se ishte i suksesshëm vetëm në njërin lot të tij.
Sipas të dhënave të publikuara nga Albeptrol afati i evadimit është 12 muaj ndërkohë që vendndodhja e naftës brut është në pikat e lëvrimit Stacioni Usoje, Stacioni Visoke, Stacioni Gorisht, Stacioni Zharrëz, Stacioni Kuçovë, Stacioni Amonicë.
Për operatorët Albpetrol bëri me dije se : a)në kushtet FOB (kur blerësi paguan dhe transportin) çimi minimal fillestar për njësi është: 73.3 % e Çmimit Brent + K.
b)Në pikat e lëvrimit: Çmimi minimal fillestar për njësi është: 73.3 % e Çmimit Brent – 3.6 USD/bbl + K
“- 73.3 % është koefiçenti i cili përfaqëson karakteristikat mesatare të naftës (pesha specifike, aciditeti i naftes, % e squfurit).
– Brent është çmimi në USD/bbl i Brent i Platts, i publikuar në Buletinin e Prokurimit Publik.
– 3.6 USD/bbl kosto mesatare totale (transport, magazinim, stokim, analizim produkti, sigurim).
– K- eshte vlera USD/bbl e ofruar nga ofertuesi mbi çmimin minimal të shitjes të përllogaritur nga formula (K ˃ 0)”sqaron Albpetrol.
Më herët gjatë marsit Albpetrol njoftoi se të paktën 40 mijë ton naftë u shitën tek bashkimi i kompanive “R.B.H Beline” sh.a., Elbasan, dhe “Al Global Oil” sh.a. Kompanive iu kërkua që të paguanin vlerën 10 për qind të kontratës e cila korrespondonte me 140 milionë lekë çka e çon totalin në 1.4 miliardë lekë apo mbi 11 milionë euro. Njoftimi i fituesve u bë në fillim të marsit. Kjo ishte procedura e parë e cilësuar e suksesshme nga kompania e cila gjatë vitit 2020 hapi disa herë ankande për sasi të ndryshme nafte por që kishte mungesë interesi nga ana e operatorëve.
Kjo situatë vjen edhe si pasojë e pandemisë ku çmimi i naftës gjatë në muajt e karantinës pësuan një ulje drastike për shkak të ndalimit të aktivitetit ekonomik në shumicën e vendeve në botë